Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se PS sot ka misionin historik për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, aty ku sipas shefit të Qeverisë e kanë amanet nga rilindasit e kombit tonë.
Komëntet Rama i bëri nga Shkodra, në 35-vjetorin e themelimit të PS-së së degës, ku tha se historia e Rozafës, ku dikush ndërtonte ditën dhe dikush prishte natën, është sipas kryeministrit aktuale edhe sot.
Rama deklaroi se PS sot është më e fortë se kurrë më parë, duke iu referuar edhe pjesëmarrjes së madhe të qytetarëve në takimin për 35-vjetorin e PS në Shkodër.
“Kur më thanë se ka shumë njerëz, mendova që kur shumë njerëz kanë rezistuar deri në fund të asaj ngjitje, ne jo vetëm që jemi të fortë, por jemi më të fortë se asnjëherë tjetër. Tani do na hidhen në fyt flamingot dhe do na thonë që administrata është mbledhur me zor, por unë ju falënderoj shumë për këtë ngjitje që ka qenë jo e lehtë. Kemi të gjitha arsyet për të ngjitur Shqipërinë në atë majën që na e kanë lënë amanet rilindasit tanë dhe që ua kemi borxh fëmijëve tanë, në BE. Kjo skenë këtu dhe ky shesh është zgjedhur për bukurinë e vet të jashtëzakonshme dhe për hijen e magjishme që ka. Ky takim na lidh me të sotmen, me atë që është edhe legjenda e kësaj kalaje. Legjenda e atyre që përpiqeshin të ndërtonin ditën dhe e atij që prishte natën. Ishin vëllezër. Ishin vëllezër dhe ajo legjendë në fakt ka reflektuar në vazhdimësi në jetën shqiptare shekull pas shekulli. Ka reflektuar edhe në letrat e shkruara nga atdhetarët Gjergj Fishta e me radhë, që halli më i madh shqiptarit i vjen nga shqiptari, por lajmi i mirë është se shumica e shqiptarëve është shumë e vendosur për të çuar deri në fund këtë mision historik”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
35-vjetori i themelimit të PS Shkodër, Rama shkon i veshur me një bluzë me flamingo: Duan të përzënë investitorët e huaj dhe ta kthejnë vendin në rezervat për blogerët e influencerët





