Rama: Ngjarja e DAR Lushnjë
maja e Ajsbergut,e shkatërrojmë

Rama: Ngjarja e DAR Lushnjë<br />maja e Ajsbergut,e shkatërrojmë
TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka theksuar se reforma në sistemin arsimor synon të luftojë korrupsionin në këtë sistem, si dhe fenomenin e mitmarrjes. Ndërsa i është referuar rastit korruptim të Drejtorisë Arsimore Lushnjë, ku drejtoresha e kësaj zyre kërkonte para në këmbim të një vendi pune mësues, Rama tha se ky është një fenomen që do të luftohet. Kreu i qeverisë u shpreh se ky ngjarja e Lushnjës “është maja e një ajsbergu, që qeveria Rama do ta shkatërrojë". Nisur nga kjo, kryeministri u shpreh se pas përfundimit të parë ku mësuesit do t’i nënshtrohen provimit, e më pas do të pajisën me licencë, nuk do të jetë më në dorën e drejtorëve apo të zyrave arsimore rajonale punësimi apo largimi i mësuesve nga puna.  Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takimin për vlerësimin e shkollave të mesme
 
“Edhe pse ka ndryshime rrënjësore e të ndejshme, vazhdon të ketë një shprehje të përgjithshme shqetësimi për mitmarrje në sistemin arsimor. Ngjarja e rënde të zyrës arsimore të Lushnjës nuk është një aksident të vetëshuar, por është maja e një ajsbergu që ne do ta bëjmë copë-copë pa kursyer askënd. Duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do të kurorëzohet në muajin dhjetor në fazë të parë, dhe më fazat e tjera të vitit tjetër, asnjë drejtor dhe asnjë zyrë arsimore nuk do ketë në dorë të bëjë emërime e ç’emërime mësuesish. Rrugën e konkurrencës së ndershëm do ta përcaktojë mënyra e re e prezantuar nga ministrja e Arsimit, ku çdo kush që ka arsimin përkatës dhe në profilet e caktuara, të jetë i gatshëm të konkurrojë me të tjetër përmes një procesi transparent dhe të sekretuar”, tha kryeministri Rama.

Këto deklarata të kryeministrit kanë ardhur gjatë një aktiviteti të organizuar nga Ministria e Arsimit në qendrën e Kulturës, pranë Kishës Ortodokse, për vlerësimin e shkollave më të mira publike e private sipas raportit të Maturës Shtetërore.

rama
 
Rama: Sistemi ynë arsimor, larg ambicies europiane, do ta reformojmë
Ndërkaq, kryeministri Rama u ndal edhe situata në të cilën ndodhet sistemi arsimor në vend, duke u shprehur së qeveria që ai drejton synon të vendosë këtë sistem në binarët e duhur, dhe sipas standardeve evropiane.
 
“Situata kur ne e morëm vendin, përfshirë sistemin arsimor, ishte he mbetet një situatë që është shumë larg ëndrrave dhe shpresave të këtij vendi për fëmijët e tyre. Është shumë larg ambicies sonë për Shqipërinë evropiane. Tashmë ministria e Arsimit është vendosur në atë rol që është dashur të vendosej që më parë për të mos lejuar sistemin arsimor të katandisej aty ku është katandisur. Reformat, ato të vërtetat dhe të thella, efektet e tyre i japin në kohë dhe jo menjëherë.
 
Nuk do të kursejmë pushtetin tonë, siç kanë bërë të tjerë, që për të qëndruar në pushtet i kanë lejuar sëmundjen e plagët të zotërojmë të gjithë organizmit të vendit. Në këtë rrugë nuk do kursejmë askënd që në këtë rrugë do na dalë përpara, duke u bërë pengesë për këtë përpjekje të madhe kombëtare, dhe të jetë duke abuzuar me detyrën.
 
Është objektivisht e pamundur që ky proces provimi të korruptohet, apo vendi që i cakton dikujt që e meriton të zihet nga dikush i ndikuar nga bindjet, afërsitë fisnore, apo të tjera”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama ndërkaq, solli edhe një detaj nga shkollat në Japoni. “Në Japoni, ditën e parë të shkollës, në orën e parë të mësimit të gjithë mësuesit u thonë nxënësve: “Japonia është vendi më i varfër në botë prandaj ne duhet të mësojmë më shumë se gjithë të tjerët”, tha kryeministri.

rama
 
Nikolla: Me "Mësues për Shqipërinë" po ndërtojmë një skemë dhe një sistem të shëndetshëm emërimesh
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, në prani të Kryeministrit të vendit, Edi Rama prezantoi sot, raportin e deri tanishëm të portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Nikolla deklaroi se deri ditën e sotme kanë aplikuar 7.475 kandidatë për mësues, nga të cilët 58.9 % janë të gatshëm të shërbejnë edhe jashtë vendbanimit të tyre.

“Përtej faktit që po i japim fund rrënimit të burimeve njerëzore në arsim, njëherazi po ndërtojmë një skemë dhe një sistem të shëndetshëm emërimesh, përballë gjithë situatave që kanë rezultuar korruptive e që tregojnë edhe një herë një vullnet të palëkundur të qeverisë për luftën kundër korrupsionit”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se pas aplikimeve për mësues në 2278 vende vakante në gjithë Shqipërinë, në profile të ndryshme, do të zhvillohet testi i cili do të jetë i bazuar vetëm në meritë e që do të ketë një miradministrim, duke filluar që nga hartimi i pyetjeve nga një komision i posaçëm, përzgjedhja e pyetjeve online e më pas korrigjimi i testeve të sekretuara do të bëhet nga një komision i MAS.

Analiza e rezultateve të Maturës Shtetërore, vlerësohen 10 shkolla publike e 10 private
Ministrja Nikolla, duke vlerësuar analizën e rezultateve të Maturës Shtetërore, e munguar për gjatë 9 viteve, tha se ajo do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për të adresuar përgjegjësi të reja. Ajo që bie në sy, sipas saj, diferencat e cilësisë dhe pabarazitë janë të mëdha aty ku dhe është më i madh numri i mësuesve jashtë profilit.

“Analiza e rezultateve të Maturës Shtetërore tregoi edhe një herë për çorodinë që ka krijuar larmia e teksteve që maturantët përdorin për të njëjtën program lëndor dhe se sa e nevojshme është reforma e teksteve shkollore”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se nga analiza e kësaj Mature rezultoi se në një shkollë private me kohë të pjesshme nuk kaloi asnjë maturant. Ndaj vetëm nga ky sinjal u inspektuan gjimnazet private me kohë të pjesshme dhe u hoqën licencat e 13 gjimnazeve që rezultuan piramida të arsimit të mesëm privat part-time.

“Vetëm rritja e pragut të kalimit, cut-off, dhe miradministrimi bëri që sot në universitetet publike të kemi një cilësi më të lartë në të pranuarit në vitin e parë. Sot, kemi 160 programe studimi në universitetet publike që mesatarja e të pranuarve është shumë më e lartë se ajo e viteve të kaluar. Në 136 programe shkencash studimi, studentët e pranuar kanë në matematikë notë më të lartë se 7. Gjithashtu nga raundi i parë i aplikimeve, nuk ka asnjë maturantë me mesatare nën 6-të”, tha Nikolla.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sporti, Lindita Nikolla u dhanë sot certifikata vlerësimi 10 shkollave më të mira publike e private, sipas Raportit të Maturës Shtetërore 2013-2014.

Renditja e shkollave më të mira është si më poshtë:

Publike

“Ismail Qemali” Tiranë

“Sami Frashëri” Tiranë

“Qemal Stafa” Tiranë

“28 Nëntori” Shkodër

“Petro Nini Luarasi” Tiranë

“Ali Demi” Vlorë

“18 Tetori” Lushnje

“Naim Frashëri” Durrës

“Themistokli Gërmenji” Korçë

“Dhaskal Todri” Elbasan


Private

“Preka” Korçë

“Mehmet Akif” vazja Tiranë

“Ernest Koliqi” Tiranë

“Numër 1”Vlorë

“Mehmet Akif”djem Tiranë

“Turgut Ozal” Tiranë

“Nehemia” Pogradec

“Tirana Jonë” Tiranë

“Rilindja” Pogradec

“Peter Mahringer” Shkodër


Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën