TIRANË- Për disa javë me radhë, ftesa e kryeministrit Edi Rama me letra dialogu mbi sofrën e betonit para godinës qeveritare, ishte refuzuar nga protestuesit. Vetëm 14 ditë pasi prezantoi për herë të parë faqen e dialogut “fol me kryeministrin”, shefi i qeverisë ka arritur që të bindë një grup studentësh që të ulen në dialog.

Është vetë kryeministri Rama që ka konfirmuar nisjen e këtij procesi, duke ndarë një foto nga takimi me protestues në Pallatin e Brigadave. Rama kujdeset të theksojë, se në “tryezën e dialogut” janë ulur vetëm studentë që besojnë te protesta dhe jo te gurës, pasi vijat e kuqe i kishte bërë të qarta, se me ata që ushtrojnë akte dhune nuk do të ketë dialog.

Pa ndarë shumë detaje nga takimi dhe se çfarë është diskutuar, Rama e shoqëron foton me një mbishkrim të shkurtër, ku thotë se “çuditërisht” ka rënë dakord me shumë shqetësime të ngritura nga të studentët protestues.

“Dialog inkurajues me studentë që besojnë te protesta, jo te gurët dhe që "çuditërisht" më gjetën dakord në jo pak nga shqetësimet e tyre. To be continued..”, shkruan Rama.

Edhe mbrëmjen e së premtes një grup tjetër protestuesish vijuan me protestën para kryeministrisë, duke u përplasur me efektivët e policisë dhe duke tentuar të bllokojnë qarkullimin në bulevard. Por, policia i zhvendosi në trotuar.

Pikërisht për të nisur dialogun me protestuesit, vetëm 2 javë më parë kryeministri lançoi platformën “Fol me Kryeministrin”, një kanal komunikimi online i krijuar për t’u mundësuar qytetarëve të komunikojnë drejtpërdrejt me Kryeministrin dhe institucionet qeveritare.

Foto nga dialogu me protestuesit