Kryeminsitri Edi Rama ka folur para grave të burgosura për aministinë. Ai tha se për ato që nuk do përfitojnë lirinë do të krijohen kushte për të bërë sa më lehtë dënimin.
"Së pari, shumë faleminderit për praninë tuaj, edhe pse në kushtet që ju jeni është një prani e detyruar, por jam i bindur që edhe nga fjalët edhe nga emocionet e zonjave që folën, është edhe një prani e dëshiruar. Më vjen shumë mirë që ne bëjmë këtë amnisti. Kemi 56 gra që vuajnë dënimet e tyre në sistemin penitenciar shqiptar dhe ne dëshironim që të gjitha të përfitonin nga amnistia në një mënyrë, ose një tjetër dhe faktikisht, duke i parë të gjitha rastet një nga një, duke parë edhe gjithë kornizën e amnistisë, më vjen mirë që gjysma do lirohen menjëherë dhe gjysma tjetër do përftojnë një ulje me 1/3 e dënimit. Të them të drejtën, mbase kjo nuk është shumë korrekte për t'u thënë publikisht, por unë kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë, sepse do kisha dashur që të kishte dhe më shumë ulje për disa prej jush që kanë kryer krime shumë të rënda, jo për të justifikuar krimet, vrasjet e burrave, por për një arsye tjetër, për arsyen se unë besoj shumë fort që një grua arrin në atë ekstrem përtej faktit që kryen një krim dhe një krim të rëndë e të dënueshëm, ka me siguri 1001 arsye, 1001 plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura në trup që e çojnë në atë pikë. Megjithatë, përtej kësaj, duhet të them që predispozita e ministres ka qenë maksimale, por edhe kufizimi në këtë pikë i ka të gjitha arsyet legjitime, ligjore dhe morale. Unë e çmoj shumë Etildën në këtë drejtim, për faktin se ajo vjen nga një rrugë në karrierën e saj ku e ka nisur punën në anën e të drejtave të njeriut, duke qenë një person aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të të drejtave të grave, edhe pranë Komiteti të Helsinkit, por edhe me organizata të tjera me të cilat ka bashkëpunuar dhe është, jo vetëm shumë e ndjeshme në këtë pikë, por dhe shumë e dedikuar në përditshmërinë e punës.
Unë besoj shumë që edhe çka është nisur, jo bitisur akoma, për ta kthyer këtë institucion në një vend më të mirë, do të bëjë të mundur që dhe ato që do të qëndrojnë për të kryer dënimin deri në fund të ndihen më mirë. Unë kam pasur një bisedë të gjatë me drejtoren tuaj kur ajo nisi këtë punë. Kemi biseduar vazhdimisht me Etildën për të krijuar kushte që ju, pavarësisht se jetoni brenda rrethimit të telave me gjemba, të mund të keni një jetë të përditshme dhe një aktivizim që ta bëjë më të lehtë dënimin", tha Rama.
Lajmi kryesor: