
Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, Berisha pretendon se Rama nuk i fitoi kurrë zgjedhjet. Sipas kreut të PD, gjithçka ka qenë një farsë dhe seri aktivitetesh të paligjshme e korrupsioni.
Berisha cilëson të vetmen rrugëdalje largimin e Ramës nga pushteti. Për farsën thotë se nuk ishte e parandalueshme, por duhej vërtetuar dhe pretendon se këtë e arriti me raportin e përpiluar nga OSBE-ODIHR. Kreu i opozitës thotë se me këtë, opozita ka përmbushur detyrën e saj për mbrojtjen e votës.
“Çdo njeri që pretendon se vërtet Edi Rama u votua në ato zgjedhje, mashtron veten dhe me dashje ose padashje mbështet Edi Ramën. Edi Rama nuk i fitoi kurrë zgjedhjet. PD absolutisht do të ishte në pushtet sot nëse nuk do të përdoreshin 2 mld euro 2 ditë para zgjedhjeve, 76 miliardë euro para fushatës elektorale, banda në të 4 anët për të terrorizuar qytetarët. Në këto rrethana, ne nuk mund të ndalojmë qeverinë as të vendosë dhuratën 100 euro, as të vendosë mbjelljen e 30 hektarëve kanabis, as të mobilizojë mercenarët e saj, as të shpërndajë 100 euro për votë për 760 mijë pensionistë. Ne nuk mund të ndalojmë qeverinë të bëjë aktivitete të paligjshme, ne nuk mund të ndalojmë qeverinë të japë qindra leje ndërtimi, certifikata, leje legalizimi. Jo! Ne jemi opozitë. Për të gjitha këto, të papara asnjëherë në këto përmasa, unë ju kisha deklaruar ju se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. 130 milionë euro për zonat e dëmtuara nga tërmeti! Në një vend të varfër mjaftojnë. Përveç të gjitha këtyre, si i biri të atit që është, arrestoi liderët e partive kryesore opozitare. Pra, kjo ishte farsa dhe këtë ne nuk e parandalojmë dot, jo. Ka vetëm një rrugë: largimin e tij nga pushteti nëse duam të zhvillojmë zgjedhje, por kjo kërkon t’i njohim gjërat siç janë. Nëse nuk parandalojmë dot farsën, ne duhet ta vërtetonim farsën. E kishim detyrë para zgjedhësit shqiptar ta vërtetonim dhe para komunitetit ndërkombëtar, në një përpjekje më serioze, më të fuqishmen për mundësitë tona, ne realizuam këtë objektiv. Raporti i OSBE-ODIHR konfirmon të gjitha këto që unë shtrova para jush. Jo vetëm kaq por, Edi Rama bëri gjithçka nga kërcënimet banditeske të diplomatëve te lobimet korruptive të mëdha për ta ndryshuar atë raport. Ne bëmë gjithçka që ai raport të plotësohej me çdo dokument dhe mos të ndodhte. E vërteta është që vota u mbrojt dhe ne bëmë detyrën tonë, ne e mbrojtëm votën”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Mbledhja e parë pas disfatës, Berisha para Këshillit: 11 maji farsë, nuk ikim nga sheshi deri në rrëzimin e Ramës! Shtyn analizën e PD, Salianji mungon












