Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike është mbledhur ditën e sotme për herë të parë pas disfatës së pësuar nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në rend dite janë përfshirë diskutime mbi situatën politike në vend, çështja e Belinda Ballukut dhe protesta kombëtare e lajmëruar më 22 dhjetor.

Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar Sali Berisha artikuloi edhe njëherë akuzat e vjetra se zgjedhjet e 11 majit ishin farsë dhe u vodhën nga Rama i mbështetur nga bandat. Kush mendon ndryshe, pra se Rama ka fituar zgjedhjet, sipas Berishës mashtron veten ose është i mashtruar.

Berisha e pranon edhe vetë se nuk kanë bërë mjaftueshëm për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Me protestat e fundit ku pjesëmarrja edhe e militantëve lë për të dëshiruar, Berisha thotë para Këshillit Kombëtar se deri më tani kanë treguar ‘muskujt’. Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Berisha premton se do të përshkallëzojnë protestat deri në greva urie, apo demonstrata të dhunshme. 

Ndër të tjera, ditën e sotme Berisha paralajmëroi dhe përjashtimin e ish-deputetit Ervin Salianji, të cilin e akuzoi për bashkëpunim me Suel Çelën, kreu i bandës së Elbasanit, për organizimin e takimit të djeshëm me qytetarët në këtë qytet. Kjo pikë pritet të prodhojë edhe debate të ashpra në mbledhje, ndërsa siç thonë burime për Report Tv, ish-deputeti Salianji nuk do t'i bashkohet mbledhjes pasi po zhvillon takime me demokratët në bazë. 

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:22
Protesta e PD, Berisha: Nuk do e lirojmë sheshin derisa Rama të ikë

1765991227_saliberisha.jpg

Në takimin me Këshillin Kombëtar, i pari në 7 muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, Berisha bëri me dije axhendën vijuese të Partisë Demokratike. Ai kërkoi nga anëtarët angazhim maksimal me qytetarët sepse është koha e guximtarëve.

“Këto ditë që kanë mbetur, jeni të lutur, ju kërkoj të angazhoheni në takime intenisve me qytetarët. Është koha e guximtarëve, mos e harroni këtë!”

Berisha tha se qeveria nuk do t’u rezistojë protestuesve që do të mbushin sheshin në protestën kombëtare të 22 dhjetorit.

“Kjo qeveri nuk u reziston kurrë 3 apo 5 mijë burrave, grave, djemve që vendosin të zënë sheshin para kryeministrisë dhe të mos e lëshojnë atë derisa të ikë.”

Kreu i PD tha se plani janë protestat e forta dhe të fuqishme për të rrëzuar Ramën. Berisha tha se Rama “i ka kohërat e numëruara” dhe s’ka asgjë që e shpëton nga PD.

“Agjenda jonë do të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë. Kudo, brenda e jashtë Shqipërisë, degët tona kudo që janë do të angazhohen në protesta të fuqishme kundër këtij regjimi, pranë organizatave ndërkombëtare. Edi Rama i ka kohërat e numëruara. Forcë në botë që ta shpëtojë nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare nuk ka."

Ora 18:10
Nuk mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të PD, Salianji për Report Tv: Nuk shkova që mos të shmangnin vëmendjen nga skandali Rama-Balluku

1765907097_ervinsalianji.jpg

Sot nuk mora pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që mos t’iu jap mundësi të shmangin vëmendjen nga skandali Rama-Balluku dhe skandali i AKSH-it”, është përgjigja e Ervin Salianjit për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku për mospjesëmarrjen në takim.

Nga hera e fundit në mbledhjen e kryesisë, pjesë më e madhe e debateve u zhvilluan lidhur me takimet e ish-deputetit Ervin Salianji me qytetarët jashtë programit të partisë. Ndërkohë sot Berisha paralajmëroi përjashtimin e tij nga PD pas takimit që Salianji organizoi me qytetarët në Elbasan, për të cilin akuzohet se ka bashkëpunuar me kreun e bandës së qytetit, Suel Çela.

Ora 18:01
Berisha me një grusht militantësh në protesta: Kemi treguar ‘muskujt’, por s’kemi bërë mjaftueshëm për rrëzimin e Ramës! Duhen greva urie e demonstrata  

Sali Berisha e pranon edhe vetë se nuk kanë bërë mjaftueshëm për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti. Me protestat e fundit ku pjesëmarrja edhe e militantëve lë për të dëshiruar, Berisha thotë para Këshillit Kombëtar se deri më tani kanë treguar ‘muskujt’. Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Berisha premton se do të përshkallëzojnë protestat deri në greva urie, apo demonstrata të dhunshme. Ai foli edhe për çështjen e Belinda Ballukut, ku akuzoi se pas skandalit të tenderit të Tunelit të Llogarasë qëndron vetë kryeministri Edi Rama.

“Nëse e dëgjuat, çfarë tha. Nuk do ta kalojmë si rastet e tjera, por do bëjmë analizë të thelluar, e them këtë si udhëheqës i reformës të drejtësisë. Dhe ne i themi guxo, do bëjmë gjithçka që vend mbi tokë nuk të lëmë nëse ti përpiqesh të marrësh pushtetin minimal të drejtësisë. Nuk mundet që në të pranojmë një bandit, një hajdut, një njeri i cili u ka bërë shqiptarëve më të zeza se asnjë pushtues tjetër i egër dhe tani kur kërkohet të japë hesape. Në rastin e tunelit të Llogarasë, Lubia është shërbëtore e tij, ka firmosur ato që i ka thënë Rama. Ndaj edhe ky është kaq i angazhuar për mbrojtjen. Ajo masa ishte lehtësi, ajo duhet të ishte në arrest. Nuk e lëshon se ajo e merr me vete. Po nuk u ngritëm ne, nuk ikën ai. Tani do flasim ne, kësaj here beteja jonë është me sakrifica, me përballje, ne nuk mund të tërhiqemi, kjo është prova jonë e madhe. Besimi i shqiptarëve është tek ne, nëse s’do na shihte për të qenë, s’do na votonte fare, na shuante. Por, a kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo nuk e kemi bërë, ne kemi bërë shumë protesta, mirë kemi bërë, kemi treguar muskuj. Kemi bërë lëvizje, nuk ishin ato që mund të rrëzonin Ramën. Ramën e rrëzon ajo lëvizje që ngjit aty dhe nuk shqitet më, ne do ta bëjmë atë lëvizje. Ramën e rrëzon greva urie, demonstrata, me të gjitha format. Tani jemi në të drejtën e zotit. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar, kemi ligjin kombëtar që thotë se zgjedhjet ishin farsë, kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend dhe së fundmi peng i Ballukut”, tha Berisha.

Ora 17:51
Berisha: Analizën e partisë do e lemë për mbledhjen tjetër, fokus tek përgjigja që do t’i japim Ramës

1765989028_saliberisha.jpg

Kreu i PD Sali Berisha tha kjo mbledhje do të fokusohet në përgjigjen që opozita do t’i japë qeverisë Rama, referuar këtu protestës së lajmëruar më datë 22, ndërsa analiza e partisë do të shtyhet për një mbledhje tjetër për shkak të situatës emergjente politike sot.

“Ne kishim përparësi mbrojtjen e votës. Nuk ishte një proces i thjeshtë, por ia dolëm. Siç e kishim njoftuar, Kryesia është mbledhur, por nuk janë marrë vendime, pasi ka qenë një periudhë me pak vendimmarrje, duke qenë se përqendrimi ynë ka qenë te mbrojtja e votës.

Tani, pa diskutim që këtë forum, ashtu si të gjitha organet e partisë, nuk mund t’i pengojë asgjë për të zhvilluar debatin më serioz dhe analizën më të thelluar që është bërë ndonjëherë, me qëllimin për një PD që rrëzon këtë regjim. Ne vijmë sot në provën tonë më të madhe. Kjo është një diktaturë që përdor institucionet, fakt që konfirmohet edhe nga shtatë rezoluta ndërkombëtare.

Në të gjithë këtë situatë, PD qëndroi dhe do të vijojë të qëndrojë fuqishëm. Kjo mbledhje duhet të jetë në këtë drejtim. Për shkak të situatës emergjente të krijuar, detyrohemi që axhendën e parashikuar për sot ta shtyjmë për një mbledhje tjetër të afërt dhe të përqendrohemi në përgatitjen e përgjigjes që duhet t’i japim kësaj kalbësire që kundërmon në gjithë botën. Kësaj organizate kriminale, që nuk ka Kushtetutë, ligj e moral dhe që është e aftë të bëjë çdo gjë për të qëndruar në pushtet. Është radha jonë. Është ora jonë”, tha Berisha.

Ora 17:51
'Rama nuk i fitoi zgjedhjet', Berisha flet për humbjen e 11 majit: Largimi i tij është zgjidhja e vetme

1765989015_saliberisha.jpg

Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit, Berisha pretendon se Rama nuk i fitoi kurrë zgjedhjet. Sipas kreut të PD, gjithçka ka qenë një farsë dhe seri aktivitetesh të paligjshme e korrupsioni.

Berisha cilëson të vetmen rrugëdalje largimin e Ramës nga pushteti. Për farsën thotë se nuk ishte e parandalueshme, por duhej vërtetuar dhe pretendon se këtë e arriti me raportin e përpiluar nga OSBE-ODIHR. Kreu i opozitës thotë se me këtë, opozita ka përmbushur detyrën e saj për mbrojtjen e votës.

“Çdo njeri që pretendon se vërtet Edi Rama u votua në ato zgjedhje, mashtron veten dhe me dashje ose padashje mbështet Edi Ramën. Edi Rama nuk i fitoi kurrë zgjedhjet. PD absolutisht do të ishte në pushtet sot nëse nuk do të përdoreshin 2 mld euro 2 ditë para zgjedhjeve, 76 miliardë euro para fushatës elektorale, banda në të 4 anët për të terrorizuar qytetarët. Në këto rrethana, ne nuk mund të ndalojmë qeverinë as të vendosë dhuratën 100 euro, as të vendosë mbjelljen e 30 hektarëve kanabis, as të mobilizojë mercenarët e saj, as të shpërndajë 100 euro për votë për 760 mijë pensionistë. Ne nuk mund të ndalojmë qeverinë të bëjë aktivitete të paligjshme, ne nuk mund të ndalojmë qeverinë të japë qindra leje ndërtimi, certifikata, leje legalizimi. Jo! Ne jemi opozitë. Për të gjitha këto, të papara asnjëherë në këto përmasa, unë ju kisha deklaruar ju se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. 130 milionë euro për zonat e dëmtuara nga tërmeti! Në një vend të varfër mjaftojnë. Përveç të gjitha këtyre, si i biri të atit që është, arrestoi liderët e partive kryesore opozitare. Pra, kjo ishte farsa dhe këtë ne nuk e parandalojmë dot, jo. Ka vetëm një rrugë: largimin e tij nga pushteti nëse duam të zhvillojmë zgjedhje, por kjo kërkon t’i njohim gjërat siç janë. Nëse nuk parandalojmë dot farsën, ne duhet ta vërtetonim farsën. E kishim detyrë para zgjedhësit shqiptar ta vërtetonim dhe para komunitetit ndërkombëtar, në një përpjekje më serioze, më të fuqishmen për mundësitë tona, ne realizuam këtë objektiv. Raporti i OSBE-ODIHR konfirmon të gjitha këto që unë shtrova para jush. Jo vetëm kaq por, Edi Rama bëri gjithçka nga kërcënimet banditeske të diplomatëve te lobimet korruptive të mëdha për ta ndryshuar atë raport. Ne bëmë gjithçka që ai raport të plotësohej me çdo dokument dhe mos të ndodhte. E vërteta është që vota u mbrojt dhe ne bëmë detyrën tonë, ne e mbrojtëm votën”, tha Berisha.

Ora 17:39
Sali Berisha para anëtarëve të Këshillit: 11 maji farsë, Rama bleu zgjedhjet me bandat! Nëse mendoni se ka fituar, mashtroni veten

1765989015_saliberisha.jpg

Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar, i mbledhur për herë të parë pas disfatës së 11 majit, Sali Berisha artikuloi edhe njëherë akuzat e vjetra se zgjedhjet ishin farsë dhe u vodhën nga Rama i mbështetur nga bandat. Kush mendon ndryshe, pra se Rama ka fituar zgjedhjet, sipas Berishës mashtron veten ose është i mashtruar.

“Ata që duan të fajësojnë opozitën për farsën bëjnë një gabim të madh, në substancë , me dashje ose pa dashje justifikojnë farsën. Sepse për çdo qytetar, politikan që ka të qartë procesin zgjedhor ai e di se nëse gara zhvillohet mes shtetit elektoral dhe partive politike, ajo nuk është garë po është farsë. Në rast se qeveria në një provës zgjedhor dhuron 65% të zgjedhësve, 100 euro për votë, ajo nuk është zgjedhje, por është farsë. Në rast se qeveria fal 2 ditë para zgjedhjeve 2 mld euro gjoba dhe kamata, nuk është zgjedhje por farsë. Në rast se qeveria licencon në mes të fushatës elektorale mbjelljen e 28 mijë ha kanabis, ajo është farsë dhe njëra prej tyre mjafton për të shkatërruar një proces zgjedhor. Nëse qeveria mobilizon rrogëtarët e paguar si agjent elektoral, me paratë e taksapaguesve, administratën shtetërore, përdor të gjithë logjistikën e saj, përdor të gjitha mjetet e saj, fuqinë ekzekutive, ato nuk janë zgjedhje, por farsë. Në rast se ndonjë njeri mendon se Rama fitoi zgjedhjet, mashtron veten dhe është i mashtruar. Në rast se përdor bandat më të rrezikshme të Europës, si Troplinët, Suel Çelën, Bajrat e Shkodrës, xhabaftët e Vorës dhe u jep atyre listën për 28 deputetë, ata nuk janë zgjedhje por farsë”, tha Berisha.

Ora 17:33
7 muaj pa mbledhur Këshillin Kombëtar pas disfatës së 11 majit, Berisha justifikohet: Po mbronim votën e lirë të shqiptarëve

1765988982_saliberisha.jpg

Kreu i PD Sali Berisha përpara anëtare të Këshillit Kombëtar u justifikua për mororganizimin e një mbledhje që prej zgjedhjeve të 11 majit, duke thënë se shkak është bërë mbrojtja e votës së lirë dhe vërtetimi i farsës elektorale.

“Do ta filloj së pari me një sqarim për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së pas zgjedhjeve të 11 majit. Dua të garantoj çdo demokrat, çdo anëtar të Këshillit, se kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak, mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë.

Jemi njerëz të fjalës, ne mbahemi për fjalën tonë. Dy kanë qenë kryefjalët tona. E para, me Ramën nuk ka zgjedhje, e kam thënë dhjetëra herë. E dyta, ne u thamë shqiptarëve se do të mbrojmë votën. Theksoj se fushata elektorale e vitit 2025 ka qenë fushata me programin më të shkëlqyer elektoral në të gjithë historinë e PD-së.

Ka qenë një fushatë me arkitektin më të aftë të fushatave elektorale, arkitektin e fitores së Trump. Ka qenë fushata në të cilën ne garantuam mbështetjen e plotë nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë”, tha Berisha.

Ora 17:13
Salianji s’i bashkohet mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, takime me demokratët në bazë

1765907097_ervinsalianji.jpg

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ervin Salianji pritet të mos jetë pjesë e mbledhjes. Siç thonë burime për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku, Salianji është në terren duke zhvilluar takime me demokratët.