Rama: Nuk largohem nga zyra
pa ndërtuar rrugën e Arbrit

Rama: Nuk largohem nga zyra<br />pa ndërtuar rrugën e Arbrit
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar dje kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Dibrës, Muharrem Rama, ndërsa ka demostruar edhe një herë unitetin e koalicionit, i përbërë nga PS, LSI dhe PDIU. Kryefjala e fjalimit të shefit të qeverisë ishte Rruga e Arbrit, një premtim ky i artikuluar gjatë fushatës për zgjedhjet e 2013, por që deri më tani rezulton i pambajtur.

Para dibranëve, kryeministri i vendit, ndërsa kërkoi mbështetje për kandidatin e Muharrem Rama, deklaroi se nuk do të largohej nga zyra si kryeministër pa ndërtuar Rrugën e Arbrit. “Për sa i takon rrugës së Arbrit, Rama tjetër tha një fjalë shumë të vërtetë, që në 20 e ca vjet, të gjithë e kemi premtuar dhe nuk e kemi bërë. Unë e kam premtuar, por akoma nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Sigurisht, unë kam barrën që të bëj gjërat që dëshirojnë të gjithë partnerët e koalicionit, – kjo është detyra ime dhe unë nuk ankohem për këtë detyrë, sepse e kam marrë me dëshirë dhe vullnet të madh, – por unë po ju them këtu, që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit, pa bërë Rrugën e Arbrit”, u shpreh Rama.

Negociatat
Kryeministri tha se ka tre vjet që po negociohet me kinezët për Rrugën e Arbrit. “Kjo që thashë lidhet me atë që kemi bërë ne deri tani për rrugën e Arbrit. Nuk kemi ndenjur duarkryq. Kemi negociuar për pothuajse 3 vite rresht me qeverinë kineze, një kontratë të arsyeshme. Një kontratë të arsyeshme, në mënyrë që rruga të bëhet realitet, çka nuk ishte e mundur në fillim të punës sonë. Sepse në vend që të bënim rrugën e Arbrit, në vend që të bënim dhe shumë rrugë të tjera, ne duhet të merreshim me malin e borxheve që na kishin vënë në mes të rrugës sonë të saponisur dhe me rrugët e lëna rrugëve nga ata, të cilët e kanë stërpremtuar Rrugën e Arbrit dhe faktikisht nuk e bënë”, pohoi Rama.

Borxhet
Kryeministri Rama pohoi se qeveria ka shlyer borxhe aq sa do të mjaftonin për të bërë një rrugë tre herë më të gjatë sesa Rruga e Arbrit. “Ne kemi shlyer borxhet dhe kemi shlyer jo pak, por aq borxhe sa do të mjaftonin për të bërë një rrugë tre herë më të gjatë sesa Rruga e Arbrit. Ndërkohë që, nëse ata të cilët sot kanë kurajon të vijnë prapë në Dibër e të thonë na jepni votën për bashkinë, nuk do na kishin lënë gjithë ato borxhe, sot do kishim mbaruar edhe rrugën e Arbrit, edhe aq kilometra sa trefishi i rrugës së Arbrit nëpër Shqipëri. Sidoqoftë, ky nuk është një justifikim, por është vetëm një shpjegim. Unë ju siguroj edhe një herë tjetër, që për Dibrën, kjo shumicë do të mbetet në histori, sepse do bëjë Rrugën e Arbrit”, shtoi Rama.

Kërkesa
Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, i pranishëm në takim, i kërkoi kryeministrit Rama të ndërtonte Rrugën e Arbrit. “Z. Kryeministër, sot, a u lodhe me këtë rrugë apo jo? Ti sot erdhe dhe është gjithë ajo rrugë, po ky popull që e bën përditë këtë rrugë?!”, u shpreh deputeti Aqif Rakipi. Pavarësisht se i përjashtuar nga grupi parlamentar i LSI-së, Përparim Spahiu përdori në fjalën e tij gjithmonë përemrin vetor shumës “Ne”, duke dhënë mbështetjen e ndaj doktor Muharrem Ramës. “Unë them që nuk ka nevojë të prezantohet doktori në Peshkopi, por ne si koalicion në Dibër, që jemi përsëri bashkë për të vazhduar Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, tha deputeti Spahiu. Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, i kritikuar se nuk bëri sa duhej për projektin e Rrugës së Arbrit, foli në këtë takim elektoral duke u shprehur i bindur se rruga do të ndërtohet.
 
 Rama
“Kjo është detyra ime dhe unë nuk ankohem për këtë detyrë, sepse e kam marrë me dëshirë dhe vullnet të madh, – por unë po ju them këtu, që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit, pa bërë Rrugën e Arbrit”.
 
Spahiu
“Unë them që nuk ka nevojë të prezantohet doktori në Peshkopi, por ne si koalicion në Dibër, që jemi përsëri bashkë për të vazhduar Aleancën për Shqipërinë Evropiane”.
 
 
 LUAN RAMA: 'ASHE' FUNKSIONALE, KOALICIONI DO VAZHDOJË

I pranishëm në prezantimin e kandidatit Muharem Rama, ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama. Luan Rama e nisi me batuta fjalën e tij, duke thënë se ndihej i privilegjuar që ishte Rama i parë që fliste për Dibrën. Luan Rama konfirmoi funksionimin e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Deputeti i LSI tha se ky koalicion do të vazhdojë deri në përmbushjen e misionit që është ai i integrimit të Shqipërisë. Deputeti i LSI i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të mbajë premtimin dhe të ndërtojë "Rrugën e Arbrit".
 
"Ndihem i privilegjuar që jam Rama i parë që flas për Dibrën. ASHE është funksionale dhe do të jetë funksionale deri sa të përmushet misioni i integrimit të Shqipërisë në BE. Dimë të reflektojmë dhe të korrigjojmë gabimet në të mirë të Shqipërisë. Këto votime janë një moment reflektimi me shumë përgjegjësi për të zgjedhur me mendje dhe me zemër. Le të votojmë Muharrem Ramën për të fituar Dibrën dhe të nesërmen e saj", deklaroi Luan Rama

NIKOLLA: IKU KOHA KUR MESUESIT KËRCËNOHESHIN PËR VOTËN

Gjatë prezantimit të kandidatit të PS për bashkinë ë Dibrës, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike se po kërcënon për heqje nga puna 300 mësues, për të votuar pro të majtës. Ministrja ka hedhur poshtë akuzat e PD, duke i cilësuar ato si shpifje. Nikolla deklaroi se koha e kërcënimeve ka ikur.

 “Mos t’ju ngatërrojnë me ata që shajnë qeverinë. Pasi këto janë zgjedhjet për kryetar bashkie. Qeveria është këtu për t’ju ndihmuar. Akuzuan doktor Muharemin. U tha se 300 mësues po kërcënohen se do të hiqen nga puna nëse nuk marrin pjesë në fushatë. Ka kaluar një herë e mirë ajo kohë që kur mësuesit përdoreshin për axhenda llogore. Ata janë të lirë të plotësojnë planet e tyre të PD. Nuk kemi ç’ti themi atij njeriu që donte të bëhej kreu i PD dhe s’ja arriti dot me rrugën e tij të përbaltjes.”, tha Nikolla.

Zgjedhjet për bashkinë e Dibrës do të mbahen me 11 shtator. Në garë janë mjeku Muharrem Rama, që kandidon për të majtën dhe Sherefedin Shehu për të djathtën.
 


Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj: Shqipëria, një portë e mirë hyrëse e biznesit italian në Ballkanin Perëndimor

Presidenti Begaj: Shqipëria, një portë e mirë hyrëse e biznesit italian në Ballkanin Perëndimor