TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka postuar sot pasdite në rrjetin social 'Twitter" disa komente drejtuar opozitës së vendit dhe sjelljes së qeverisë së mëparshme lidhur me vjedhjen e energjisë elektrike, pas tryezës së organizuar sot nga Partia Demokratike për energjinë elektrike.
"Një opozitë dritëfikur vajton kohën e ikur të pushtetit të energjisë së vjedhur në kurriz të çdo shqiptari që ka paguar dhe për hajdutët!", shkruan fillimisht Kryeministri Rama.
Më pas ai akuzon opozitën se kur ishte në mazhorancë e kyçi vendin në shpellën e hajdutërisë së energjisë.
"E kyçën Shqipërinë në shpellën e hajdutërisë së energjisë dhe duan t'i qajnë hallin tani që shpella po shembet e qeveria po lufton hajdutët!", shkruan më tej Rama.
Por Kryeministri gjithashtu siguron se nuk do të ketë asnjë kthim pas dhe asnjë lëshim për hajdutët e energjisë elektrike.
"Asnjë kthim pas, asnjë lëshim për hajdutët e dritave, vendi ndriçohet me reforma që çlirojnë energji transformuese, jo me pallavra e gënjeshtra", shkruan Kryeministri Rama./ATSH/