Kryeministri Edi Rama tha se inovacioni i fundit i OSHEE Charger do të nxisë edhe më shumë blerjen e automjeteve elektrike në vend. Në aktivitetin për prezantimin e këtij projekti, kreu i qeverisë tha se OSHEE duhet të futet si “aktor” në këtë treg, për të nxitur rregullimin e tregut.
“Uroj që ky inovacion i fundit i OSHEE dhe fillimit të krijimit të një rrjeti të furnizimit me energji të automjeteve elektrike, të nxisë blerjen e tyre dhe të nxisë rritjen e numrit të tyre në qarkullim pavarësisht se krahasuar me pak vite më parë numri është rritur në mënyrë të ndjeshme, por krahasuar me numrin e përgjithshëm të numrit të automjeteve është ende modest. Besoj se edhe fakti që OSHEE do të ndjekë një politikë ‘agresive’ nxitjeje duke iu dhënë mundësi të gjithë atyre që e karikojnë automjetin e tyrre elektrikë në parkimin e apartamentit apo shtëpisë së tyre që ta blejnë me të njëjtin çmim me atë për konsum shtëpiak, i ulët por që justifikohet me faktin që duke qenë karikim i ngadaltë gjatë orëve të natës është ekonomikisht i përballueshëm nga OSHEE.
Ndërkohë duke u futur në treg si aktor kryesor, OSHEE do të imponojë edhe rregullim të mënjëhershëm të një tregu ku kemi parë në jo pak raste keqkuptime të mëdha që po ngul disa karikues në rrugë dhe iu jap njerëzve energji me një cmim më të lartë. Për këtë arsye, çdo aktor privat që do të hyjë në treg do ta blejë energjinë nga OSHEE me një çmim të mirëpërcaktuar që nuk mund të jetë asesi çmimi i marrjes së drejtëpërdrejtë a thua se po e merr nga parkimi i shtëpisë. Besoj shumë që OSHEE dhe sektori energjitik do të na japë arsye të tjera madhore për të dhënë lajme të mira për publikun dhe të forcojmë bazat e rrugës tonë të Shqipërisë 2030. Vetëm fakti që Shqipëria 2030 do të jetë një vend sovran në aspektin energjitik, i thotë të gjitha të tjerat.”, tha kryeministri.
Lajmi kryesor:
Rama krah Ballukut: Brenda mandatit, shpallim pavarësinë energjitike! Nga 2026, matësa inteligjentë të energjisë! Indeksim me 6.1% të pagave për punonjësit e OSHEE-së












