Kryeministri Rama e ka cilësuar neveri faktin se ish-Kryeministri Sali Berisha nuk e ka votuar dje Rezolutën e miratuar në Kuvend për hedhjen poshtë të raportit të Dick Marty që akuzonte krerët e UÇK për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rama ka thënë se tanimë Berisha nuk është ‘non grata’ vetëm nga SHBA, duke nënkuptuar se është shpallur edhe nga Britania e Madhe. 

“Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si ‘Non Grata’ (tanimë jo vetëm nga SHBA)i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës! FLM të tjerëve!

Një mesazh Rama e kishte edhe për Ilir Metën dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilët sapo kishin përfunduan një konferencë për mediat nga Prishtina. Ai i ka quajtur deklaratat e tyre turbopatriotike dhe që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës dhe të brendshme të të dy vendeve në një kotësi.

“Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike, që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë, Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme”, ka shkruar Rama.

Rezoluta për raportin e Dick Marty-t u miratua në seancën e djeshme plenare u miratua me 125 vota pro. Pavarësisht debateve, opozita ka bashkuar votat me maxhorancën, duke votuar me 125 vota pro projektrezolutën e propozuar nga Partia Socialiste 'Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri'. 

Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova. 

PS u kujdes të evidentojë në Kuvend se 11 vite pas hartimit të raportit të Dick Marty-t, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij në raport, nuk është vërtetuar. Sipas Partisë Socaliste pas 10 vitesh hetime është konstatuar, se raporti i Dick Marty ‘për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë', mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:25
Pse nuk votoi Rezolutën kundër Dick Marty, Berisha: Kisha punë

 

Sali Berisha thotë se nuk e ka votuar Rezolutën kundër raportit të Dick Marty në Kuvendin e Shqipërisë për arsye se kishte punë të tjera. I tha se e kishte thënë që ishte pro Rezolutës.

“Për arsye pune nuk mund të isha por deklarova votën pro në platformën  e Kuvendit. Ishte vendosur që ne si deputetë ta votonim rezolutën dhe këtë e deklarova në parlament. Obligime të tjera nuk më lejuan të isha në parlament kur u votua. Dje, Edi Rama paraqiti në Kuvend një rezolutë, në të cilën dënon me të drejtë, raportin e Dick Marty. Por, siç është bërë publike që nga viti 2011 gjer sot me dhjetëra herë, raporti i Dick Marty, me dokumente, e bazuar kjo që them, është i shkruar në masën 80 përqind nga Vladimir Vukçeviç, prokurori i krimeve të luftës të Serbisë. Këtë e pohon vetë ai.

Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, sepse transplantet e organeve nuk i ka përmendur në Hagë as Millosheviçi, as Stanishiçi dhe as Perishiçi, kjo e bënte, për mua, përveç kontekstit që kurrë nuk ka ndodhur, dëshmonte se ishte fabrikim i shërbimeve serbe, në mënyrë që duke akuzuar për një krim kundër njerëzimit më ekstremin, shkulja dhe shitja e organeve, atëherë me këtë akuzë stepeshin të tjerët dhe shtronin çështjen e hetimit të problemit.

Pra, gjithçka ishte e gatuar në Beograd. Sikundër aty është hartuar akuza kryesore se udhëheqësit e UÇK-së kanë drejtuar një organizatë kriminale. Ata kanë udhëhequr një luftë çlirimtare, si të gjitha ushtritë çlirimtare”, tha Berisha.