Rama për DW: Liderët e mafias
nuk janë tek ne, por në Europë 

Rama për DW: Liderët e mafias<br />nuk janë tek ne, por në Europë 
Në emisionin televiziv “Conflict Zone” të DW kryeministri shqiptar Edi Rama në bisedë me Tim Sebastian flet për sistemin e korruptuar të drejtësisë në vend, ëndrrën për Europën, si dhe fantazmat e së shkuarës në Ballkan.

Gazetari britanik që punon për Deutsche Welle-n dhe drejton emisionin e ri televiziv “Conflict Zone”, Tim Sebastian e ftoi kryeministrin Edi Rama në një intervistë me tone replikuese, ku preken temat më të nxehta aktualisht në Shqipëri, si lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës, lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, por edhe më gjerë, bashkëpunimi në Ballkan dhe rrezikun e rikthimit të fantazmave të së shkuarës në rajon.

Jam absolutisht i bindur se Europa ka nevojë për Ballkanin sot, ashtu si edhe Ballkani ka nevojë për Europën” shprehet kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama në intervistë me Deutsche Wellen, duke theksuar se gjithnjë e më shumë njerëz në Ballkan kanë një lloj lodhjeje me durimin e vazhdueshëm, prandaj nevojitet të lëvizim më shpejt dhe përpara.

"Ballkani është Europë"
Dua të them se Ballkani është Europë dhe nëse Ballkani sot është një histori e suksesshme e paqes dhe e bashkëpunimit në botën tonë, ka një arsye për këtë, dhe arsyeja është, sepse ne të gjithë duam të jemi pjesë e Europës, dhe nëse paqja erdhi mes shqiptarëve dhe nëse për herë të parë, unë vizitova Beogradin pas 68 vjetësh si kryeministër shqiptar, dhe kryeministri Vučić erdhi në Tiranë, si kryeministri i parë serb që shkeli në Shqipëri, kjo tregon diҫka, sigurisht i tregon botës sonë, por tregon para së gjithash aspiratën e njerëzve tanë për të qenë pjesë e Europës…

Kërcënim ndaj Europës me fantazmat e së shkuarës në Ballkan?
Një pikë e nxehtë e intervistës është debati i zhvilluar pas pyetjes së gazetarit të Deutsche Welles mbi fantazmat e së shkuarës në Ballkan, të cilin gazetari e cilëson si një kërcënim të Ramës për Europën nëse ajo nuk shpejton me integrimin.

Tim Sebastian: Dhe përveҫ këtyre të gjithave, është kërcënimi që ju bëtë në maj, kur i thatë gazetës turke, Hyriet: „Për sa kohë që ëndrra jonë europiane është gjallë, Ballkani nuk do të ketë shqetësime, por nëse kjo ëndërr zhbëhet, do të kemi shqetësime.“ Me fjalë të tjera: Na jepni atë që duam, ose ne do t'iu shkaktojmë probleme.“
Edi Rama: Jo, kjo nuk është kështu
Tim Sebastian: Ky është kërcënim, pse nuk është kështu?
Edi Rama: Nuk është kërcënim.
Tim Sebastian: Tingëlloi shumë si i tillë.
Edi Rama: "Tingëlloi i gabuar atëherë, por nuk është kërcënim. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, ne vijmë nga një histori e gjatë e gjakderdhjes, konflikteve e kështu me radhë. Kështu fantazma është e shkuara përreth nesh e ose gjenerata jonë do të bëjë gjënë e duhur dhe do të bashkohemi të gjithë në Europë, dhe kjo merr fund, ose do të jetë fantazma e së shkuarës ajo që do të marrë gjendjen në dorë. Kjo është shumë e thjeshtë.“…“Jam duke e përsëritur se Europa duhet të jetë strategjike në lidhje me Ballkanin, nuk është „business as usual“, është një hapësirë, që ju e dini shumë mirë, se ka qenë problem i madh me shekuj për njerëzit që jetonin në këtë hapësirë, por edhe për kontinentin. Tani është një hapësirë që ndodhet në një moment të ri fantastik të paqes dhe bashkëpunimit, por kjo paqe është shumë e madhe për supet tona.“
 
Sistemi i drejtësisë si industri përfitimi
Një nga frontet më të vështira të reformave në Shqipëri është ajo e sistemit të drejtësisë. Në "Conflict Zone“, kryeministri Rama deklaron se "ne nuk kemi vetëm gjykatës të korruptuar, ne kemi një drejtësi të tërë të korruptuar, që punon si korporatë, si një industri përfitimi.

Dhe ne jemi duke e ndryshuar këtë, duke filluar me reformën që do të kalojë këtë vjeshtë.“…“Drejtësia është ҫështja jonë ende e hapur. Dhe unë ua kam thënë gjithmonë bashkëqytetarëve të mi: Nëse ne nuk jemi në gjendje të kemi një drejtësi dinjitoze për vendin, nuk do të jemi kurrë në gjendje të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian.“
 
Në intervistë për „Conflict Zone“, gazetari i Deutsche Welles prek edhe temën e krimit të organizuar dhe luftën kundër plantacioneve të drogës në Shqipëri, duke marrë përgjigjen nga kryeministri Edi Rama, se janë duke u fshirë nga sipërfaqja plantancionet me kanabis, gjë që solli edhe vlerësime nga Bashkimi Europian. Por gazetari i Deutsche Welles këmbëngul:
 
Tim Sebastian: Ok, po sa liderë të mafias keni marrë nga rruga. Sa liderë të mafias?
 Edi Rama: Liderë të mafias?
 Tim Sebastian: Po, dua të them se sa keni burgosur?
 Edi Rama: Ne nuk kemi liderë të mafias në Shqipëri, liderët e mafias janë në Europë.
 Tim Sebastian: Oh vërtet?
 Edi Rama: Natyrisht.
 Tim Sebastian: Pra ju nuk keni krim të organizuar? Kështu kur departamenti i shtetit thotë: Shqipëria është një burim dhe vend destinacion për trafikimin, ju nuk keni kriminelë?
 Edi Rama: Jo, jo jo, ju folët për liderë të mafias. Liderët e mafias janë në anën tjetër të Adriatikut. Ne kemi krimin e organizuar të lidhur me të dhe të mos flasim më për mafian kombëtare. Nuk ka mafie kombëtare. Nuk ka person të krimit të organizuar që kapet që të mos ketë, tre, katër ose pesë kode në telefonin e tij celular. Kështu ka një ndër-lidhje./ Marre nga Deutsche Wellen/

Intervista e plote

Këtë javë, Zona e konfliktit është në Vjenë ku pamë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mezi pret të ecë përpara me procesin e anëtarësimit të plotë në BE duke paralajmëruar për pasoja të tmerrshme nëse ëndrra e tij europiane nuk përmbushet. Po a po kërkon ai të marrë paratë e Europës?

 
Edi Rama mirëserdhë në Conclift Zone. Faleminderit që jeni pjesë e këtij programi.
 Rama: Faleminderit për ftesën
                                                 
Shqipëria është vend kandidat për në BE dhe ju shpresoni për anëtarësim të plotë më vonë. Por po tregoni shumë padurim lidhur me këtë. Dhe pyes pse? Ju keni deklaruar kur shkuat në Vjenë se nuk doni më mundësi të dyerve të hapura por se doni të shihni rezultate konkrete. Pse po e shtyni këtë process? BE po bën punën e saj, ju keni kritere si çdo vend tjetër. Pse po ushtroni presion?
Rama: Jo nuk ka të bëjë me evitimin e kritereve, por ka të bëjë me ndryshimin në detyrat tona, kriteret që duhen përmbushur dhe procesit të Berlinit, që është proces bashkëpunimi rajonal. Pra nëse flasim për këtë bashkëpunim, infrastrukturën dhe tregun rajonal, natyrisht që duhet të kemi një strategji të përbashkët dhe jo vetëm mes nesh por edhe me Europën.
 
Po, por kjo ka të bëjë aq sa me ju edhe me Europën, atëherë pse kaq shumë presion? Pse thjesht nuk prisni radhën tuaj?
Rama: Sepse më duhet tju them shumë sinqerisht se nëse në Europë ka njerëz që flasin për “lodhje me zgjerimin”
 
Po kancelarja Merkel nuk ka folur për lodhje me zgjerimin apo jo?
Rama: Jo po them që nëse në Europë flitet për këtë, në Ballkan ka më shumë njerëz që kanë “lodhje me durimin” . Ndaj duhet të ecim shpejt dhe të ecim përpara sepse jam absolutisht i bindur që Europa ka nevojë për Ballkanin sot, aq sa Ballkani ka nevojë për Europën.
 
Do tju pyes për këtë pastaj, por në 29 maj ju ishit duke qëndruar përkrah kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç kur thatë: Jemi të ngopur me seminare, tani na duhen para nga Bashkimi Europian. Dhe pastaj do të na shihni të buzëqeshur dhe ishit dakord me të. Sikur Europa nuk ka ndonjë punë tjetër për të bërë, por tju japë juve para që tju shohë të buzëqeshur.
Rama: Kjo është shumë e reduktuar si deklaratë nga ana juaj, sepse së pari flasim për një strategji të përbashkët, sepse më duhet ta përsëris, Ballkani është Europë dhe nëse Ballkani është e vetmja histori suksesi e paqes dhe bashkëpunimit në botën tonë, ka një arsye për këtë. Dhe arsyeja është se të gjithë ne duam që të jemi pjesë e Europës. Dhe nëse ndodh paqja mes serbëve dhe shqiptarëve, dhe nëse unë vizitova Beogradin për herë të parë pas 68 vitesh si kryeministër i Shqipërisë dhe Vuçiç erdhi në Tiranë si i pari kryeministër serb që ka vizituar ndonjëherë vendin tonë, kjo tregon diçka. Natyrisht tregon vullnetin tonë, por mbi të gjitha tregon aspiratat e popullit tonë.
 
Po, por edhe Europa ka treguar plot vullnet të mirë karshi jush, shihni shumën e parave që ju janë ofruar. Keni patur alokime fondesh prej 649,4 milion euro për periudhën 2014-2020. Ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka aktualisht 69 projekte në Shqipëri duke ju ofruar 917 milion euro investime. Ndërsa ju po shtyni derën duke thënë:kjo nuk na mjafton, duam më shumë.
Rama: Shifrat janë gjithmonë një temë debati. 
 
Po këto janë shifrat e publikuara dhe mesa di Gjermania ju ka dhënë 106 milion euro të tjera vetëm këtë verë për sektorin e energjisë elektrike.
Rama: E di, por po jua përsëris, shifrat mund të keqorientojnë. Dhe këtu nuk po flasim për para për interesin apo buxhetin tonë kombëtar, por po flasim për më shumë para për infrastrukturën tonë rajonale, dhe projektet tona të përbashkëta sepse asnjë prej vendeve tona nuk mund ta përballojë që të paguajë me paratë e veta këto projekte.
 
Po askush nuk pret që ju ta bënë këtë gjë.
Rama:Ju duhet ta dini që ne nuk kemi më hapësirë fiskale, nuk mund të japim garanci sovrane ndaj na duhet të punojmë sëbashku për këtë. Më lejoni tju jap një shembull.
 
Por këto shifra funksionojnë sëbashku. Ky është investimi që ju nevojitet që të kryeni reformat të cilat Europa ju ka kërkuar të bëni për tu bërë anëtarë të BE-së.
Rama: Dhe ne po i kryejmë reformat që Europa na ka kërkuar me shumë vullnet dhe shpejtësi. Por do të duhet kohë. Dhe po jua përsëris, ne nuk po përpiqemi të zëvendësojmë detyrat tona të shtëpisë dhe procesin e integrimit europian të çdo vendi me këtë. Por po themi që procesi i bashkëpunimit rajonal duhet të funksionojë, por që të funksionojë duhet të financohet.
 
Dhe ajo që varet mbi gjithë këto, është kërcënimi që ju bëtë në maj të këtij viti kur deklaruat për gazetën turke Hurryet: "Për sa kohë ëndrra jonë europiane është e gjallë, Ballkani nuk do të ketë probleme, por nëse kjo ëndërr do të venitet, problemet do të vijnë". Pra me pak fjalë ju thatë : Na jepni atë që duam ose do të shkaktojmë probleme. Është një kërcënim apo jo?
Rama: Jo nuk është kështu. Nuk është një kërcënim.
 
Por ama tingëllon si një kërcënim.
Rama: Ka tingëlluar gabim. Nuk është aspak kërcënim, por e vërteta e thjeshtë sepse në dolëm nga një histori e gjatë gjakderdhje, luftëra e konflikte në Ballkan. Pra fantazmat e së kaluarës janë përreth. Ose gjenerata jonë do tja dalë mbanë në rrugën e duhur dhe kjo do të marrë fund pasi të jemi unifikuar me Europën, ose fantazmat e së kaluarës do të rishfaqen. Pra është shumë e thjeshtë.
 
Pra sipas jush i takon Europës tani që tu bëhet arbitër për problemet tuaja, urrejtjet e së kaluarës? Pra po e lini të gjithë përgjegjësinë në dyert e Europës?
Rama: Nuk po them aspak këtë, por po e përsëris që Europa duhet të jetë strategjike me Ballkanin. Kjo nuk është një punë e zakonshme. Bëhet fjalë për një rajon, që ju e njihni shumë mirë, që ka qënë një problem i madh për popujt që jetojnë aty por edhe për vetë kontinentin për shekuj me radhë. Tani është një rajon që ndodhet në një moment të ri fantastik paqeje dhe bashkëpunimi. Por kjo paqe është shumë e madhe për shpatullat tona. Kjo paqe duhet ushqyer me një përpjekje të përbashkët dhe natyrisht edhe me financime.
 
E kuptoj përpjekjen e përbashkët por le të flasim pak për këtë momentin fantastik që ju thoni. Sepse në prill ju përsëritët një kërcënim për tu bashkuar me Kosovën me apo pa Bashkimin Europian.
Rama: Jo këto nuk janë kërcënime dhe nuk është e saktë. Unë kam thënë që ne duam të bashkohemi me Europën dhe të jemi sëbashku në Bashkimin Europian dhe që Europa duhet të tregohet strategjike për këtë. Përndryshe forcat e së kaluarës mund tja dalin në një mënyrë tjetër.
 
Po ajo që keni deklaruar në 6 prill për një televizion në Kosovë: "Çështja është se si do të ndodhë ky bashkim. Në kontekstin e BE-së si një proces i natyrshëm dhe i kuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një reagim i verbërisë apo përtacisë së unionit". Pra ju po e akuzoni Bashkimin Europian për verbëri dhe përtaci?
Rama: Unë nuk po akuzoj, thjesht për them atë që është mëse e dukshme.
 
Por Bashkimi Europian nuk e pëlqeu aspak atë deklaratë dhe ju akuzoi për provokime të papranueshme. Edhe serbët nuk e pëlqyen.
Rama: Po prandaj duam të jemi në BE, nuk ka pse të pëlqejmë gjithçka që thonë të tjerët, ose në të kundërt kishim komunizmin që na duhej të pëlqenim gjithçka thuhej e nuk duhej të kundërshtonim asgjë.
 
Pra ju e ngritët këtë qëllimisht, ju e dinit saktësisht se cilët butona duhen shtypur me serbët apo jo? Buzëqeshja juaj tregon gjithçka. Pra ju thjesht duhet të përmendnit bashkimin me Kosovën dhe ata do tju akuzonin se po i bini daulleve të luftës, çka është saktësisht ajo çka ata bënë. Ju e dinit këtë.
Rama: Por ata u gabuan. Unë nuk i rashë asnjë daulleje, por thjesht thashë atë që është e dukshme. Ne nuk kemi arritur të heqim qafe fantazmat e së kaluarës dhe kushdo që mendon se Ballkani tani është një herë e përgjithmonë në paqe dhe e merr këtë si të mirëqenë, gabohet.
 
Po por ajo që po them është se juve ju pëlqen ti nxirrni këto fantazma kur e ndjeni se kjo gjë do ti bëjë presion Europës për tju dhënë atë që doni.
Rama: Jo unë dua thjesht të sigurohem që ju të mos harroni që fantazmat janë përreth dhe ne duhet të punojmë të gjithë sëbashku që të garantojmë që to të mos dalin më në skenë. Sepse po dolën në skenë, do të ketë probleme jo vetëm për ne por edhe për ju.
 
Ok, pra shpjegohuni. Cilat janë këto probleme? Po flisni për tju rikthyer sërish luftës? Cilat janë këto probleme nëse ju nuk merrni ëndrrën tuaj europiane?
Rama: Jo po flas për të gjithë gjërat e tmerrshme që nacionalizmat dhe urrejtja sjellin me vete dhe ju i dini shumë mirë.
 
Po na e thoni pra, çfarë? Për çfarë flisni? Se ju pyeta nëse bëhet fjalë për luftë dhe ju thatë jo.
Rama: Jo, jo. Po them që gjithë e keqja mund të ndodhë. Ndaj kjo është arsyeja pse duhet ta çojmë përpara këtë proces paqeje, bashkëpunimi, ndërveprimi. Por nuk mund ta bëjmë vetëm, na duhet ta bëjmë me Europën. Sepse është proces europian dhe jo proces i çdo vendi.
 
Pra duke e ndarë argumentin tuaj në pjesë përbërëse është si të thuash: Nëse nuk marrim atë që duam, nëse nuk kemi ëndrrën tonë europiane, do të shkojmë në luftë.
Rama: Jo, nuk thashë këtë.
 
Po thoni pikërisht këtë.
Rama: Jo, jo, jo. Po them që nëse Europa nuk e kupton që nuk mund ti trajtojë vendet e Ballkanit si punë e zakonshme, ne rrezikojmë të pushtohemi sërish nga fantazmat e së kaluarës.
 
Ok, le të themi që arrini anëtarësimin në BE, dhe vendet e tjera bëhen gjithashtu anëtare. Dhe ja ku jeni të ulur të gjithë në Bruksel dhe i thoni vetes: Këto vendet e tjera anëtarë nga Ballkani po përfitojnë më shumë se ne, pra nisni mosmarrëveshjet brenda Europës sërish, e do të filloni të ziheni, pra do ta shkatërroni të gjithë projektin apo jo?
Rama: Ju mund të bëni më mirë se kaq.
 
A mundet ju që të bëni më mirë se kaq? Kjo është pyetja.
Rama: Ne nuk mund të spekullojmë tani se çfarë do të ndodhë kur të ulemi në BE bashkë me fqinjët tanë. Sot ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi që të punojmë me fqinjët tanë dhe të bëjmë të mundur që ëndrrat e të rinjve të bëhen realitet. Dhe më në fund duhet që Ballkani të bëhet pjesë e BE-së. Ne po punojmë për këtë dhe po shohim përfitimet e kësaj pune.
 
Po përsa i përket Europës, ajo që ju po bëni është që ti lini punën e arbitrit mes jush Brukselit. Po pse duhet të shqetësohet Brukseli me këtë punë?
Rama: Unë nuk mendoj së pari që Europa ka këtë mendim, ka mbase njerëz në Europë që e mendojnë kështu. Së dyti, për çfarë është Brukseli atëherë?
 
Nuk është për të menaxhuar mosmarrëveshjet tuaja.
Rama: Ne i kemi kapërcyer mosmarrëveshjet tona. Ne tani jemi sëbashku në të njëjtën linjë me të njëjtin zë duke thënë: Jemi gati për këtë proces.
 
Pra urrejtja nuk është më, apo jo? Por pak më parë that që fantazmat nuk kanë ikur dhe mezi presin të ringrihen sërish.
Rama: Fantazmat nuk kanë ikur. Ato nuk janë sot në skenë, sepse skena sot, falë gjithë këtij vullneti, është zënë nga njerëz që duan paqe dhe të bashkëpunojnë me njëri tjetrin.
 
Bashkimi Europian ju ka kërkuar progres në disa fronte, reforma dhe fusha që vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim të madh, të paktën siç thuhet në raport-progresin e fundit të Komisionit Europian. Krimi i organizuar, ku thuhet se Shqipëria ende nuk ka një qasje strategjike dhe gjithëpërfshirëse ndaj krimit të organizuar. Pse dreqin ju mungon një qasje e tillë pas gjithë kësaj kohe?
Rama: Raporti është i tetorit të vitit të kaluar, e vërtetë. Por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se pikërisht sepse kemi luftuar fort ndaj krimit të organizuar dhe me fakte, arritëm që të marrim statusin e vendit kandidat. Jam shumë i lumtur tju informoj që, prej janarit deri më tani, ne kemi shkallën më të ulët të kriminalitetit në 25 vitet e fundit.
 
Por kjo nuk tregon shumë apo jo?
Rama: Jo në fakt thotë shumë. Nuk i
 
Po kjo nuk do të thotë ndonjë gjë sepse kriminaliteti juaj ka qënë i stërmadh dhe vijon të jetë i tillë në krahasim me shtetet e tjera.
Rama: Nuk jam aq i sigurt, sepse shifrat nuk tregojnë këtë gjë dhe juve ju pëlqejnë shifrat.
 
Do të vijmë edhe të shifrat pas pak. Tani sa i përket të drejtave të grave. Numri i rasteve të raportuara të dhunës brenda familjes dhe kundër grave është rritur, sipas raportit të vitit të kaluar. Pse ka ndodhur kjo?
Rama: Po në fakt, kemi një problem me dhunën brenda familjes dhe po e luftojmë këtë problem. Por jam shumë i kënaqur tju them që në zgjedhjet e fundit lokale arritëm diçka që në bën kampionë në luftën për të drejtat e grave dhe përfaqësimin e tyre në Europë: 50 % e çdo këshilli bashkiak sot në Shqipëri përbëhet nga gra. Dhe kjo është një arritje e madhe. Natyrisht që ka ende shumë punë për të bërë.
 
Po pse ka patur rritje të dhunës kundër grave?
Rama: Na duhet të luftojmë kundër kësaj. Është një fenomen që nuk ka lindur vitet e fundit por ka të bëjë me të kaluarën shumë patriarkale dhe të dhimbshme të cilin ne po e luftojmë.
 
Dakord, ndërkohë një reformë e thellë në gjyqësor kërkohet me urgjencë siç thotë BE.
Rama: Në vjeshtë do ta miratojmë këtë reformë falë një pune tërësore që kemi bërë bashkë me misionet europiane, me Komisionin e Venecias, me misionin amerikan të ekspertëve. Pra reforma do të jetë shumë radikale dhe do të jetë baza e ndryshimit të sistemit gjyqësor sepse bie dakord me ju, që kemi një luftë të madhe në këtë drejtim dhe gjyqësori është çështja jonë e hapur. U kam thënë gjithmonë bashkëqytetarëve të mi që nëse nuk do të mund të kemi një gjyqësor të denjë për vendin tonë, nuk do të mund të jemi pjesë e Bashkimit Europian.
 
Por keni ende një rrugë të gjatë për të bërë?
Rama: Absolutisht po.
 
Tani sa i përket krimit, Shqipëria është një vend burim dhe destinacion për trafikimin e qënieve njerëzore.
Rama: Në këtë fushë kemi bërë një përmirësim të madh sepse kemi dalë jashtë listës së zezë, natyrisht që ka shumë për të bërë, por kemi bërë një kapërcim të madh.
 
Çfarë doni të thoni me këtë që jeni jashtë listës së zezë?
Rama: Më parë ne ishim një vend origjine dhe renditeshim mes vendeve që bëjnë pjesë në listën e zezë.
 
Një raport i Europol-it i vitit 2013 flet për për rrezikun e trafikimit të armëve dhe grupeve të krimit të organizuar në rajonin tuaj, duke përfshirë faktin që shqiptarët dominojnë trafikun e heroinës.
Rama: 2013-ta është një epokë larg me thënë të drejtën sepse ndryshimet kanë qënë të shpejta.
 
Pra po thoni që grupet tuaja kriminale po merren me rritjen e deleve që prej atij viti apo jo?
Rama: Jo, por kemi arritur të zhdukim parajsën e turpit në Lazarat ku ndodheshin plantacionet e mëdha të drogës.
 
Dakord, po sa lider të mafies keni zhdukur nga rruga? Pra sa keni burgosur?
Rama:  Liderë të mafias? Ne nuk kemi lider mafioz në Shqipëri, liderët e mafias janë në Europë.
 
Me të vërtetë? Pra ju nuk keni krim të organizuar? Pra po thoni që ju nuk keni më kriminelë?
Rama: Jo, jo, jo. Ju folët për liderët e mafias. Ata janë në anën tjetër të Adriatikut. Ne kemi krim të organizuar, që është i lidhur me mafian. Por le të mos flasim më për mafian kombëtare, sepse s'ka më një të tillë. Nuk ka asnjë person që është i përfshirë në krim të organizuar i cili nuk ka të paktën 3-4 kode të ndryshme në celular. Pra është e ndërlidhur.
 
Dakord, po sa gjykatës keni pushuar? Një mesa shoh unë.
Rama: Zoti na ruajtë, nëse qeveria do të pushonte gjykatësit nga puna, do të ishte në telashe. Nuk i takon qeverisë ta bëjë këtë. Ndaj dhe po bëjmë reformën.
 
Por ju e dini që keni gjykatës të korruptuar apo jo?
Rama: Jo nuk kemi gjykatës të korruptuar por kemi një gjyqësor tërësisht të korruptuar që punon si një korporatë dhe si një industri fitimprurëse. Ne po e shkatërrojmë këtë industri duke nisur që nga kjo reformë që do të miratojmë në vjeshtë.
 
Më lejoni tju pyes për disa akuza që janë bërë karshi jush. Në 12 gusht, lideri i opozitës Lulzim Basha ju akuzoi publikisht se keni bërë marrëveshje me krimin e organizuar duke thënë se qeveria juaj është e lidhur thellë me krimin. Nuk keni thënë asgjë për këto akuza?
Rama: Jetojmë në një civilizim që prej kohësh ka një princip: I takon akuzuesit që të provojë akuzat që bën, dhe jo të akuzuarit që të vërtetojë se nuk është fajtor. Nëse do ti përgjigjesha gjithë kohës akuzave, nuk do të kisha kohë që të bëja asgjë tjetër, madje as të haja.
 
Po pse atëherë Gjykata e Lartë ka urdhëruar prokurorinë që të hetojë lidhur me akuzat se keni dhënë lejë të jashtëligjshme ndërtimi ndaj disa kompanive kur ishit kryetar bashkie?
Rama: Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është thjesht procedurë, është proceduriale por jo e vërtetë. Në kuptimin që është një procedurë që duhet respektuar dhe kaq.
 
Nëse nuk janë të vërteta, pse nuk i padisni këta njerëz që kanë bërë akuzat? pra nëse jeni i pafajshëm?
Rama: E kam bërë.
 
Pse nuk e padisni Bashën për deklaratën e fundit të 12 gushtit?
Rama: Nëse do të padisja të gjithë për çdo akuzë të bërë, do të më duhet të rrija përpara derës së Gjykatës së Lartë çdo mëngjes. Por e kam provuar edhe rrugën e padisë penale thjesht për ti dhënë një shembull njerëzve dhe unë fitova një herë e mirë sepse ata nuk arritën të vërtetojnë asgjë nga ato që kishin deklaruar. Dhe në fund ata thanë diçka fantastike: "Politika nuk ka të bëjë me dhënie provash". Pra këto janë thjesht opinione për të cilat nuk më bëhet vonë.
 
Ju keni krijuar koalicion me Ilir Metën, për të cilin keni thënë dy vjet përpara krijimit të qeverisë, pra në 2011-ën se ai është shembulli ilustrues i gjithçkaje të kalbur në Shqipëri.
Rama: Po e kam thënë.
 
Pra ju ishit aq i dëshpëruar për pushtet saqë pranuat të hyni në shtrat, politikisht, me një njeri që ju e përçmonit. Pse?
Rama:Unë besoj fort se nuk ka të bëjë me një burrë, me njerëzit, por ka të bëjë me sistemin.
 
Po por ju nuk sulmuat sistemin, ju sulmuat këtë burrë.
Rama: Unë nuk isha i dëshpëruar për pushtet por isha i dëshpëruar që ta shihja Shqipërinë të ecte përpara dhe që të bëj gjithçka mundem për ta realizuar këtë. Dhe po e bëj këtë bashkë me të tjerët dhe jam shumë i lumtur kur e shoh këtë gjë.
 
Pra nuk keni ndryshuar mendje për faktin se sa i kalbur është ky njeri?
Rama: Edhe një herë, nuk ka të bëjë me këtë njeri.
 
Po ju folët për atë njeri dhe kështu u shprehët në 2011-ën.
Rama: Po në 2011-ën e thashë, ndërsa tani po ju them juve që kemi një koalicion i cili funksionon shumë mirë dhe po bëjmë një punë jashtëzakonisht të mirë sëbashku.
 
Sa njerëz të kalbur keni sot brenda koalicionit tuaj qeverisës?
Rama: Ne nuk kemi njerëz të kalbur brenda koalicionit qeverisës.
 
Me përjashtim të njeriut që ju e cilësuat të tillë në 2011-ën.
Rama: Po e kam bërë, dhe nuk po e mohoj. Por ka diçka fare të thjeshtë në politikë e cila funksionon përmes zgjedhjeve, shifrave, programeve dhe axhendës së përbashkët. Kështuqë përsa kohë gjithë këto të jenë në rregull, gjërat mund të ecin përpara.
 
Dhe blerja e votës ende vazhdon në zgjedhjet tuaja? Transparency International deklaroi në 2013-ën se të gjitha partitë blenë vota veçanërisht në fshatra dhe rrethina. Nuk është kështu? Njerëzit që paguheshin 35 euro për një votë?
Rama: Nëse do tju thosha që nuk ka asnjë votë të blerë në Shqipëri, do tju gënjeja, por në të njëjtën kohë do tju thosha me vërtetësinë më të madhe se gjithë këto shifra apo mënyra të përgjithshme të të foluri, nuk thonë të vërtetën por veç dëmtojnë.
 
Po, por kjo ende ndodh apo jo? Ambasadori amerikan tha përpara zgjedhjeve lokale, që ka kandidatë me rekorde kriminale.
Rama: Po pati kandidatë me rekorde kriminale që u nxorrën nga gara, por pati edhe kandidatë që me pa të drejtë u konsideruan kriminelë pa patur asnjë proces që ti shpallte ata si të tillë. Pra ne jetojmë në një shoqëri dhe një sistem ku pushtetet janë të ndara dhe ku askush nuk të drejtë të akuzojë dikë se është kriminel. I takon vetëm prokurorisë dhe gjyqësorit ta thotë këtë.
 
Dakord. Edi Rama, duke patur parasysh gjithë problemet dhe çështjet që diskutuam, nevojën urgjente për reforma, unë e kuptoj se çfarë ju fitoni duke ju bashkuar Europës. Po Europa çfarë fiton me gjithë këto probleme që keni? me gjithë fantazmat tuaja?
Rama: Nuk funksionon në këtë mënyrë. Europa do të ketë vetëm përfitime duke marrë Ballkanin brenda unionit.
 
Më thoni vetëm një përfitim
Rama: Sepse Ballkani nuk është diku atje larg, por në mes të Europës. Ndaj nuk ka logjikë që Europa ta lërë këtë rajon në zemër të saj, jashtë mënyrës së vet të funksionimit. Se çfarë do të ndodh nëse ëndrra e sotme do të zëvendësohet nga një makth? Do të jetë një makth europian, jo thjeshtë shqiptare apo serbe apo ballkanike.
 
Edi Rama, faleminderit që ishit në Zonën e Konfliktit.
Rama: Faleminderit, ishte një nder.
 
Redaksia online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Mandarinat me pesticide, Ministria e Bujqësisë: Kemi bërë kallëzim penal për grumbulluesit! Gjobë e bllokim aktiviteti për shkelësit

Mandarinat me pesticide, Ministria e Bujqësisë: Kemi bërë kallëzim penal për grumbulluesit! Gjobë e bllokim aktiviteti për shkelësit