Rama përshëndet marrëveshjen
PDK-LDK: S'ishte vendim i lehtë

Rama përshëndet marrëveshjen<br />PDK-LDK: S'ishte vendim i lehtë
TIRANE - Kryeministri Edi Rama përshëndeti këtë të premte marrëveshjen e arritur në Kosovë mes PDK-së së Hashim Thaçit dhe LDK-së së Isa Mustafës, dhe hapjen e rrugës për krijimin e institucioneve pas një krize politike disamujore.

Në një konferencë nga kryeministria, Rama tha se është për tu vlerësuar kthimi i partive politike në realitetin demokratik të vendit. Ai u kujdes të sqarojë se ky nuk ka qenë një vendim i lehtë, dhe këtë fakt sipas tij e tregon vetë koha e gjatë që u desh për marrëveshjen që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme në verë. Fjala e kryeministrit Rama për koalicionin qeverisës PDK-LDK në Kosovë

“Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur të merren vesh, jo për çfarë kanë dëshiruar para zgjedhjeve, por për çfarë imponon vullneti i popullit të Kosovës. Kjo është për t’u përshëndetur si kthim i partive politike në realitetin demokratik të vendit dhe vendosjen e tyre në dispozicion të një zgjidhjeje kushtetuese, e cila u rikthen frymëmarrjen e legjitimitetit popullor institucioneve të Kosovës, si dhe u jep një shenjë kuptimplotë të vullnetit të mirë qytetarëve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare, jetës ekonomike dhe sociale të shtetit tjetër të shqiptarëve. Sigurisht, dhe e përsëris, ky nuk ka qenë as vendimi më i dëshiruar dhe as vendimi më i lehtë për të dyja partitë e mëdha të Kosovës dhe për lidershipin e tyre. Sesa i vështirë ka qenë ky vendim e tregon koha e gjatë që ka kaluar, që nga përfundimi i zgjedhjeve. Dhe, koha do të flasë për rezultatet që një zgjidhje të tillë, sa e dhimbshme, po aq edhe e guximshme politikisht, do të sjellë për Kosovën, për ekonominë, për shoqërinë, por padyshim, edhe për dialogun me Serbinë. Këto t’ia lëmë kohës, por sot, kjo është një zgjidhje e përgëzueshme, që meriton mbështetje dhe inkurajim më të plotë; duke mbështetur dhe inkurajuar njëkohësisht të gjithë faktorët opozitarë të Kosovës për të vigjiluar me rigorozitet mbi koalicionin e madh”, tha Rama. 

Nga ana tjetër në fokus të deklaratës së tij, Rama vendosi edhe opozitën e Kosovës, duke shprehur mbështetje e njëkohësisht inkurajim për të vigjiluar qeverinë e re.

Rama tha se sfida dhe vendimarrjet që do të përnballen institucionet e reja janë të vështira. Duke e cilësuar një zgjidhje te vështirë, por pro vullnetit të qytetarëve, kreu i qeverisë tha Shqipëria do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës për të vijuar projektet e përbashkëta.

“Koha e re e rajonit kërkon nga Kosova marrjen e një roli edhe më aktiv për forcimin e paqes, dialogut dhe bashkëpunimit rajonal; ndërtimin e një shembulli edhe më të besueshëm qeverisjeje transparente, demokratike dhe gjithëpërfshirëse; zhvillimin edhe më të fuqishëm të marrëdhënies strategjike me Shqipërinë; si dhe garantimin në vazhdimësi te mbështetjes së palëkundur të betejës së botës demokratike kundër ekstremizmit islamik dhe influencave të tjera të dëmshme për rajonin tonë. Pikërisht, prandaj, Kosovës do t’i nevojitet në muajt dhe vitet në vijim, nga njëra anë një shumicë e re, e fortë dhe e aftë për të përballuar sfidat dhe marrë vendimet e duhura, sado të vështira qofshin, por nga ana tjetër një opozitë që imponohet me forcën e argumenteve dhe me sensin e dialogut dhe mirëkuptimit kombëtar, përballë sfidave kaq themelore të shtetit të ri të Kosovës”, përfundoi Rama.

Vetëvendosja, Nisma, dhe AAK-ja e Haradinajt, ishte pjesë e koalicionit të formuar pas zgjedhjeve pagëzuar me emrin VLAN, por që u shpërbë pas marrëveshjes së dy ditëve më parë (19 Nëntor) me ikjen e Isa Mustafës në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Video/ Deklarata e  plote e kryeministrit Rama

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Sekretari i Unionit të Sindikatave denoncon në 'Përballje': Në Agjencinë e Kadastrës punohet fundjavave, edhe jashtë orarit zyrtar

Sekretari i Unionit të Sindikatave denoncon në 'Përballje': Në Agjencinë e Kadastrës punohet fundjavave, edhe jashtë orarit zyrtar