Dy ditë pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se do ta hedhë në gjyq ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn lidhur me një deklaratë të tij për një skenar për ndarje të Kosovës, ka reaguar këshilltarja e kreut të AAK-së, Meliza Haradinaj.
Këshilltarja e kryeministrit në detyrë ka treguar detaje sipas versionit të saj nga Samiti i Berlinit, i mbajtur në prill të këtij viti, duke thënë se Edi Rama bënte veprime për të rënë në sy dhe se erdhi pa ftuar në diskutimet informale në Berlin. Meliza Haradinaj shprehet se domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjës Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues.
Rama tha të enjten në mbrëmje se do ta hedh në gjyq ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, pasi ky i fundit ishte shprehur se kishte ndaluar një plan të kryeministrit të Shqipërisë, në bashkëpunim me Presidentin e Serbisë dhe Hashim Thaçin, për ndarjen e Kosovës, madje ata kishin planifikuar për të grabitur 10 miliardë € fitime nga miniera e Trepçës.
Postimi i plotë i Meliza Haradinajt
JA E VËRTETA E RAMËS
Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë - Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë. KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty - pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.
Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë. Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhepse me mbathje atraktive.
Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë - Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%. E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental! Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare... e kjo s’është punë e kësaj gjenerate! Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!