Rama: Pensionistëve do u ndalohet të dalin nga shtëpia! Pazaret do ua bëjnë fëmijët ose Bashkia

Rama: Pensionistëve do u ndalohet të dalin nga shtëpia! Pazaret do ua bëjnë fëmijët ose Bashkia

Nisur nga fakti se të moshuarit kanë qenë më të pabindur për të zbatuar vetëkarantinimin, edhe pse janë më të rrezikuarit, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se atyre do t'u ndalohet me detyrim dalja jashtë shtëpisë. Një masë shumë e vështirë, shprehet kryeministri Edi Rama, por e domosdoshme për të parandaluar një bilanc të rënduar. Të gjitha blerjet jetike do të duhet të bëhen nga fëmijët e tyre, e ndërsa për ata që i kanë jashtë qytetit do të kujdeset Bashkia dhe qeveria.

"Po përgatitemi për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia, deri kur kjo luftë të mbarojë! Nuk mund të presim më ndërgjegjësimin e asaj pakice që vazhdon sfidon rregullat, duke vënë në rrezik shumë serioz veten dhe të tjerët! Pensionistët kryefamiljarë në qytete duhet të shërbehen me vajtje-ardhjet për shpezat ushqimore dhe farmaceutike nga fëmijët e tyre. Ata që nuk i kanë fëmijët në të njëjtin qytet, do të shërbehen nga shteti përmes skuadrave të përbashkëta të bashkive dhe qeverisë!

Të gjitha bashkitë në bashkëpunim me ministrinë e shëndetësisë e mbrojtjes sociale, ministrinë e mbrojtjes, ministrinë e brendshme, institutin e sigurimeve shoqërore, shërbimin social shtetëror dhe agjencinë kombëtare të teknologjisë së informacionit, janë në punë për planin e mbështetjes në shtëpi të pensionistëve kryefamiljarë në çdo qytet! I lutem çdo biri dhe bije prindërish të moshuar, bëni të pamundurën të mbani në shtëpi babain e nënën tuaj, gjyshin e gjyshen e fëmijëve tuaj! T’i lesh të dalin është njësoj si t’u hapësh derën të shkojnë për të marrë pjesë në një bombardim! O zot çfarë sikleti ta thuash: Mos u jepni dorën dhe rrini tek dera në distancë kur u çoni ushqimet apo ilaçet në shtëpinë e tyre më vete! Kudo ku e keni të mundur në shtëpitë tuaja, mbajini në dhomë më vete!

Që t’i përqafojmë fort nesër dhe t’i kemi sa më gjatë pranë nesh, duhet t’i izolojmë sot nga çdo kontakt i mundshëm, me botën po e po, por edhe me vetë ne, që as dorën nuk duhet t’u japim dhe as pragun nuk duhet t’ua shkelim kur u çojmë ushqimet a ilaçet tek dera! Ndjesë 1.000.000 herë kjo ishte më e vështira që duhet të nxirrja nga goja dhe s’do doja kurrë të isha unë që duhet ta bëja këtë, por s’kam si ta mbaj për vete, kur s’ka absolutisht as edhe një rrugë tjetër! Kur themi frikë jo, kujdes po, fjala kujdes në këtë luftë ka fytyrën e prindërve tanë!", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Koronavirusi/ Ndalohet lëvizja në këmbë pas orës 18:00, askush në parqe! Rama: Më shani sa të doni, por mos diskutoni të thyeni rregullat


B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja