TIRANE- Kërkesa e Partisë Demokritke në lidhje me hetimin e emërimeve në Policinë e Shtetit ngjalli debate dhe akuza të rënda dje në Parlament mes kreut të qeverisë, ministrit të Brendshëm si dhe ish-kabinetit qeveritar. Maxhoranca kundërshtoi si të paligjshëm komisionin, në kushtet e mungesës së një precedenti të mëparshëm për hetimet e emërimeve të ekzekutivit në polici, bashkangjitur kësaj edhe argumentin se në gjykatë ka procese të hapura nga ish-drejtuesit e policisë. Kryeministri Rama tha se maxhoranca është e gatshme të dëgjojë opozitën, por jo në kurriz të interesave të vendit.

Kryeministri akuzoi opozitën se manipulon opinionin publik me të dhënat e kriminalitetit në vend, duke i rritur ato. “Ju duhet ta mbani vath në vesh që kjo është një kohë e re, koha e rikthimit të shteti në detyrë, për të siguruar rendin dhe lirinë e çdo qytetarit, kjo është koha e ndarjes së politikës me krimin, që Tahiri i dha policisë atë gatshmëri që ju ia mohuar këtij institucioni, që ministri i Brendshëm është duke e udhëhequr me vendosmëri. Na keni lënë një Shqipëri, të mbushur me vatra aktivitesh kriminale e të paligjshme por ne jemi të vendosur që ti zhbëjmë këto vatra”, deklaroi kryeministri. Ndërkohë që ish-kryeministri Berisha akuzoi ministrin Tahiri për lidhje me krimin.

“Cili është konkluzioni i partnerëve tanë këto 4 muaj? Ua them unë, janë dy, e para Policia e Shtetit nuk ekziston, është shndërruar në ministri dhe e dyta se policia ka marrë në patronazh drogën. Këto të dyja janë konkluzionet. Pra ne këto donim të hetonim. Të faktonim që ky zotëri me gjithë këto lidhje të tmerrshme krimi, vazhdon t’i mbajë e ushqejë akoma to, apo ka vendosur të punojë për ligjin”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm u shpreh i gatshëm që Polica e shtetit t`i nënshtrohet hetimit. Jam i hapur për çdo hetim dhe për çdo kontroll në lidhje me Policinë e Shtetit, sepse kjo është një çështje e publikut dhe jo e politikës. Lëreni jashtë Policinë e Shtetit nga debati politik, sepse ata punojnë për çdo person, pa dallim politik. Ju ftoj ta lini Policinë e Shtetit të punojë e qetë, ja ku më keni mua për debat, por hiqni dorë nga akuzat dhe mashtrimet për policinë",deklaroi Tahiri. 

BATUTAT MES TAHIRIT-RISTANIT-NOKËS

PD: Tritoli si fishekzjarr, Balla: Administrata juaj me persona në kërkim ndërkombëtar
 
Xhafaj: Vetëm një komisioni në tetë vjet me kërkesë të opozitës. Do mbaheni mend për komisionin e veshit dhe pucit, njëri komisioni më qesharak i historisë së Kuvendit dhe tjetri më tragjiku i Kuvendit. Komisionin për Tivarin e keni më të gjatin në historinë e Kuvendit, ende nuk është mbyllur.
Berisha: Sot është ditë e veçantë për parlamentin, ditë në të cilën mazhoranca si aleancë e krimit i hap luftë të hapur opozitës dhe popullit opozitar, sepse shkelmon në këtë sallë krjimin e komisioneve hetimore parlamentare. E kemi kërkuar këtë pasi në krye të qeverisë shqiptare vjen një njëri njeri me lidhjet më të fuqishme me bandat më të fuqishme të Shqipërisë, rajonit dhe Europës.

Tahiri: Përtypni qorrazi jashtëqitjen që nxjerr goja e përdalë e atij që keni aty. Thatë se njëri ishte burri i gocës së tezes sime. Gënjeshtër më të trashë nuk ka. Hodhët baltë ndaj një oficeri policie që e quanit anëtar i bandës së Zanit. Një pijedashës doli këtu edhe tha se janë hequr sipas ligjit 2007. Selman Tema, çfarë është ky? Veteriner dhe i larguar nga puna e Policisë.Sa për shifrat e kriminalitetit, unë i kam këtu por besoj nuk është e udhës të zgjatem. Lini z.Mul dhe z.“Pijedashës” të dalin dhe t’i dyfishojnë sipas orarit.
Paloka: Është ministër rendi një Ministër që ndan ilacet me kryeministrin. Nuk e kam fjalën për ilaçet që iu kapën të atit kontrabandë, të atij operacioni të suksesshëm që doli edhe në analizën  e policisë, ku u kap babai, ish-anëtar i atyre ata që i qujatët  komitete shpëtimi në Vlorë, por që ishin banda. E lejomë zotërionë vetëm për këto që thashë. Pse tritoli është bërë si fishekzjarr?!

Ristani: Unë edhe ha edhe pi në mënyrë të shëndetshme, por ajo që ju përdorni nuk do iu rrëzojë vetëm flokët, nuk do iu nxijë vetëm sytë, por ndonjë ditë do ju marrë edhe jetën. Prandaj miqësisht ta lënë sa nuk është vonë. Sa i përket debatit në lidhje me etikën, kryeminstri solli në Parlament uturakun, ministri solli në Parlament lopatën, në fakt mirë bën që i prunë, se lidhja që kanë bërë këta të zorrës me gojën, do të na i bëjë të vlefshme këto vegla në Parlament për të pastruar vendin.
Noka: Gjatë kohës që keni qenë në opozitë, një zotëri këtu, ashtu sikundër vrasësit me pagesë, e keni përdorur si sharës me pagesë. Por tani i keni dhënë edhe një post ministri. Keni përgjegjësi për këtë sharës me pagesë. Del ministri dhe po kakaris si gjeli majë grumbullit të plehut. Megjithatë nxirreni sa më shumë se fytyrën tuaj tregoni. S’ka njeri normal që flet si ky ministër, nga shati ka kaluar tek pluhuri i bardhë.

Balla: Ndaj merreni atë plak dhe trajtojeni me respekt, duke e mbajtur në shtëpi, duke mos e lënë këtu në parlament dhe në publik, sepse ju bën dëm ju dhe partisë suaj. Gon Kuliçi i çonte natë për natë pakot me dollarë që rridhnin nga nafta Virgin. Ju e kishit mbushur administratën me persona në kërkim ndërkombëtar.
Berisha: Kjo është skena e kryehorit. Është në ndjekje sepse ka përdhunuar një vajzë me AIDS. Është ndaluar në kufijtë e Shqipërië dhe është në ndjekje për trafik droge. Shërbehet hori i horrave sepse kryehorri i vendit është hajdut se monton pallatin 5 katësh për veten e tij dhe vilën në Dajt.

Ruli: Jam i bindur se dhe Tahirin do ta sjellim me uniformën e marrshallit të policisë. Sot kemi policinë që përdoret kundër lojërave të fatit, kundër ndërtimeve me leje dhe pa leje,kundër atyre që vjedhin në rrjetin elektrike. Në këtë mënyrë Policia nuk do të ketë kohë që të merret me krimin që po pushton vendin.
Klosi: Për kë doni të bëni hetim? Për kryepolicin që u plagos në luftë duke ndjekur kryeterroristin, apo doni të ngrini hetim për grupin çiftelia? Për kë doni të bëni hetim për komandant Çipën, që ndoshta nuk është i madh dhe i gjatë ashtu siç i kishit ju, por kapi kryekriminelin më të madh në këto 23 vjet, që 2 vrasje i bëri në qeverinë tonë e 28 i bëri në qeverinë tuaj. Ju doni të mbroni ata që gjuajtën në 21 janar, ata që qëlluan në shtator të 1998.

Rama: Kujtoj një shprehje të George Bernard Shau që thotë “Jo të gjithë të djathtët janë budallenj por shumica e budallenjve mund të lulëzojnë vetëm djathtas.' Mos bëni kot viktimën opozitare se po ju shkelen të drejtat se askush nuk ju beson dhe askush nuk ju pengon që të hetoni çfarë të doni brenda kornizës kushtetuese dhe parlamentare. Doni të hetoni? Bujrum hetoni! Nga çfarë flisni dhe çfarë shkruani s’ka zot ta marri vesh se çfarë doni të hetoni.
Noka: U detyrua të lexonte shifrat që ja kishte servirur vartësi i tij. Vjen këtu dhe na tregon shifra të rreme. Kurrë nuk ka bërë vaki që komunikatat ti formulojë ministri dhe nuk i lihen policisë.
Rama: Kur citova Bernanrd Shou, unë fola për budallenj, por nuk përmenda ndonjërin prej tyre. Por me sa duket zotëria nuk mund të rrinte pa thënë që jam njëri nga ata.


Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)