Kryeministri Edi Rama priti këtë të enjte në Tiranë komisioneren europiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në fokus të vizitës ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë, ecuria e negociatave, reformat dhe bashkëpunimi mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, komisionerja Kos mori pjesë edhe në sesionin përmbyllës të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ndërsa të premten do të marrë pjesë në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Konferenca e Investimeve nisi të mërkurën dhe u organizua nën kujdesin e qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Europian.

Në qendër të diskutimeve ishin sektorët me potencial të lartë zhvillimi dhe investimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.

Aktiviteti kishte si synim promovimin e mundësive të investimit në rajon, nxitjen e partneriteteve strategjike dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit me kryeministrin Rama, komisionerja Kos, përmes një postimi në rrjetin social X, renditi dy çështjet ku Shqipëria duhet të përqendrohet për ta kthyer vitin 2027 në një vit vendimtar për procesin e anëtarësimit.

“Viti 2027 do të jetë vendimtar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

U takova me Edi Ramën në Tiranë për të diskutuar se çfarë duhet bërë që viti 2027 të kthehet në vitin e Shqipërisë.

1. Shqipëria duhet të vazhdojë reformat dhe të dëshmojë se ligjet zbatohen në praktikë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe standardeve mjedisore të BE-së.

2. Dallimet në mendime janë normale në demokraci. Ajo që ka rëndësi është të ketë një përpjekje të sinqertë për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Dhe në shoqërinë shqiptare ekziston një konsensus i fortë lidhur me rrugëtimin europian të vendit”, shkruajti ajo.