Kryeministri Edi Rama është pritur në Abu Dhabi nga Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Teksa ka ndarë foto nga takimi, Rama ka zbardhur edhe fokusin e bisedës.

Kreu i qeverisë thotë se kanë folur për bashkëpunimin mes dy vendeve, në disa fusha si turizmi, energjia e tregtia. Rama bën me dije se së shpejti mes dy vendeve do të nënshkruhet një marrëveshje për tregtinë e lirë.

“I nderuar nga miqësia dhe mikpritja në shtëpi e Presidentit të Emiratave të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed Al Nayan, me të cilin biseduam për ecurinë e projekteve të mëdha strategjike në fushën e energjisë, turizmit, infrastrukturës, sigurisë, si edhe për marrëveshjen e tregtisë së lirë që do të nënshkruajmë së shpejti”, shkruan Rama.

Çfarë është marrëveshja e tregtisë së lirë?

Një marrëveshje e tregtisë së lirë është një pakt midis dy vendeve në të cilat ata janë dakord të heqin shumicën ose të gjitha tarifat, dhe taksat, si dhe barrierat e tjera të tregtisë ndërmjet tyre. Ato shërbejnë për një plotësim më të mirë të nevojave të tregut, por dhe në rritjen e konkurrencës ekonomike dhe rritje të eksportit.