Vendosmëria e kryeministrit Edi Rama për të përkrahur propozimin e opozitës parlamentare për të hapur listat dhe rrjedhimisht ndalimin e koalicioneve ka hasur në kundërshtimin e hapur të opozitës së bashkuar. Në një deklaratë të përbashkët opozita e bashkuar shprehet se prishja e marrëveshjes së 5 qershorit dhe hapja e listave që sjell ndryshime kushtetuese cilësohet si një akt i paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme.

Sipas Opozitës së Bashkuar  hapja e listave nga Rama cilësohet si një veprim diabolik prej tij që prish marrëveshjen e arritur me ndërmjetësimin  dhe mbështetjen e SHBA e BE  duke vënë në rrezik stabilitetin e vendin dhe shanset për integrim të vendit.

"Opozita e Bashkuar dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore.  Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Ky veprim diabolik po kryhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet. Ai dëmton rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë braktisur dhe tradhtuar nga kryeministri në ikje, duke i lënë të vetëm përballë krizës më të thellë të pandemisë dhe atë ekonomike që është pasojë direkte e dështimit dhe papërgjegjshmërisë së tij dhe qeverisë së tij", shkruhet në deklaratën e  opozitës.

Hapja e listave e kërkuar nga opozita parlamentare dhe e përkrahur nga kryeministri Edi Rama shihet nga opozita e bashkuar jashtë parlamentare si ndryshim i Kushtetutës në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin me palëve që synon të nxis konfliktin politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme dhe këtë shqetësim e kanë raportuar edhe tek Presidenti Meta dhe partnerët ndërkombëtarë.

"Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane. Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme", thuhet në deklaratën e saj.

Deklarata e opozitaës së bashkuar përfundon se ajo "mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e thirrjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për kodifikimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 Qershorit, sa më shpejt në Parlament".

Kundër listave të hapura u shpreh që në fillim kryedemokrati Lulzim Basha, i cili tha se Rama prishi marrëveshjen për reformën zgjedhore që u arrit në datë 5 qershor dhe se frika e tij buron te koalicioni opozitar. Ndërsa Rama tha se PS mbështet listat e hapura dhe se për këtë nuk ka nevojë që të ndryshohet sistemi, pasi do të bëhet me korrektim në Kodin Zgjedhor. Ndërsa 3 ditë kërkesa e opozitës parlamentare për lista të hapura u miratua në parim në komisionin e Ligjeve.