Fjalimi i plotë i Ramës në Asamblenë e PS-së: Të aftë për të fituar përtej zgjedhjeve të 2025

Fjalimi i plotë i Ramës në Asamblenë e PS-së: Të aftë për të fituar përtej zgjedhjeve të 2025

Edi Rama

*Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të PSSH Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste

E nderuar Asamble Kombëtare, 

Kryekreje dua t’i përgëzoj të gjithë për përfshirjen aktive, angazhimin serioz në krejt territorin e Shqipërisë dhe punën e bërë deri më tash, për ripërtëritjen e të gjitha qelizave të organizmit të partisë sonë, në këtë proces të rienergjizimit të tij, i cili tanimë ka prekur çdo organizatë socialiste, nga Thethi në Konispol, nga Kalaja e Dodës në Hekalin e Mallakastrës, duke kaluar në çdo qytet e fshat të vendit tonë. 

Dua të përgëzoj Sekretarin e Përgjithshëm, Blendi Klosin, për risinë e inxhinjerimit të këtij procesi, futjen me këmbëngulje të mekanizmit të ri digjital të informimit ditë për ditë dhe frymën pozitive të kompeticionit mes qarqeve për të tejkaluar objektivat bazë të anëtarësimeve të reja. 

Sot, në regjistrin digjital të anëtarësisë socialiste numërohen plot 29.225 anëtarësime të reja!

Ju ftoj të mirëpresim me një duartrokitje të veçantë të gjithë anëtarët dhe anëtaret e reja të Partisë Socialiste. 

Shifra e anëtarësimeve të reja është domethënëse për ne të gjithë, jo për t’u ndalur këtu, po për të parë në pasqyrën e re të anëtarësisë së çdo qarku potencialin e madh të rritjes së forcës sonë politike, shtrirjes së saj në çdo lagje e vendbanim, nga qendra në skajet e çdo bashkie dhe thellimit të influencës së saj në zemrat e mendjet e shqiptarëve. Prandaj le të mos ndalemi kurrësesi këtu, por të vendosim sot dy objektiva të reja: 

-50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresit tonë Zgjedhor të qershorit të këtij viti, dnth edhe 20 mijë e pak që I shtohen këtyre që janë anëtarësuar deri tani. Dhe të gjithë e keni parë se nga shumë e kam dëgjuar se mesa shumë gatishmëri dhe me sa shumë lehtësi janë tejskaluar objektivat vetëm për një arsye të thjeshtë sepse nuk kemi pritur që të vijnë njerëzit tek ne, por kemi shkuar ne tek ata.

-E dyta, rishikimin e përbërjes së çdo organizate socialiste, me qëllim harmonizimin e përbërjes së secilës organizatë me profilin politik e social të zonës që mbulon organizata socialiste. 

Burra e gra, të çdo moshe, djem e vajza, individë me prejardhjet përkatëse krahinore të zonës dhe profilet përfaqësuese të kategorive sociale e grupeve të interesit në zonën përkatëse. Sa më e përfaqësuar të jetë zona në përbërjen e organizatës, aq më e fortë do të jetë lidhja e Partisë Socialiste me atë zonë.

Sa më shumë të bëjmë ne, në këtë proces rienergjizimi, për të kapërcyer kufijtë e vjetër të dasisë majtas-djathtas në një zonë, duke e hapur partinë për grupe e individë deri dje të lidhur për forcë zakoni me kundërshtarët tanë të dërrmuar politikë, aq më shumë Partia Socialiste do të mishërojë fuqinë e bashkimit për Shqipërinë, për komunitetin, për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët siç na e treguan më së miri, Shkodra, Kamza, Devolli apo Klosi i vogël, janë sot më të hapur për të zgjedhur ofertën më të mirë, duke e braktisur llogoren e vjetër të tifozllëkut të verbër partiak. 

Por ne duhet të jemi të qartë, kjo parti nuk është qëllimi ynë në vetvete, po është mjeti ynë për të vënë në jetë qëllimet e përbashkëta për Shqipërinë, popullin shqiptar, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, në çdo skaj të tij. Dhe të mos e humbasim asnjë çast nga vëmendja faktin se, ndërkohë që ne sot jemi oferta më e mirë, përmirësimi i vazhdueshëm i ofertës sonë për vendin dhe njerëzit, duhet të jetë ambicia jonë krejt e pavarur nga niveli i ulët i ofertave të tjera konkuruese në hapësirën politike. 

Ne s’jemi në këtë hapësirë thjesht për të marrë më shumë vota se të tjerët, po për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për Shqipërinë dhe më shumë zgjidhje për shqiptarët. Prandaj na duhet në çdo hap, një Parti Socialiste më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse; më e hapur dhe më përfaqësuese; më e moshuar me eksperiencë dhe më e rinuar me gjak të ri. 

Në këto vite, ne kemi kaluar përmes maktheve të tërmetit e pandemisë, impaktit të luftës në Ukrainë mbi çmimin e energjisë dhe inflacionit në krejt Europën, pa harruar stresin e përditshëm në tejkalimin e gropave të panumërta e ferrave të larta të së shkuarës. Por ia kemi dalë që, jo vetëm t’u mbijetojmë, me një rezistencë të lëvduar edhe nga vetë Fondi i kursyer Monetar Ndërkombëtar, goditjeve të ardhura nga Zoti a nga djajtë e mëdhenj e të vegjël mbi tokë, po edhe ta ngjisim më lart këtë vend, duke e futur ekonominë në shinat e një progresi të qëndrueshëm, duke e çliruar drejtësinë nga kthetrat 100 e kusur vjeçare të pushtetit ekzekutiv, duke e vendosur Shqipërinë në pozitën më të mirë ndërkombëtare të historisë së saj.   

Kemi hapur sot për Shqipërinë një portë të re, e cila do të çlirojë një hov të ri  për kombin tonë, që të ngjitet më tutje drejt majës ku duam ta shohim këtë vend, në fundin e kësaj dekade vendimtare, si një vend krenarie për çdo shqiptar në Mesdheun e bukur dhe të gatshëm për t’u bërë anëtar i barabartë i Bashkimit Europian. 

Por i gjithë ky progres i derikëtushëm, sa kuptimplotë aq edhe i pamjaftueshëm, kërkon një garanci të fortë për t’u kthyer në një transformim tërësor pa kthim për Shqipërinë.

Dhe kjo garanci është vetëm një e asnjë tjetër: 

Një Parti Socialiste më përbashkuese dhe më gjithëpërfshirëse për shqiptarët pa dallim.

Një familje e madhe politike më e zonja për të lexuar qartë sfidat e brendshme e të jashtme të vendit. Më e fortë për t’i adresuar drejt dhe pa humbur kohë të çmuar këto sfida. Më e vendosur për t’u vetëkorrigjuar në rrugë e sipër dhe më e vetëdijshme për rolin e saj të pazëvendësueshëm në kohën e turbullt që jetojmë në botën e sotme. 

Si duhet t’i qasemi këtyre domosdoshmërive, për t’i fituar sfidat e Shqipërisë? 

Çfarë duhet të bëjmë ne, Partia Socialiste, që porta e re që kemi hapur në rrugën e Shqipërisë, të çlirojë të gjitha idetë, vendimet, energjitë e  duhura njerëzore e potencialet ende të pashfrytëzuara të vendit, për t’i dhënë fuqi të reja këtij kombi? 

Si mund e duhet t’i vetëdijësojmë më shumë anëtarët e familjes sonë politike në radhë të parë, për rolin e tyre në këtë mision historik të Partisë Socialiste? 

Nga mënyra sesi ne do t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve, e përsëpari nga sa seriozisht ne do t’i bëjmë këto pyetje pjesë të pandarë të shqetësimeve tona të përditshme, duke u përpjekur t’u japim çdo ditë një pjesëz të duhur të përgjigjes jo të shkurtër, të mundimshme e të  durueshme, do të varet edhe gjykimi që do të na rezervojë historia për këtë fazë kaq kritike të zhvillimit të vendit.

Po ende më e rëndësishme se sa kaq, nga sa do ta çmojmë dhe si do ta adresojmë ne thellësinë e sfidave të kësaj faze të re ku ka hyrë Shqipëria, si edhe peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë sonë në këtë fazë, do të varet se cili do të jetë vendi i Shqipërisë në rajon dhe në Europë kur shqiptarët të hyjnë në dekadën tjetër të këtij shekulli të dytë të pavarësisë së vendit tonë. 

Nëse e kapim si duhet këtë moment transformues dhe lëvizim vendosmërisht me qartësi drejt objektivave që kemi përpara vetes, atëherë ne mund ta mbyllim hendekun mes potencialit dhe realizimeve tona. 

Duke diskutuar më tej, dua të përqëndrohem sot tek impakti, që ne socialistët duhet të krijojmë mbi vendin, ndërkohë që ndarazi, duhet të ndajmë bashkarisht më tej dhe në javët në vijim, opinionet mbi thellimin e procesit të rienergjizimit të Partisë Socialiste, në aspektin politik dhe organizativ. 

Për vendin, ky është një moment kur padiskutim reformat e ndërmarra po japin  rezultate, në ekonomi, drejtësi e në çdo sektor.

Por ky është pikërisht momenti për të mos u ndalur, për të rritur shpejtësinë, duke nxitur një dallgë të re reformash në funksion të mirëqeverisjes, zbatimit të ligjit e antikorrupsionit. Natyrisht që kjo shkon në një linjë me kërkesat e fazës së re të integrimit europian, bisedimet për anëtarësim, e aq më mirë akoma, por kjo është megjithatë një domosdoshmëri e kësaj faze të re të vendit në tërësi. 

Më vjen mirë që mesa kuptoj Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e muajve të fundit dhe së paku fjala do të rikthehet në vend të dhunimit të saj, i cili goditi imazhin e parlamentit që edhe pa dhunimin e fundit nuk ishte edhe aq i mirë.

Mbase rikthimi i fjalës do të krijojë hapësirë për të komunikuar, e jo veç për të folur secili për të vetët, por sidoqoftë shumica jonë kuvendore duhet ta vendosë në tryezën e Komisionit të Ligjeve një draft-rezolutë për të nxitur një debat të madh publik, lidhur me sfidat kombëtare të anëtarësimit në BE dhe reformat e masat e mëtejshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë, pa humbur kohë. 

Fola jo pa qëllim për sfida kombëtare në numrin shumës, sepse bisedimet për anëtarësim nuk janë thjesht të qeverisë, po të të treja pushteteve kushtetuese në Shqipëri dhe të plot 147 institucioneve, ndër të cilat një numër i konsiderueshëm institucionesh të pavarura që ndërveprojnë drejtëpërdrejtë me Komisionin Europian

Sigurisht që i gjithë Debati i Madh, s’mund ta ketë gravitetin e vet përveçse në Kuvendin e Shqipërisë dhe zhvillimi i fundit për rikthimin e parlamentit në normalitet, si edhe krijimin nga Komisioni i Ligjeve, i një mekanizmi që mundëson ballafaqimin e hapur e të barabartë, mes shumicës e pakicës,  për ndërmarrjen e nismave ligjore përtej votave në dispozicion të Partisë Socialiste, duhet të shkojë në drejtimin e duhur për Shqipërinë në përballjen e saj si shtet, jo thjesht si qeveri, me sfidat kombëtare të procesit të anëtarësimit. 

U fol këto ditë për pazare, marrëveshje me Non Gratën në dëm të drejtësisë e njohje nga ana jonë të zotërisë në ballkon si lideri i Partisë Demokratike, ashtu sikundër është folur lartë e poshtë, portaleve e socialeve, për trembje të socialistëve nga Spaku e për plane të fshehta për vënien nën kontrollin e shumicës të drejtësisë të re. 

Të gjitha janë broçkulla, që tregojnë se sa të vështirë e ka një pjesë e bashkësisë sonë shqiptare, e yshtur nga ata që dëgjon dhe ndjek në politikë, në media a në mexhelisin e rrjeteve sociale, të kuptojë ose të pranojë se Partia Socialiste e kësaj gjenerate, po shkruan një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve të pushtetit politik me drejtësinë. Me vetëdije të plotë, me patriotizëm të vërtetë dhe me sensin më të lartë të përgjegjësisë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Eshtë shumë tmerrsisht e thjeshtë për t’u kuptuar: Nëse ne nuk do të donim një drejtësi me duart e lira nga prangat 100 e kusur vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, hetohen, gjykohen, dënohen individë të niveleve më të larta të pushtetit politik. Thonë disa që e bënë amerikanët, s’e bëmë ne, po amerikanët këtu ishin edhe përpara, aty janë edhe në vende të tjera të Natos apo pro Natos në rajon. 

Pse Shqipëria të mos ishte ende sot, si vendet e tjera të rajonit, ku tre prej tyre  i kanë hapur para nesh negociatat me BE-në dhe asnjëra s’e ka ndërmarrë akoma reformën, e thellë në drejtësi që u kërkohet nga BE ta bëjnë duke marrë si shembull Shqipërinë? Përgjigja është shumë e thjeshtë po ashtu: 

Sepse në Shqipëri ka një parti që e kishte në programin e saj Reformën në Drejtësi, qysh se ishte në opozitë, që fitoi zgjedhjet duke e premtuar Reformën në Drejtësi dhe që bëri Reformën në Drejtësi, sepse është një parti që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë, e cila quhet Partia Socialiste e Shqipërisë! 

Kështu që jo vetëm s’ka shans, që kjo parti të kthehet nga flamurmbajtësja e Reformës në Drejtësi, në flamurgrisësen e saj, po kjo parti do të jetë garantja e vendosur, me çdo çmim të drejtësisë së re, duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit majtas e djathtas, lart e poshtë, dhe duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë. 

Kush predikon të kundërtën, ose është aq në hall, sa kërkon të shpjegojë me përrallën e persekutimit politik, vënien e vet para drejtësisë, ose është aq i mllefosur me Partinë Socialiste e sidomos me mua personalisht, sepse fitojmë sa herë që na vihen përballë, sa nuk e pranon dot që kjo parti po bën histori me Reformën në Drejtësi, dhe me shtetbërjen europiane të Shqipërisë në përgjithësi dhe prandaj zgjidhet, e do të vazhdojë të zgjidhet pa dilema, nga shumica absolute e shqiptarëve. 

U pa pastaj qartë, që s’kishte asnjë pazar, asnjë marrëveshje mes askujt për asgjë, përveç ripranimit të marrëveshjes së shkruar në Kushtetutë nga ata që u përpoqën ta marrin parlamentin peng, duke humbur logjikën në kërkim të së pamundurës. 

Ajo marrëveshje thotë se shumica qeveris dhe pakica bën opozitë, me të drejta e detyra të përcaktuara në ligjet dhe në zakonet demokratike dhe  historia e këtyre dhjetë viteve e gjysëm, përfshirë edhe të ashtuquajturin aksion opozitar të muajve të fundit, me kërcënime muskulore e me flakadanë, duhet t’i mësojë njëherë e mirë të gjithë, se çfarë s’ia merr dot me zgjedhje të lira, Partisë Socialiste s’ia merr dot me asnjë formë abuzimi të lirisë. 

Kundërshtarët politikë, as nuk i zgjedhim ne, as nuk i ndryshojmë dot ne, ne kemi në dorë vetëm t’u respektojmë të drejtat që u jep Kushtetuta e ligji, prandaj ato dy komisione hetimore që u ra dakord të votohen brenda kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, mund t’i kishim votuar qëkur, nëse nuk do të ishin kërkuar qorrazi jashtë asaj kornize.  

E dimë ne, e dinë ata, e di i madh e i vogël që e ndjek nga sado larg jetën tonë politike, se halli i tyre nuk ishin komisionet hetimore, siç besoj e dinë të tërë se prej kohësh tanimë unë personalisht i kursej, siç nuk kam bërë kurrë më parë, fjalët dhe kohën për të komentuar bëmat e taksiratet e tyre.

Prandaj edhe sot nuk do të marr kohë e as harxhoj fjalë të tjera, për të shpjeguar si e kanë hallin, pse dolën nga shinat e pse u kthyen prapë në shina apo kush është kush në atë çorbë të prishur, ku të tërë vjellin në mexhelis lugët që kanë gëlltitur me vite duke ushqyer njëri-tjetrin.

Kjo kohë e re e Shqipërisë, s’ka kohë për të humbur me hallet e tyre me drejtësinë e me vulat e humbura të tyre, ndërkohë që ne kemi detyrën të jemi në lartësinë e kësaj kohe, të lemë drejtësinë të bëjë punën e saj me çdo dru të shtrembër në radhët tona - shyqyr që ia arritëm kësaj dite - e të bëjmë punët tona të mëdha e të vogla, që të qeverisim më mirë në çdo drejtim e sektor, duke garantuar pakthyeshmërinë e progresit, modernizuar më tej shtetin për të zgjeruar më tutje horizontin e mundësive për shqiptarët dhe ngushtuar më tej hapësirat e korrupsionit, si edhe nxitur më shumë konkurencën e meritokracinë, për të fuqizuar hap pas hapi kapitalin njerëzor të Shqipërisë në sektorin publik dhe privat. 

Këtyre objektivave strategjikë duhet t’u vihet në shërbim, me përkushtim e këmbëngulje, Partia Socialiste me hapjen e pandërprerë të saj, përtej kufijve të vjetër partiakë në çdo territor, duke krijuar kushtet e mekanizma për të përfshirë në gjirin e saj çdo shqiptar e shqiptare, të çdo moshe e të kaluare partiake, në çdo qytet e fshat, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që ka dëshirë ta shohin Shqipërinë krenarinë e fëmijëve të tyre.

Shembujt kuptimplotë të Shkodrës e të Kamzës, ku Partia Socialiste mori përkrahjen e mbi 60% të zgjedhësve, duhet të na shërbejnë si frymëzim e si motivim, për të kuptuar se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi sot janë shumë më të hapur se sa dje, kur duhet të zgjedhin mes mundësive të qarta të progresit dhe llogores së vjetër partiake. Shkodra, Kamza e të tjera realitete të damkosura me vite të pafundme si zona të ndaluara për ta hedhur vallen, duke lëvizur majtas, duhet të na mësojnë shumë gjëra, po mbi të gjitha duhet të na ngulisin mirë në kokë, se kur ne socialistët dimë të shkrijmë në një gjë, aftësinë drejtuese me njerzillëkun në komunikimin me qytetarët, socialistë e demokratë pa dallim, nuk jemi thjesht fitues. Ne jemi të pakonkurueshëm. 

Asgjë dhe askush përveç vetvetes nuk na pengon dot ne t’i fitojmë jo zgjedhjet e reja dhe atyre pas atyre, por të fitojmë sfidat e reja për Shqipërinë se për to na duhet të fitojmë dhe zgjedhjet.

Shikojeni se çfarë kemi arritur me turizmin, në një vend, ku deri përpara disa vitesh as që mund të gjendeshin 10 veta bashkë, që mos të të merrnin për të çmendur, po të imagjinoje se në Janar-Shkurt 2024 do të hynin në Shqipëri 1 milionë turistë të huaj. Nëse ky trend vazhdon atëherë 10 milionë turistët e vjetshëm, do të bëhen afro 14 milionë këtë vit. Dikur,  për t’i bërë 1 milionë qeveria e mëparshme na numëronte edhe ne si turistë, sa herë hynim në Shqipëri pas daljeve jashtë shtetit. Po ata që numërojnë udhëtimet e mia me charter sot dhe bërtasin për miliona euro imagjinare të shpenzuara (edhe pse shpenzimet e mia për udhëtime i kushtojnë kryeministrisë më pak se sa ato të paraardhësit tim)kur ishin në qeveri, imagjinoni se sa turistë do kishin numëruar vetëm me vajtje-ardhjet e mija.

Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri! 

Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe! 

Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës, që prisnin me dylbi zbarkimin e Flotës së Shtatë Amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë me rregull treshi, se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. 

Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale nga zemërimi i tij, - ju kujtohet si thonin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam sot-  i pengon ata më gojështhurrurit ti bashkangjiten këtyre zërave të lëshojnë rrufetë e akuzave e të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë të dalë nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një mega-aferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit! 

Shyqyr xhanëm, se balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, për të kontribuar në Shqipëri me fondacione apo me investime, e bën Shqipërinë të duket padrejtësisht qesharake në sytë e botës, siç janë qesharake akuzat e shpifjet e tyre për ta! 

Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme. 

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është se Shqipëria, kampione e turizmit në rajon në 2030, nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërmeje të ndritur, po një projekt gjeopolitik dhe ekonomik, që po formësohet me plane  e masa konkrete, të cilat krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik. Sa për mbrojtjen e natyrës shqiptare, janë vetë njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që e dinë më mirë se kushdo, se kush e mori në mbrojtje dhe kush e shkatërroi natyrën e vendit tonë, kush i ruan e i nxjerr në pah dita-ditës bukuritë e këtij vendi dhe kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra kudo që mundi trupin magjepsës të Shqipërisë. 

Ne as e kemi fshehur as e kemi lënë vetëm tek fjalët, qëllimin tonë strategjik për të ndërtuar në Shqipëri sektorin e ekselencës me pesë yje të industrisë së re të turizmit. Sot, vetëm brandi spanjoll me pesë yje, Melia Group, ka firmosur 18 kontrata me sipërmarrës të ndryshëm shqiptarë, për projekte në sektorin e turizmit. Dhe presidenti i grupit të cilin pata rastin ta takoj kur erdhi në Shqipëri para pak ditësh më tha se janë të gatshëm të shkojnë deri në 30 kontrata sepse sipas tij Shqipëria është ylli i ri në ngjitje i turizmit në Mesdhe.

Kur ne morëm detyrën, jo s’kishte një shenjë të vetme pesë yjesh në Shqipëri, po u deshën një paketë e posaçme ligjore në mbështetje të ardhjes së pesë yjeve dhe disa vite të lodhshme pune për Rilindjen Urbane, me të gjithë kryetarët e bashkive, një pjesë e të cilëve janë këtu në sallë, si edhe lutjesh të palodhura larteposhtë nëpër botë, që të thyhej akulli i trashë i perceptimit skandaloz për Shqipërinë të firmave hoteliere të ekselencës. 

Ndërkohë ata që merreshin si të tërbuar vetëm me yjet në xhaketat e 50 pleqve tek varrezat e dëshmorëve, qoftë në qeveri e qoftë në opozitë, injorantë deri në dhimbje dhe të ligj deri në madhështi, i thoshin popullit se ne hoqëm taksën e jahteve për oligarkët. S’kishin e s’kanë faj, se e lanë Shqipërinë të vetmen vrimë të zezë të Mesdheut pa turizmin e mjeteve lundruese, 400 nga të cilat kur ndalen në një breg i sjellin ekonomisë së vendit përkatës më shumë të ardhura se sa 40 mijë turistë që vijnë me çantë në krah. 

Turizmi i ekselencës me pesë yje, sjell punësim të mirëpaguar, stimulon zinxhirin e prodhimeve e të shërbimeve brenda vendit, transformon imazhin dhe rrit respektin ndërkombëtar, dhe për Shqipërinë, ku ne do të bëjmë çmos që të mos marrë vulën e një destinacioni ekskluziv të turizmit masiv, I cili ka të mirat por ka dhe rreziqet e kostot e veta që kthehen në plagë, po të ketë një industri turistike me ofertë të larmishme dhe në ekuilibër të plotë me mbrojtjen e natyrës, ky do të jetë një zhvillim krenarie kombëtare.  

Atyre që thonë po shisni pasuritë e atdheut tek pesë oligarkë, po shisni Sazanin tek të huajt, e ku di unë se sa të tilla akoma, u them jo, gaboheni, në Shqipëri nuk janë pesë, po janë qindra investitorë vendas që janë angazhuar me projekte të reja shumë ambicioze në turizëm, pa llogaritur mijëra të tjerë që kanë ngritur e po ngrenë struktura hoteliere turistike e agro-turistike e të tjerë akoma që mezi presin që ne tu lehtësojmë rrugën në zonat malore e sidomoss në veriun e vendit për të m,arfrë tituj e pronës, ata ndërtojnë në prona private dhe numri I pronarëve shqiptarë që kanë përfituar e përfitojnë nga kapitalizimi i trojeve të tyre është dhjetëra e dhjetëra mijëra

Ne nuk do ta shesim as Sazanin e as asnjë zonë tjetër me pronësi shtet tek asnjë i huaj, tjetërkush i nxorri të tëra tokat e shtetit, përfshirë edhe Sazanin, në pazarin e botës me 1 euro dhe nuk i erdhi asnjë i marrë në Shqipërinë e zhytur në kriminalitet, korrupsion, plehra, pluhur e shëmti ngado hidhje sytë dhe që bënte lajmë në botë vetëm për keq. Sot, Shqipëria në të gjitha mediat e botës ëhstë një lajm i mirë.

Kudo ku të huajt do të investojnë në zona me pronësi shtet, për të ngritur sektorin e ekselencës me pesë yje në industrinë tonë të re të turizmit, shqiptarët do të jenë pjesë përmes aksioneve të shtetit.  Dhe ne do të vigjëlojmë që projektet e miratuara të jenë shembëlltyra të denja për koleksionin prestigjoz të veprave të shkëlqyra të botës në turizëm, e për revistat ndërkombëtare të arkitekturës, siç po ndodh aktualisht me kullat e Tiranës, ku përpos të tjerash do të fitojmë në vite edhe një koleksion tërheqës firmash të arkitektëve me prestigj ndërkombëtar, për turistët e kurioziteteve arkitekturore. 

Kjo e reja për Sazanin, nuk është kërkesa e parë që ne kemi pasur. Vitet e fundit ka pasur disa interesime dhe madje projekt-ide që na janë ofruar dhe i kemi refuzuar, pikërisht sepse nuk jemi as të interesuar për të bërë pazare për vete, as të paditur që të pranojmë zhvillime mediocre, në emër të futjes së kapitaleve të mëdha në turizëm, që pastaj kthehen në kosto jo vetëm, për natyrën, por edhe për ekonominë dhe për imazhin e vendit, po jemi të qartë se çfarë vlerash duhet t’i lemë trashëgim brezave me këto zhvillime dhe jemi shumë të përkushtuar që bukuritë e Shqipërisë  të mos cënohen prej tyre, përkundrazi të kthehen në burim rritjeje ekonomike dhe krenarie për shqiptarët.  

Nuk ka asnjë dyshim që kjo është një sfidë e jashtëzakonshme dhe ndërkohë që të tjerët flasin, ne duhet të punojmë paralelisht në shumë fronte, duke nisur nga një shtysë e re, e fuqishme, e përqëndruar dhe vendimtare, për rritjen më të shpejtë të arsimit profesional në Shqipëri. Me aktin normativ të qershorit, ne do të kujdesemi që të financojmë plotësimin me standartet më të mira të infrastrukturës ekzistuese të shkollave e të konvikteve të arsimit profesional, ndërkohë që do të rrisim ndjeshëm financimin për trajnimet profesionale, krahas disa masave të domosdoshme ligjore që do të marrim për përfshirjen e biznesit të madh me hir ose me pahir në financimin e rritjes jetike të aftësive të forcave të punës.

Sot problem ynë nuk është krijimi i vendeve të punës, madje sot ne po shohim se dita-ditës oferta e vendeve të punës po shkon drejt tendencës që ne provokuam me rritjen më të lartë të pagave ndonjëherë, por sot problemi ynë ëshstë që gjithë këtë moment të ri për rritjen e investimeve dhe për diversifikimin e tyre, ta shoqërojmë me një krah të kualifikuar pune që është në dispozicion të kësaj rritje dhe njëkohësisht ta bëjmë këtë rritje një arsye kuptimplotë për shumë të reja dhe të rinj që të kthehenn dhe të punojnë në Shqipëri, ku llogaria do t’u dalë shumë më mirë sesa ju del kur punojnë në një hotel, në një fabrikë, apo në një fushë për llogari të një të huaji. 

U ndala jo pa qëllim tek turizmi si një faktor kyç për progresin e mëtejshëm ekonomik, pa dashur të zgjatem me të tjera drejtime të rritjes së ekonomisë, sepse tek turizmi mund të shihen si në një pasqyrë mes të djeshmes dhe të sotmes edhe progresi i bërë nga dje sot, edhe nevoja për të garantuar vazhdimësinë e mëtejshme të këtij progresi, por edhe dallimi si dita me natën mes PS si forcë qeverisëse dhe të gjithë partive të tjera si forca pa vulë.

Sot e ardhmmja e afërt është më premtuese se asnjëherë dhe dua të nënvizoj edhe një drejtim tjetër, ku ne do të fokusohemi fort në vitet drejt Shqipërisë 2030. 

Rilindja e industrisë ushtarake. Ushtria jonë bëhet rëndom objekt lajmesh e muhabetesh mediatike pa bereqet, për nxjerrjet nga plani i përhapjes i pronave e aseteve të degraduara, të panevojshme, të pakuptimta, që kanë mbetur si kokallat mbi tokë të kufomës së Ushtrisë Popullore të Enver Hoxhës, i cili do bënte luftë me superfuqitë e me tërë fuqitë ushtarake të planetit.

Në dijeni time, plani i asaj lufte ka dështuar dhe mesa i njoh unë programet e të gjitha partive në Shqipëri, nuk di që ndonjëra të ketë në plan t’i hapë luftë gjithë botës. 

Janë bërë abuzime të mëdha në vite, patjetër, me mënyrën sesi janë përdorur ato prona që janë nxjerrë nga plani i përhapjes, kjo as nuk diskutohet, por ama nuk më rezulton që nga nxjerrja e tyre në vetvete ka ndodhur ndonjë hata për misionin e ushtrisë sonë. 

Ashtu sikundër nuk më rezulton, patjetër, që ka ende prona dhe asete të degraduara ushtarake të cilat nuk do t’i duhen kurrë një ushtrie të NATO-s si e jona dhe janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e një gjynahu të madh që nuk futen në shërbim të ekonomisë së turizmit dhe të agroturizmit, në radhë të parë, por edhe në shërbim të sektorëve të tjerë, të arsimit për shembull, por rrinë si fantazma sa në majë të maleve e sa afër deteve tona.

Në një bisedë që pata me disa kryetarë bashkish, jo të forcës sonë politike, Puka, Fushë-Arrëz, Memaliaj, zona të thella, diskutuam edhe për këtë; reparte ushtarake si fantazma të cilat bashkitë e zonave malore mund t’i kthejnë fare mirë në asete për të kërkuar mbrapsht investime nga emigrantët e këtyre zonave në fushën e turizmit apo agroturizmit. Madje absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata. 

Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare.

Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes. 

Sot, ne duhet të investojmë më shumë në mbrojtje.

Ky është një angazhim që kemi marrë si vend i NATO-s, por ky është edhe një moment tjetër historik për rrethanat e krijuara që na e imponon këtë për ta bërë me mendësinë dhe me standartet e NATO-s, duke hapur kapitullin e investimeve të mëdha private në industrinë moderne ushtarake, siç kanë bërë të gjitha vendet e NATO-s dhe siç bëjnë të gjitha vendet që e shikojnë mbrojtjen si një prioritet.

Kjo do të sjellë jo vetëm një rritje të aftësive tona mbrojtëse, jo vetëm  një arsye për t’u ndjerë pjesë e një bashkësie të një vendi dinjitoz edhe në këtë aspekt, por edhe një front të ri të punësimit cilësor të të rinjve tanë si dhe një rritje të kualifikimeve të krahut tonë të punës, ashtu siç po bëjmë me Akademinë e Aviacionit, që do të hapet në zonën e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës, me mbështetjen e siguruar nga ICAO, falë lobimit të Ministres sonë të Infrastrukturës dhe Energjisë, që bëri që agjencia të zgjedhë Shqipërinë mes disa alternativash në Europë. 

Kjo e burimeve njerëzore, kjo e kapitalit njerëzor, kjo e forcave të kualifikuara të punës është një temë të cilën Partia Socialiste në tërësi dhe të gjitha nivelet vendimmarrëse të saj në veçanti duhet ta mbajnë në një konsideratë të përditshme. Kur them Partia Socialiste në tërësi, kam parasysh që hapja e Partisë Socialiste duhet të shoqërohet me shkelmimin përfundimtar të mentalitetit se anëtarësimi në parti është për të marrë një punë në shtet, gjë të cilën e kemi bërë për hir të vërtetës hap pas hapi, por gjë nga e cila vuajmë e mbi të gjitha, gjë nga e cila shihemi nga një pjesë e njerëzve si një forcë që i pengon ata të konkurrojnë, që i pengon ata të marrin atë që meritojnë dhe që i pengon ata që t’i shohin fëmijët e tyre, djem e vajza të tyre të shkolluar, të jenë në një garë të barabartë.

Sado ne të themi që kjo nuk është plotësisht e vërtetë, sado ne të përpiqemi të tregojmë shifra dhe fakte nga rekrutimet në administratën publike, në radhë të parë, që ndiqen me sy të vëmendshëm nga Bashkimi Europian, nga Komisioni Europian dhe që vlerësohet si një ecuri shumë pozitive e Shqipërisë, kjo nuk mjafton. Ky është një perceptim dhe ne me këtë perceptim duhet të luftojmë.

Nga ana tjetër, përtej perceptimit, kjo është një nevojë e Shqipërisë, kjo është një nevojë e çdo institucioni, kjo është një nevojë e çdo bashkie, kjo është një nevojë e çdo njësie administrative të çdo bashkie, ku ata të cilët vendosen aty, ata të cilët janë aty për të qenë porta e parë ku trokasin votuesit dhe qytetarët tanë, duhet të rrezatojnë një kulturë tjetër, duhet të rrezatojnë një sens tjetër përgjegjësie, duhet të rrezatojnë jo faktin se janë aty si parazitë për shkak të teserës së parties, por fakti që janë aty si mishërim i ambicies sonë që t’u japim forcave njerëzore në këtë vend dhe t’i japim kapitalit tonë njerëzor vlerën që i takon sepse vetëm ashtu, ne mund ta rrisim dhe ta fuqizojmë kapitalin tonë njerëzor.

Në mbyllje, dua të prek edhe pikën tjetër, garantimin e pozicionit të ri ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në të gjitha takimet që kam pasur me organizatat socialiste jam përpjekur të shpjegoj se Partia Socialiste nuk është këtu sot për t’u matur me ata që janë të mundur pa u nisur fare, por është këtu sot për t’u matur me të gjitha këto sfida dhe për t’u matur, në radhë të parë, me nevojën për të garantuar pakthyeshmërinë e progresit në të gjitha drejtimet, për të garantuar modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit, për të garantuar, siç thashë, rritjen e kapitalit njerëzor dhe për të garantuar që ky pozicion i ri ndërkombëtar i Shqipërisë të mos jetë rezultat i një periudhe kohore të një force politike qeverisëse, që pastaj të kthehet prapë aty ku ishte dhe Shqipëria të bëhet prapë irrelevante, siç ishte, por të kthehet në një profil të konsoliduar të Shqipërisë në një mendësi të re dhe të konsoliduar të të gjitha institucioneve, në marrëdhëniet me botën dhe në një qasje të strukturuar të vetë diplomacisë sonë dhe të behët pjesë e zakonshme, e të qenit në krye të këtij vendi të cilësdo force politike në të ardhmen dhe në këtë pikë është shumë e rëndësishme që puna që kemi nisur, anëtarësimet e reja, rienergjizimi i organizatave të vazhdojë për të vijuar me durim komunikimin lidhur me rolin e pazëvendësueshëm dhe historik që ka sot Partia Socialiste dhe për pasojë peshën që ka për ta kryer këtë rol çdo anëtar i saj, duke filluar nga anëtarët e qeverisë, tek anëtarët e parlamentit, tek anëtaret e bashkive, tek anëtarët e Asamblesë dhe kështu me radhë.

Sigurisht që ne jemi në rrugën e duhur, sigurisht që ne po i hedhim hapat sipas planeve që kemi, por nëse ne duam që të arrijmë dhe ky është objektivi, që në vitin 2030 Shqipëria përveç të tjerave të jetë një vend i gatshëm që i plotëson të gjitha kriteret  për të qenë anëtar i Bashkimit Europian, ne duhet të matemi, jo me ata që na vijnë mbrapa, në sensin që duan të na kapin, por duhet të kapemi me majën që duhet të ngjitemi dhe për këtë arsye të dashur shokë dhe shoqe, është shumë e rëndësishme që të gjithë të mos harrojmë asnjë ditë, objektivat tona për Shqipërinë 2030, janë tejet ambicioze prandaj na duhet një Parti Socialiste, shumë ambicioze!

Faleminderit! 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

'Daily Mail': Shqipëria, perla e fshehur që premton bukurinë e një lokacioni pa turma vizitorësh

'Daily Mail': Shqipëria, perla e fshehur që premton bukurinë e një lokacioni pa turma vizitorësh