Kryeministri Edi Rama, sot në konferencë
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e fundvitit në konferencën e tij me gazetarët ditën e sotme, ku prezantoi arritjet e mazhorancës për 2024-ën, si dhe projektet për të ardhmen.
Kreu i qeverisë u fokusua edhe tek qarkullimi rrugor, ujësjellësit, hekurudhat dhe aeroportet, si infrastruktura me shumë rëndësi për qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm.
Rama tha se do ketë një Qendër Monitorimi të re të trafikut rrugor me kamera inteligjente që do filmojnë gjithçka, vitin tjetër nisin fluturimet në aeroportin e Vlorës, si dhe nisjen e punimeve për disa segmente hekurudhash, firmosje të kontratave për linja të tjera, por edhe projektet për ujësjellës-kanalizimet në 29 bashki dhe 9 zona turistike.
Fjala e Ramës për trafikun, hekurudhat, portet, aeroportin dhe Ujësjellësin:
“Do të ngrihet dhe funksionojë Qendra e Monitorimit të trafikut. Trafiku do monitorohet me kamera inteligjente. Çdo makinë, çdo person apo gjallesë tjetër që do kryqëzojë apo kapërcejë rrugën, do jetë kohë reale i monitoruar, edhe shpejtësitë, aksidentet, të gjitha makinat, kush ka sigurimin, kush nuk e ka bërë, targa dhe të gjitha me radhë. Dhe kjo do i shërbejë gjithashtu rendit ligjor dhe luftës kundër kriminalitetit.
Hekurudha Tiranë-Durrës-Prishtinë është në përfundim, 80% të saj. Hekurudha Vorë-Hani i Hotit është firmosur kontrata, Durrës-Rrogozhinë, Durrës-Pogradec, me drafte dhe kontrata, si dhe drafti paraprak për elektrifikimin në funksion të hekurudhës.
Aeroporti i Vlorës e dini, objektivi është sezonin e ardhshëm të fillojë fluturimet e para. Porti i ri i Durrësit është bërë shpallja tjetër, pasi te e para u gjetën pasaktësira. Ndaj u rikthyer për ta ribërë dhe do jetë pas shumë vitesh si një port i ri nga e para, jo si të tjerët apo adaptim, do të nisë nga e para. Dhe që do e bëjnë atë një vepër arti në fushën infrastrukturën publike. Jemi në terma pozitivë edhe me NATO-n, ka marrë vlerësimin teknik dhe pozitiv dhe jemi në aspektin strategjik, sepse kështu është procedura.
Është ecur para në furnizimin me ujë dhe kanalizimet, projekte në 29 bashki dhe 9 të tjera në zona turistike, për çerekmilioni banorë, si dhe zona të brendshme të vendit. Kanë nisur aktivitetin 14 shoqëri, sipas reformës që kemi bërë. Kjo ka sjellë që të rriten edhe të ardhurat e arkëtuara”.
Lajmi kryesor: