Rama: Qeveria e Shqipërisë i
detyrohet një ndjesë Gjermanisë

Rama: Qeveria e Shqipërisë i<br />detyrohet një ndjesë Gjermanisë
Në bisedë me Deutsche Welle, Kryeministri Edi Rama flet për nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve me Gjermaninë, punën e qeverisë së tij për integrimin evropian, raportin me opozitën dhe lëvizjet në administratë.

DW: Z. Kryeministër, Shqipëria shënoi këto ditët një hap të rëndësishëm përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Komisioni i BE-së në raportin e progresit dha rekomandimin për dhënien e statusit të vendit kandidat, me pritjen që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet në fusha si luftimi korrupsionit, reforma në administratë, zbatimi i ligjit, përmirësimi i klimës politike. A do të arrijë qeveria e drejtuar nga Ju të bindë me rezultate deri në dhjetor vendet anëtare, për të miratuar statusin për Shqipërinë?
Edi Rama:
Qëllimi ynë nuk është të bindim me rezultate të tjerët, qëllimi ynë është që përmes rezultateve të ndërtojmë Shqipërinë evropiane dhe ta bëjmë shoqërinë tonë pjesë të familjes evropiane.

Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore për Shqipërinë, e cila në një renditje të TI vitin e kaluar klasifikohej si vendi më i korruptuar në Evropë. Cili është road map i qeverisë suaj për kapërcimin e kësaj sfide?
Lufta kundër korrupsionit është një luftë komplekse, por në këndvështrimin tim ka qenë, është dhe do të mbetet një përpjekje për të modernizuar shtetin, për të modernizuar shërbimet, për të modernizuar qeverisjen si proces, përmes të cilit raporti mes politikës, qeverisë, institucioneve dhe qytetarit duhet të jetë i bazuar mbi transparencën dhe llogaridhënien.

Fenomeni i korrupsionit në Shqipëri vlerësohet si një e keqe e ngulitur edhe në shoqëri, si pjesë mentaliteti. Ju flisni për përmirësimin e institucioneve, a mund të ndryshojë kështu edhe mentaliteti?
Unë nuk besoj se Shqipëria është më e korruptuar se Gjermania, për shkak se shqiptarët korruptohen më lehtë se gjermanët. Por unë besoj se ka një ndryshim themelor mes Shqipërisë dhe Gjermanisë që bën që edhe raporti i njerëzve me shtetin në Shqipëri dhe Gjermani të ndryshojë thelbësisht. Ky ndryshim e ka bazën tek fakti që sistemi në Gjermani është një sistem demokratik, modern dhe funksional. Ndërsa sistemi në Shqipëri është ende larg të qenit një sistem që të garantojë çdo qytetar dhe shoqërinë si e tërë dhe t'i mbajë njerëzit që punojnë në shtet larg tundimeve të korrupsionit.

Një tjetër parakusht është dialogu mes forcave politike, respektimi i mendimit ndryshe dhe përfshirja e opozitës. Si mund të kontribuojë maxhoranca për këtë?
Ka një arsye shumë të thjeshtë pse opozita e djeshme u vu në pozicionin e pamundësisë për të pasur një jetë normale si opozitë që ishin zgjedhjet, vjedhja e votave, manipulimi i rezultateve dhe përmbysja e tyre përmes vendimesh të korruptuara në gjykata të korruptuara. Ndërkohë që sot opozita është një opozitë e dalë jo nga zgjedhje të manipuluara dhe as nga deformimi i vullnetit të popullit, por nga zgjedhje që u duartrokitën për standardet dhe për qartësinë me të cilën e shprehën vullnetin e popullit. Kështu që sot nuk ekziston arsyeja që deri dje, në një periudhë kohe të caktuar, e detyroi opozitën, që për të mbijetuar si opozitë, të kishte një qasje të caktuar. Nga ana tjetër ne e kemi thënë botërisht dhe unë jam angazhuar publikisht, që opozitës së sotme nuk do t'i mungojë asgjë nga ato që i munguan opozitës së djeshme për shkak të shumicës në parlament apo për shkak të vetë qeverisë. Përkundrazi, ne opozitës do t'i krijojmë as më shumë dhe as më pak, por të gjitha ato kushte që kërkuam për opozitën kur ishim në opozitë.

Në vizitën e tuaj në Bruksel si fitues i zgjedhjeve parlamentare po ende pa mandatin e kryeministrit, Ju premtuat se do t'i jepni fund praktikës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Çfarë do të thotë kjo konkretisht? Dhe si i përgjigjeni zërave që thonë se kjo nuk është realiste?
Unë nuk jam këtu për t'iu përgjigjur zërave, por për të folur me gjuhën e rezultateve. Puna e opozitës është fjala, ndërsa fjala e qeverisë është puna. Puna jonë dhe përpjekjet tona, duhet dhe do të tregojnë përmes rezultateve se çfarë kuptojmë ne me dhënie fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Jam i bindur se sa herë të jepet rasti, jo vetëm opinioni publik në Shqipëri por edhe gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, do të mund ta shikojnë dallimin e qartë mes nesh dhe atyre që qeverisën Shqipërinë deri në 23 qershor dhe u ndëshkuan edhe sepse e ngritën kulturën e pandëshkueshmërisë në sistem të qeverisjes së tyre.

Z. Rama, me fillimin e punës së qeverisë, ju deklaruat se gjendja financiare e vendit është kritike dhe arkat e shtetit thuajse bosh. A rrezikohet Shqipëria nga mungesa e likuiditetit dhe sa akut është ky rrezik?
Ky rrezik nuk ekziston për fat të mirë. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e likuiditetit. Bankat kanë shumë likuiditet madje, por arsyeja përse ato nuk kreditojnë lidhet me ngërçin e madh ku e ka zhytur ekonominë borxhi i madh ndaj sipërmarrjes, me zinxhirin e këtij borxhi të shtrirë në hallkën që lidh sipërmarrjet me bankat. Ndërsa nga ana tjetër arka e shtetit është bosh. Por ne kemi një vizion dhe një plan shumë të qartë për të dalë nga kjo krizë duke filluar nga zgjidhja e ngërçit që mban të bllokuar ekonominë, duke mbajtur të bllokuar sipërmarrjen dhe duke bërë që edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit të shënojnë një rënie si kjo që kanë shënuar në periudhën e fundit.

A keni kërkuar mbështetje nga BE-ja dhe nëse po çfarë përgjigje keni marrë?
Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi si kërkojmë mbështetje nga BE-ja pasi nuk jemi anëtarë të BE-së dhe nga ana tjetër nuk jemi në ato kushte të atyre vendeve anëtarë që kanë kërkuar mbështetje financiare për të përballuar krizën financiare ku u zhytën. Por ne jemi në kontakt me FMN-në dhe Bankën Botërore, me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, me një grup ekspertësh të nivelit më të lartë botëror që na asistojnë në një proces ku kemi dy qëllime: e para, të heqim nga rruga shkëmbin që na ka lënë qeveria e mëparshme në formën e borxhit ndaj të tretëve, dhe e dyta, të ristartojmë ekonominë, duke mos cënuar procesin e rritjes ekonomike. Kjo është ambicja jonë dhe jam i bindur se Shqipëria do ta kapërcejë këtë fazë shumë të vështirë dhe do të fillojë të rritet ekonomikisht në një periudhë të arsyeshme brenda mandatit tonë.

Z. Kryeministër, tashmë kanë kaluar rreth 4 javë nga fillimi i mandatit qeverisës të koalicionit të majtë PS-LSI. Aleanca para zgjedhjeve me partneren në koalicion u prit me skepticizëm nga një pjesë e opinionit në Shqipëri. Pati edhe zëra që parashikonin një jetë shumë të shkurtër të këtij koalicioni. Ndërkohë kryetari i LSI, Ilir Meta, deklaroi së fundi se ky koalicion do të vazhdojë deri sa Shqipëria të anëtarësohet në BE. A ndani Ju të njëjtën bindje me z. Meta?
Besoj se skeptikët e pas marrëveshjes së koalicionit përgjigjen e kanë marrë në 23 qershor, kur 1 milionë shqiptarë votuan për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, ku aleanca PS-LSI doli me rezultate më të mira se asnjëherë më parë. Ndërkohë që pa asnjë dyshim ky muaj i parë i qeverisjes po tregon qartë, se kjo qeveri është ndërtuar me një vizion, me një mision dhe me një funksion shumë të qartë. Dhe vizioni, misioni dhe funksioni i qeverisë e bëjnë çdo çështje të vogël të ditës shumë relative në krahasim me çështjen e madhe që e ka lindur Aleancën për Shqipërinë Evropiane dhe që na vetëdijëson plotësisht në radhë të parë si drejtues të dy partive të kësaj aleance, qoftë mua, qoftë kryetarin e Kuvendit, por edhe gjithë të tjerët për misionin që kemi edhe personalisht.

Kohët e fundit ka pasur disa ndryshime në administratë, të cilat nga një pjesë e opinionit apo vetë të prekurve janë cilësuar të motivuara politikisht. Si i përgjigjeni këtyre vërejtjeve duke pasur parasysh edhe një praktikë të gjatë klientelizmi në Shqipëri, ku forcat politike në pushtet vendosin edhe në pozicione teknike në administratë njerëzit e tyre?
Forcimi i kapaciteteve dhe ngritja e nivelit të administratës publike është pjesë e sfidës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne jemi të vetëdijshëm për traditën e shëmtuar të rrotacioneve që shkatërrojnë administratën për qëllime politike dhe mbi baza krejt të paqendrueshme të zëvendësimit të disave me disa. Po kështu jemi të vetëdijshëm që njerëzve më të talentuar dhe më të përgatitur që duan t'i shërbejnë shtetit, t'u krijohet mundësia për t'i shërbyer shtetit përmes konkursesh tërësisht transparente, bazuar në ligjin për nëpunësin civil dhe me qëllim meritën dhe vetëm meritën. Ne do të jemi garantë e të gjithë atyre, që sot janë pjesë e administratës falë aftësisë dhe meritës së tyre, dhe njëkohësisht do të garantojmë që ata që duan t'i shërbejnë shtetit, ta kenë mundësinë për këtë, pavarësisht mbiemrit, përkatësisë së tyre partiake, krahinore, fetare, pavarësisht të gjitha atyre që u quajtën dhe zbatuan si kritere më parë. Ne duam t'i japim vendit administratën që vendi meriton dhe njëkohësisht t'u japim qytetarëve ato shërbime, të cilat do të jenë një nga instrumentat për ta zbrapsur korrupsionin, shërbime të një administrate të aftë dhe të kulturuar.

Z. Rama, ju keni deklaruar se qeveria juaj do të ndjekë atë që e keni quajtur „politikë të zero problemeve me fqinjët“. Si duhet kuptuar kjo në terma praktikë? Do të hapë Shqipëria gjithnjë rrugë në raste problemesh për hir të shmangies së konflikteve?
Ne jemi tërësisht të interesuar dhe fokusuar që problemeve të bartura t'u japim zgjidhje në reciprocitet të plotë dhe respekt të ndërsjelltë.

Z. Kryeministër, pak pas fillimit të mandatit qeverisës Ju deklaruat mbajtjen e një mbledhjeje të përbashkët qeveritare me qeverinë kosovare. Çfarë simbolike ka ky takim?
Ne po përgatitemi për të organizuar mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, që do të mbahet në muajin nëntor në Prizren. Kjo është pjesë e një praktike që nuk e shpikim ne, por që e konsiderojmë shumë të vyer, dhe që përdoret nga qeveri të tjera, për të jetësuar partneritetin strategjik, marrëdhënien e miqësisë dhe fqinjësisë, që sidomos në raportin mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ngrihet në nivel të tillë, që ta bëjë vijën e kufirit të padukshme dhe që mes dy shteteve të krijojë kushte për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor.

Pra praktika të tilla mund të ketë edhe me qeveri të tjera të rajonit?
Po, ne po bëjmë përgatitje që të ketë edhe të tjera.

Z. Rama, aktualisht ndodhemi në mes të tetorit gjerman, këtë vit nën moton „25 vjet bashkëpunim ekonomik Shqipëri-Gjermani“. Si i vlerësoni ju marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve?
Për fat të keq dhe për faj të palës shqiptare këto marrëdhënie sot nuk janë aty ku duhet të ishin. Kam pasur rastin ta them dhe po e përsëris edhe për Deutsche Welle-n sot, se qeveria e Shqipërisë i detyrohet një ndjesë Gjermanisë për sjelljen krejt të pakuptueshme në raport me një kontribut të shkëlqyer gjerman lidhur me interkonjeksionin Shqipëri-Kosovë, që besoj ka lënë pas edhe gjurmë mbresash jo fort të pëlqyeshme tek Gjermania, e cila është donatori më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe një pikë referimi për ne.

Cilat janë pritshmëritë Tuaja për të ardhmen e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani? Cilat janë fushat prioritare?
Gjermania ka qenë gjithmonë e gatshme dhe ka bërë për Shqipërinë jashtëzakonisht shumë në gjithë këto vite. Na takon ne të meritojmë më shumë.

A keni marrë Ju vetë pjesë në ndonjë nga aktivitetet e tetorit gjerman deri tani?
Jo, nuk e kam pasur këtë fat, por me siguri do ta kem ditët në vijim.

Intervistoi: Eliana Xhani
Deutsche Welle


Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën