TIRANE – Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rikthimin në detyrë të anëtarëve e të kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, të shkarkuar në muajin maj, pas vendimit të LSI-së për prishjen e koalicionit qeverisës me PD-në dhe bashkimin me Partinë Socialiste.

Vendimi “Për propozimin e revokimit të zgjedhjes së anëtarëve e të caktimit të kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe rikthimin në detyrë të anëtarëve e të kryetarit të liruar para mbarimit të mandatit”, u mor mes tre vendimeve të tjera të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Pas prishjes së koalicionit PD-LSI, qeveria e kaluar me firmën e kryeministrit Berisha propozoi shkarkimin e kreut dhe të anëtarëve të AKEP-it. Pirro Xhixho ishte propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim për postin e Kryetarit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike Postare.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)