Plani i rritjes së pagave do të ndahet në 2 faza. Kryeministri Edi Rama premtoi se një rritje do të bëhet tani ndërsa pjesa e dytë do të parashikohet në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Gjatë një takimi të shkurt me punonjësit e administratës së Kryeministrisë, kreu i këtij institucioni tha se kanë hasur shumë pengesa por më në fund është krijuar mundësia që të gjithë të kenë rroga më të mira.

“Mundësia për ta bërë të mundur është krijuar vetëm tani. E dini mirë se sa shumë vështirësi na është dashur të kapërcejmë dhe për t’ju thënë që është koha të bëjmë rritje rrogash shumë domethënëse. Rritja e pagave do bëhet me 2 hapa në harkun e 1 viti. Një rritje tani dhe një rritje në buxhetin e vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Rama ndau ndryshimin e pagave për disa punonjës sipas planit të bërë nga qeveria për pagat mesatare të administratës.

“Monika që është drejtore njësie prej plot 26 vjetësh, pastaj Rezari që është jurist i departamentit dhe që ka 37 vite këtu, pastaj Vjollca përgjegjëse sektori. Vjollca është një shkallë më lart se Vjollca ka 43 vjet. Pastaj Zenajda që është përgjegjëse sektori. Zenajda ka 28 vjet, pastaj Luljeta që është specialiste. Luljeta ka dhe gjithë sekretet e qeverisë sepse Luljeta këtu ka 41 vjet, por nuk keni parë gjë akoma sepse është dhe Nexhmija që ka 44 vjet. Paga e Luljetës do të shkojë 135 mijë lekë dhe paga e Nexhmijes do të shkojë 125 mijë lekë.  Pastaj Zenajda që është përgjegjëse sektori do t’i shkojë paga 158 mijë lekë. Pastaj Vjollca që është përsëri përgjegjëse sektori do ta ketë 149 mijë lekë.  Pastaj Rezari 218 mijë lekë. Dhe pastaj Monika 249 mijë lekë. Këto 49-ën, 48-ën, 19-ën mos i merrni plotësisht për të mirëqena se mund të lëvizin me nga pak, por po lëvizën do lëvizin për më shumë, jo për më pak sepse janë duke u bërë kalkulimet, por kjo është rritja e pagave që natyrisht do përfshijë të gjithë administratën”, tha Rama.

Në përfundim, dha një mesazh se të rinjtë duhet të punojnë fort për të arritur në këto shifra të pagave pasi nuk është e pamundur. Nuk munguan edhe batutat që të shkojnë me vrap në punë.

“Kini parasysh që për zonjat këtu u desh kohë e gjatë që të arrihet pagë dinjitoze, për më të rinjtë po punuat sa gjysma e tyre do merrni më shumë se dihet që në fund të ditës për ju të rinjtë po punojmë. Ky ishte breaking neës për sot, tani me vrap te puna. Me vrap thashë jo me hap”, tha Rama.

Për premtimet e kryeministrit ka pasur reagime të shumta se po shkel Kodin Zgjedhor, por kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se ndalime parashikohen vetëm në zgjedhjet e përgjithshme, jo vendore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:28
‘Paga e Luljetës do të shkojë 135 mijë lekë, e Nexhmijes 125 mijë’, Rama me punonjësit e Kryeministrisë shpjegon rritjen e rrogave

Në një takim me punonjësit e Kryeministrisë, kreu i qeverisë Edi Rama u ka shpjeguar atyre se sa do t’u shkojë paga pas hyrjes në fuqi të rritjes së rrogave minimale dhe asaj mesatare.

“Ndërkohë që për shkak të pagës minimale që e kemi rritur, korrektimet do të fillojnë nga lart poshtë dhe unë po filloj nga poshtë lart për të thënë që si do shkojë paga, sa do jetë paga e Luljetës dhe e Nexhmijes në fund.  Paga e Luljetës do të shkojë 135 mijë lekë dhe paga e Nexhmijes do të shkojë 125 mijë lekë. Pastaj Zenajda që është përgjegjëse sektori do t’i shkojë paga 158 mijë lekë, pastaj Vjollca që është përsëri përgjegjëse sektori do ta ketë 149 mijë lekë.  Pastaj Rezari 218 mijë lekë dhe pastaj Monika 249 mijë lekë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.