Rama: S'ka dyshime, negociatat
do çelen, opozita po na turpëron

Rama: S'ka dyshime, negociatat<br />do çelen, opozita po na turpëron
Kryeministri Edi Rama shprehet se Shqipëria do çelë negociatat me Bashkimin Europian.

Në rubrikën "Komunikimi i Javës", në Facebook, ai theksoi sërish se mazhoranca mbetet e vendosur të çojë përpara reformat e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë, duke nisur nga ligji i vettingut, i cili sipas tij, do të realizohet pavarësisht vonesave që po përpiqen t'i shkaktojnë dritëshkurtërit, siç i cilësoi Rama demokratët, të cilët kanë ankimuar ligjin. 

"I vetmi kusht është zbatimi i ligjit të vettingut. S'do as mend as premisë, që ky kusht është kushti i neve vetë në rrugën europiane, të cilin e kanë zgjedhur vetë shqiptarët 26 vjet më parë. Do t'i bëjmë një për një reformat e integrimit, jo se na i kërkon Brukseli, por se ua kemi borxh fëmijëve tanë, shqiptarëve të gjeneratës tjetër.

Por ne duhet të vijojmë të bëjmë progres në çdo fushë. S'ka pikë dyshimi se Shqipëria do të çelë negociatat me BE sapo puna përgatitore për reformat të ketë filluar dhe ne të kemi vazhduar të japim provën e vijimit të progresit në çdo fushë, përfshirë edhe zbatimin e ligjit për vettingun, pa asnjë diskutim",
u shpreh Rama.  

Kryeministri tha se zbatimi i vettingut duhet të nisë përpara se Shqipëria dhe BE-ja të ulen në tryezën e bisedimeve për çeljen e negociatave, duke lënë të kuptohet se pa nisur vettingun, negociatat nuk mund të çelen. Rama akuzoi PD-në se ankimoi ligjin e vettingut në Kushtetuese për të vonuar procesin e negociatave me BE-në si dhe shtyrë reformën në drejtësi.

"Kush mund ta imagjinojë se negociatat do mund të çelen normalisht nëse kur ekipet të ulen në tavolinë, s'do ketë nisur ende zbatimi i ligjit të vettingut. Akush nuk e imagjinon dot. E dinë këtë edhe dritëshkurtërit të cilët e kanë bllokuar përkohësisht vettingun me një kërkesë të turpshme për ta shpallur antikushtetues, por mesa duket edhe me një qëllim edhe më të turpshëm, për të vonuar negociatat, për të vonuar drejtësinë. Por nga ana tjetër s'ka forcë arsyeje që ta pengojë kazanin e broçkullave që të fillojë të ziejë përditë gënjeshtrat dhe sajesat e atyre që qëllimin e tyre e kanë të shpallur botërisht prej 3 vitesh, të çorodisin dhe mërzisin shqiptarët sa të munden, kurdoherë dhe për çdo gjë, me shpresën që çorodia dhe mërzia do mund të bëhen vota kundër qeverisë. Do përpiqen të thonë papushim se s'ka negociata me kanabis, s'ka me këtë qeveri, s'ka negociata me Shqipërinë e sa do thonë papushim për t'i penguar shqiptarët që të gëzohen për një arritje jo të vogël. Do të bëjnë çmos për të penguar jo vetëm ligjin e vettingut, por të çdo ligji të reformës në drejtësi e cila është Alfa dhe Omega e negociatave në kapitullin e parë", tha Rama.  

Kreu i qeverisë e cilësoi të turpshëm qëndrimin e opozitës, të cilët kërkuan kushte shtesë për çeljen e negociatave. 

"Por s'ka si të mos ketë më asnjë pikë dyshimi që opozita jonë po na turpëron të gjithëve në sytë e familjes europiane me broçkullat e saj për kanabistanin dhe me stanin e lepujve që përfaqëson për fatin tonë më të keq". 

Kryeministri u shpreh gjithashtu se dhe qeveria duhet të përmirësojë punën e saj, për të bërë më shumë për Shqipërinë. 

“Ne kemi shumë gjëra për të përmirësuar. Unë vetë kam shumë gjëra për të përmirësuar në kryerjen e kësaj detyre që e bëj me shumë pasion dhe besnikëri të plotë ndaj jush, por jo gjithnjë me cilësinë që aspiroj në çdo fjalë dhe çdo veprim. Qeverisja ka plot gjëra për të përmirësuar dhe mund të bëjë më shumë. Në radhë të parë qeveria duhet të afrohet më shumë shpirtërisht me të gjithë njerëzit, jo vetëm me votuesit tanë”, tha Rama. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Mushkonjat nuk i pickojnë njerëzit që hanë këto ushqime

Mushkonjat nuk i pickojnë njerëzit që hanë këto ushqime