TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi raportin e ish-anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty mbi UÇK-në.

Përmes një postimi në Tëitter, Rama pyet ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta se pse kanë votuar pro ndaj këtij raporti që inkriminonte UÇK-në.

"Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europes,kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s'të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s'ta lejon sekreti hetimor?" - shkruan Rama.

Dick Marty, ka bërë një raport mbi ato që ai i quan krime të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas këtij raporti, një rrjet i drejtuar nga Thaçi dhe liderë të tjerë të UÇK është përfshirë në trafikimin e heroinës, armëve dhe organeve njerëzore pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999.

Madje Marty arrin deri aty se serbët thuhej se janë rrëmbyer dhe vrarë për t'u marrë organet.

Dick Marty ishte i sigurt se "Shtëpia e verdhë" në Burrel i ka shërbyer UÇK-së si sallë operimi për të zhvilluar trafikun e saj me organe njerëzish.

Sipas tij, viktimat kanë qenë serbë dhe romë. Në fillim të Raportit të tij (Pikat 1-20, Faqe 1-4) ai përsërit të njëjtat akuza si në raportin e tij paraprak që u publikua më 11 qershor të vitit 2007.

Në vitin 2011, në Këshillin e Europës u miratua një rezolutë për hetimin e këtyre akuzave të ngritura nga ana e Dick Marty-t, ku Rama pretendon se delegacioni i Shqipërisë në AP të Këshillit të Europës votoi pro rezolutës kur Sali Berisha ishte kryeministër dhe Ilir Meta zëvendëskryeministër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:11
'Pse votove pro raportit të Dick Marty'/Presidenca: Esadisti të dalë në debat e të marrë përgjigje! Rama: Ilir, nuk mbulohet dielli me shoshë

Pyetjes së kryeministrit Edi Rama drejtuar kreut të shtetit Ilir Meta i është përgjigjur presidenca, ku i përgjijen me pyetje. Sipas tyre, postimet e kreut të qeverisë në rrjetet sociale nuk meritojnë një përgjgje duke e ftuar në debat me presidentin Ilir Meta.

"Edvin Kristaq Tradhtia, armiku më i egër i kombit shqiptar, pupaci i fëlliqur i qarqeve më antishqiptare në planet, fyesi më i ndyrë i luftës së UÇK-së e gjakut të Dëshmorëve, nxitësi më i flaktë i urrejtjes ndaj Kosovës nëpërmjet veglave të UDB-së në Prishtinë e Tiranë, frikacaku që kalon Morinën me antiplumb dhe makinë të blinduar nga frika e ndëshkimit kombëtar, ka bërë sot një pyetje publike. E ftojmë Esadistin të dalë në përballje me Presidentin Meta para të gjithë kombit shqiptar dhe për të marrë përgjigjen sy më sy. Sa për mufkat që lëshon nga Tëitter-i, as meritojnë përgjigje. Kush të urdhëroi ty KryePis të hidhje në gjyq Kryeministrin e Kosovës?

Pse nuk ta mbajti të shkoje në gjyq o këlysh i rrahur që i vogël? Edvin Kristaq Tradhtia dëgjoji mirë dhe mbaji shënim këto tre porosi: 1. Ju shmange gjyqit që hape në Prishtinë por drejtësisë së kombit shqiptar nuk ke për t'i shpëtuar kurrë! 2. Mos e përmend më Presidentin Ilir Meta për çështjen e Kosovës dhe çështjen kombëtare se nuk do kesh kohë as të pendohesh o Esadist i fëlliqur! 3. Nuk do ketë Kim Philby që të të shpëtojë", shkruan Presidenca.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama nuk e ka pa një përgjigje.

"Ilir nuk mbulohet dielli me shoshë si e vërteta me lehje e me dehje! Ti duhet t'ia shpjegosh popullit pse e votove për raportin e Dick Marty në Këshillin e Evropës, bashkë me Saliun! (Dhe meqë pretendon se bën shumë dëshmorë mos e lësho gjuhën jashtë kontrollit se i turpëron keq)", shkruan Rama.

Ora 16:13
Raporti i Dick Marty që inkriminonte UÇK/ PD votoi pro! PS me Gjiknurin dhe Shpëtim Idrizi kundër

Në procesverbalin e miratimit të kësaj rezolute të Dick Marty që inkriminonte UÇK-së në janar të vitit 2011, nga delegacioni Parlamentit shqiptar votoi pro rezolutës së Dick Marty, kryetari i grupit, Ilir Rusmali, atëherë deputet i PD-së, ndërsa Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit votuan kundër. Kurse pjesa tjetër e delegacionit shqiptar nuk ka qenë prezent.

Në listët e 8 votave kundër rezolutës së Dick Marty, përveҫ dy deputetëve shqiptarë, figurojnë katër deputetë turq, një deputet britanik laburist, përkatësisht Sir Alan Meale dhe deputetja gjeorgjiane, Chiora Tatakashvili, një anëtare e grupit Liberal.

Fjala e mbajtur nga Gjiknuri:
Ky raport ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve për shkak të seriozitetit të akuzës, natyrës së krimeve të pretenduara dhe mungesës së provave. E kuptojmë se ideja e konspiracionit që rrethoi paaftësinë e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) për të hetuar krimet e pretenduara dhe zbulimi në respect të një prej lojtarëve kryesore për të ndjekur krime të tilla, Carla del Ponte, është ajo që nxiti këtë Asamble të kërkojnë nga Dick Marty të përpilojë një raport të plotë të bazuar në prova dhe të hedhë dritë mbi çështje, në vend që të përsërisë akuzat e bëra nga të tjerët.

Për fat të keq na duhet ta pranojmë që ky raport nuk ka ndonjë gjë të re me rëndësi dhe vetëm sa është shtuar në numrin e çështjeve politike të rajonit. Nuk ka asnjë provë, dhe në shumë raste ka natyrën e një opinioni politik se sa një raport hetimi.

Ka plot kontradikta që kanë të bëjnë me aktivitetin e supozuar dhe shpërfill çdo punë të mëparshme të bërë nga ICTY. Një prej tyre është çështja e dy shtëpive famëkeqe: “Shtëpia e Verdhë”, ku hetimi i ICTY nuk dha asnjë informacion, dhe në Fushë-Krujë, shtëpia e famshme ku supozohej se merreshin organet. Por siç citohet në raport, nuk kishte lidhje me aktivitetet e pretenduara.

Kjo na shtyn të besojmë se raporti është më shumë trillim politik se sa hetim i bazuar në prova dhe kësaj Asambleje nuk i shkon për shtat diçka e tillë. Por pavarësisht nga natyra politike e raportit, duke pasur parasysh rëndësinë e akuzave, ne si delegacion shqiptar kemi paraqitur një sërë pikash që kërkojnë një riformulim të arsyeshëm të akuzave të nxjerra në Raport.

Mendojmë se thelbi i rezolutës nuk është politika e krimit të pretenduar, por bashkëpunimi midis autoriteteve gjyqësore për të zbuluar të vërtetën nëse diçka e tillë ka ndodhur realisht. Prandaj të hetojnë të gjitha vendet, dhe të heqim konsiderata politike që njollosin njërën palë, pra shqiptarët dhe UÇK-në.

Prandaj, unë i bëj thirrje Asamblesë të mbështesë ndryshimet e propozuara nga delegacioni shqiptar, të cilat kërkojnë një hetim të duhur të çështjes dhe të shmangin shpalljen fajtor paraprakisht të një organizate të tërë politike për arsyen e vetme që ajo luftoi për çlirimin e një populli të shtypur.

Ora 16:02
Ç’përmbante Raporti i Dick Marty-t? Analiza që ndezi polemika të mëdha mbi Kosovën dhe lidershipin politik të saj

Dick Marty është i sigurt: Shtëpia e verdhë në Burrel i ka shërbyer UÇK-së si sallë operimi për të zhvilluar kontrabandën e saj me organe njerëzish. Viktimat kanë qenë serbë dhe romë. Në fillim të Raportit të tij (Pikat 1-20, Faqe 1-4) ai përsërit të njëjtat akuza si në raportin e tij të parë që u publikua me 11 qershor të vitit 2007.

Përfundimi i Marty-t: Të gjithë përpiqen të fshehin krimin. Gjatë konferencës për shtyp ku Marty prezantoi raportin e tij një gazetar e pyeti: "Çka të fshehin?", "dëshmitë natyrisht", iu përgjigj Dick Marty. "Cilat dëshmi? Ju nuk i keni ato, prej nga jeni i sigurt se ato ekzistojnë», e pyeti një gazetar tjetër. Pas një pauze, Marty me një lehtësi: "Do t’i gjemë ato". Deri atëherë, durim pra.

Shqiptarët, të mllefosur

Qeveritë shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë reaguan plot mllef. Akuzat e Marty-t nuk paskan të bëjnë me zbardhjen e plotë të rastit në fjalë, por bëhet fjalë, sipas tyre, për një intrigë të përgatitur mirë nga “antishqiptarët”. Presidenti shqiptar Bamir Topi di më shumë: "Raporti i Dick Marty-t është i stimuluar nga ultrancionalistët serbë», tha ai para medieve shqiptare.

Edhe opozitari i së majtës shqiptare Edi Rama nuk ka mendim ndryshe: "Kësaj radhe edhe unë jam me mendimin e Berishës se Dick Marty është një sharlatan".

Hashim Thaçi, i cili drejtpërsëdrejti akuzohet nga politikani zviceran, kërcënoi se do padisë autorin e raportit. "Marty duhet shpejtë të sjell fakte për këto akuza, përndryshe duhet të llogaris me një padi penale", kështu ishte mesazhi nga Prishtina.

Administratori i parë në Kosovë Bernard Kouchner është skeptik ndaj raportit zhurmëmadh. Eksponentë të  NATO-s dhe SHBA-ve demantuan konstatimet e Marty-t gjoja të kenë qëndruar indiferent ndaj hetimeve të rastit së "shtëpisë së verdhë".

Më qartë në këtë kontekst u deklarua dje zëdhënësja e EULEX-it në Prishtinë Christina Herodes: "Pas një hulumtimi të gjatë të rastit hetuesit e EULEX-it nuk gjetën dëshmi në "shtëpinë e verdhë", të cilat do të konfirmonin akuzat rreth kontrabandimit me organe njerëzish». «Nuk është diçka sensacionale që hetuesit nuk kanë gjetur gjë», kundërshtoi Carla del Ponte. Pse? Sepse: «Kosova është fëmija e dashur e SHBA-ve», tha ajo në një intervistë me të përditshmen zvicerane nga Berna «Der Bund». Pra ajo lenë të kuptojmë se SHBA- të janë ato që pengojnë zbardhjen e të së vërtetës?

“EULEX nuk bën punën si duhet”?

Edhe më interesant është pjesa e dytë e raportit. 176 "konkludime" përbëjnë pjesën e dytë të raportit të juristit "të pavarur e të drejtë" – siç u kualifikua ndo do miqtë të tij nga Tiçino. Kemi të bëjmë me një xhungël thash-e-thëniesh, të cilat nga profesionistët e jurisprudencës nuk do të pranoheshin as si indikacione.

Megjithatë ai parashtron aty disa pyetje (Pikat 85 – 77), të cilat kërkojnë vëmendje: Në qoftë se EULEX dhe instancat tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri paskan hulumtuar në mënyrë të rregullt rastin dhe paskan ardhur në rezultate përmbyllëse, atëherë pse këto nuk i kanë dorëzuar në mënyrë zyrtare e publike në Këshillin e Evropës, në parlamentin e saj, pse ato nuk ia janë dorëzuar po në të njëjtën formë siç bën Dick Marty Komisioneve të OKB-së për të drejtat e njeriut e të ngjashme?

Tragjikomike në këtë aspekt – ku Marty ka plotësisht të drejtë – është edhe fakti se EULEX madje ka edhe një lloj përgjegjësie ndaj KE për një gjë të tillë.

Dick Marty tha edhe vetë: ai nuk ka fakte. Shtëpia e verdhë ende nuk është prishur. EULEX dhe NATO apelojnë tek Marty që të mos merret me provokime. Qeveritë shqiptare kanë përshtypjen sikur spekulimet e këtij lloji ndikojnë në destabilizimin e politikave të brendshme e të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore dhe parasëgjithash, ato ndikojnë shumë në bllokimin e dialogut të iniciuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Dihet publikisht që Dick Marty ka kontakte miqësore me personalitete të caktuara e qeveritare në Beograd. Megjithatë nuk ekzistojnë fakte konkrete – siç pretendon presidenti shqiptar – që Dick Marty për hir të interesave miqësore me serbët të ketë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Ndoshta përpiqet presidenti shqiptar të imitojë Marty-n dhe operon njëjtë si ai: me thashetheme.

Shumë zhurmë për asgjë? Spektakël. Nuk besojmë. Pasojat që tani janë të dukshme. Disa nga vendet perëndimore, të cilat kanë lidhje miqësore me Kosovën, kanë filluar t’i rishqyrtojnë lidhjet e tyre me shtetin e ri, e sidomos me elitat e saja politike./AlbInfo