Rama deklaroi publikisht se nëse qoftë edhe një akuzë e vetme që e lidh atë me trafikun do të vërtetohej, atëherë ai do të dorëhiqej dhe do t’i nënshtrohej cdo ndëshkimi ligjor. Në të kundër, kreu i qeverisë jep një sugjerim: Ish-kryeministri Berisha dhe ish-kryeparlamentarja Topalli, të ndërmarrin një ditë aksion vullnetar për dezinsektimin e Plazhit të Divjakës nga mushkonjat.
"Prokuroria është ende në hijen e frikës, Gjykatat po e po. Presidentin do e kishit me vete. Ta mbyllim debatin dhe të biem dakord që unë, Saliu, ndihmësi i SHQUP-it dhe “gridëria” juaj, të shkojmë një e nga një përpara prokurorëve të çështjes, unë i pari, Saliu i dyti dhe të gjithë të angazhuarit në këtë shfaqje të shkojmë një e nga një. Dhe nëse ju do të provoni, jo të gjitha, por qoftë edhe vetëm një nga gjithë akuzat tuaja të gjithë këtyre ditëve, nuk do të jap vetëm dorëheqjen, por do të zhdukem gjithmonë nga ky mikrofon dhe do t’i nënshtrohem çdo ndëshkimi. Por në rast të kundërt, nëse asnjë nga ajo që ju keni ngritur në këtë valë lumi akuzash për lidhjet e mia me drogën, atëherë unë ju kërkoj të bini dakord që Saliu dhe Jozefina të bashkohen si vullnetar dhe të nënshtrohen një ditë për të pastruar Divjalën nga mushkonjat", tha Rama.
(Ndërhyn Meta): Dezinfesktimi është një proces i pashmangshëm.
Diskutimet për trafikun e drogës në vend u sollën në sallën e Parlamentit, pasi konferenca e kryetarëve e mbledhur nga kryeparlamentari Meta, vendosi që opozita e mazhoranca të zhvillojnë nga një orë diskutime për trafikun e drogës, pas kërkesës së PD për seancë të jashtëzakonshme. Pas debateve të forta në sallën e parlamentit, opozita braktisi seancën ndërsa mazhoranca vijoi me disktumin dhe miratimin e projektligjeve që ishin në rendin e ditës.
DEBATET MES KRYEMINISTRIT RAMA DHE DEPUTETIT BERISHA
Berisha: Më të fundërrosur se kurrë, Edi Ramën, baronin kryesor të drogës, në Shqipëri dhe Evropë, i cili me shpejtësi shndërroi Shqipërinë në vendin e narktrafikut. Edi Rama, i cili u serviri shqiptarëve aeroplanin e narkotrafikut, pamë Edi Ramën se si rriti mushkonjat në aeroplan dhe se si ju thyen rrotat. Kthehuni pak tek banda e rrugës së Kavajës, vazhdoni me bandën e Dritan Dajtit, që të njëjtin gjë bënin, e pudrosnin me drogë. Pra, ti kërkon dhe zotohesh se do hetohesh, por qytetarët do të rrëzojnë qeverinë tënde, dhe ti i ke bërë vendit dëmin më të madh në narkotrafiqe. Ti je shndërruar në rrezik për çdo qytetar të këtij vendi, ndaj lëvizja sot filloi dhe do të mbushë misionin e saj. Është mirë të kuptosh se je i vetmi kryetar ekzekutivi në Evropë që shndërrove vendin tënd në Kolumbi. Fjalimet e tua ngjasojnë me fjalimin e lamtumirës së Enver Hoxhës. Kanë një frymëzim të njëjtë.
Rama: Mbase për shkak të moshës, nuk e kujtoj që Enveri të ketë bërë fjalim lamtumire se ti do kishe vdekur në vend nga infarkti. Unë nuk t’u drejtova që të hetohem. Unë të them nëse je burrë çohu dhe thuaju prokurorëve, vërteto një nga akuzat e tua. Sali duhet ta pranosh që propozimi im ishte dashamirës. Unë ju them se nëse ju vërtetoni zhdukem përgjithmonë dhe i nënshtrohëm çdo penaliteti ligjor. Se nuk mund të të kërkoj unë ty të largohesh nga mikrofoni se është njësoj si t’i kërkosh mizës së kalit të largohet nga jashtëqitja.
Berisha: Sa i përket qëllimit të tij, para dhe ditën e vdekjes së Enverit unë mund t’ju them me saktësi çdo gjë gjatë asaj dite se për fatin tim një miku im ishte dëshmitar. Por këto janë të largëta dhe të parëndësishme pasi me rëndësi për të ardhmen e vendit është shpëtimi nga narkotrafiku, i cili e ktheu Shqipërinë në 8 muaj në Kolumbinë e Evropës. Këtë nuk e bëri as prokurori i Zvicrës, as prokuroria italiane, por qeveria e narkotrafikut me lejen dhe aprovimin e Edvin Ramës. Tani po shndërron Shqipërinë në lavatriçen e madhe të drogës në Evropë. Merre rrotën se do të them o rrotë avioni po s’ke ku e çon se ajo është bërë simboli yt.
(Ndërhyn Meta): Ju lutem se e keni kthyer në muhabet droge
Rama: Unë vazhdoj të këmbëngul duke qenë se përmasat e çështjes janë kaq dramatike, dhe se ju thoni se keni fakte, ka vetëm një rrugë, të një prokurorie që këtë duhet ta kishte bërë për 20 vjet rresht me akuzat e politikanëve, urdhëro më jep prova. Nëse ju keni prova edhe një herë ta them me Jozefinënm një ditë të shtunë, vjen edhe Beqaj, spërkasim Divjakën se është sezoin turistik. Nëse provoni akuzat unë zhdukem. Bëhu burrë Sali bashkë me gridërinë tënde, shko në prokurori, vërteto një akuzë dhe shpëto nga unë. Mos më trego historinë se na kujton se sa gjatë e ke mbajtur peng këtë vend.
Berisha: Së bashku me mrikën do ikni, i përdorët baza për drogë, ka vetëm një rrugë, të ikni sa më parë.
Rama: Po ta përsëris, nëse ke kurajën e qëndrestarit antidrogë, shko te prokurorët, vër në dispozicion provat që u thua qytetarëve se i ke, vër në dispozicion lidhjet që i ke mes drogës dhe shtetit, provo një lidhje timen me këtë çështje dhe e ke të zgjidhur këtë punë. Po atë lumadhin e Lazaratit pse e solle? Në emër të kultivuesve? Përgjigju pse nuk provove një akuzë që ke bërë në 20 vjet. Unë të them bëhu burrë shko në prokurori, në gjykata, tek Presidenti që janë me ty dhe vërteto një akuzë.
KUVENDI NGA NJE ORE QEVERISE DHE OPOZITES PER "TRAFIKUN E DROGES"
Nga një orë kohë i është lënë opozitës dhe mazhorancës për të disktutuar në seancën e sotme parlamentare për trafikun e drogës në vend, pas kërkesës së opozitës për të zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme. Vendimi u mor në Konferencën e Kryetarëve që kryeparlamentari Meta mblodhi pak pas nisjes së seancës parlamentare rreth orës 11.00.
Menjëherë janë ndezur debatet në sallën e Parlamentit kur ish-kryeministri Berisha kërkoi që motoja e kësaj séance të jetë “Rama ik!”. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi i është kundërpërgjigjur me batutë, duke i thënë se Berisha u mat elektoralisht me Ramën, dhe kreu i qeverisë “e rrëzoi nga kali”.
Berisha: Rama ik, kjo duhet të jetë motoja. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme, kjo duhet të lexohet tani e tutje nga të gjithë shqiptarët në ekranet që shohin.
Meta: Aq hapësirë ka ekrani ju pasqyroni thelbin e diskutimit tuaj
Ruci: Ne u treguam shumë luajal, duke vendosur jashtë rendit të ditës një kërkesë të Partisë Demokratike. Sa i përket asaj që thotë Berisha, ke 8 vjet që e kërkon Ramën nga parlamenti, tani duhet të presësh dhe 8 vjet të tjera ta largosh nga parlamenti. Tani kot e ke. U mate elektoralisht me Edi Ramën, të rrëzoi nga kali. 8 vjet ulërite “ku e kini ku e kini”, përballu me të tani. Do ta largosh, bëj mocion mosbesimi, hedhim votën, bëj çtë duash sipas ligjit.
ORA 13:28 TOPALLI: DY MUAJ PËRPJEKJE PËR TË FSHEHUR PROVAT
“Qeverisja dhe mafia zënë të njëjtin territor, ose bëjnë luftë ose biejnë dakord” tha topalli duke theksuar se “Ju keni rënë dakord, ne me qytetarët do të bëjmë luftën”
“Dakordësin e keni filluar që para 1 prillit. Atë ditë që bëtë thirrje për të rrëzuar qeverinë e Sali Berishës tha Topalli duke shtuar se “Nga 1 prilli 2013, shqiptarët kanë dëgjuar për 300 mijë vende pune, shëndetësi dhe legalizime falas, por prej 8 muajsh flitet vetëm për varfëri.
Para dy muajsh Berisha iu tha se keni nisur trafikun e drogës me avionë”-tha Topalli duke theksuar se “Për dy muaj keni bërë çdo përpjekje për të fshehur provat.”
ORA 13:20 BRAÇE: FMN DHE IEA KANË RRËZUAR AKUZAT TUAJA TË KALUARA
Deputeti i PS Erjon Braçe tha se opozita mashtron në të gjitha akuzat që ka ngritur ndaj mazhorancës dhe faktet e kanë provuar këtë.
“Nëse ka një gjë kjo sallë që nga shtatori kur ka filluar ky sesion ka të bëjë me shpërdorimin e fjalës apo më saktë me përdorimin e fjalës për të gënjyer. Dhe e gjitha shoqëruar nga një amnezi që i detyron qytetarët të qeshin me çdo folës që gënjen e harron çfarë ka thënë.” Tha Braçe duke theksuar se “Deri tani kanë folur të gjithë ish-pushtetarë jo më larg se 7 muaj më parë të cilët kanë harruar se lejuan kultivimin e hashashit nga 2005.
Braçe nuk na la pa përmendur edhe akuzat e PD për situatën ekonomike dhe për thyerjen e embargos së naftës nga Irani duke thënë se “Dje shefi i FMN, bëri të qartë se nuk bëhet fjalë për krizë greke, dhe se ekonomia po rimëkëmbet. Tani ku vajtën debatet që bëtë në parlament? Mbaroj ajo çështje dhe ju dështuat. Jo më larg se javën e kaluar u mbajt parlamenti për therjen e embargos ndaj naftës iraniane. Zëdhënësja e IEA i hodhi poshtë edhe këto akuza.”
“Keni ardhur këtu te çështja e drogës dhe i vetmi trafikant që keni përmendur është Blendi Klosi. I drejtohem të gjithëve keni dëgjuar ndonjëherë Klosin të lidhur me drogën?” tha Braçe duke theksuar se “Shqetësimi i vetëm i këtyre dhe atij që bërtet aty jashtë është pushteti që ju ja morët me votë.”
Deputeti socialist për zonën e Divjakës, Braçe shprehet se kjo zonë nuk është e përfshirë në trafik droge. Sipas Braçes Divjaka po përdoret në këtë sallë për të fshehur sipërmarrësit e drogës në Lazarat. “Kanë 3 ditë, a e kanë përmendur ndonjë herë Lazaratin? Çdo raport ndërkombëtar tregon se në atë fshat ka 15 vjet që kultivohet drogë. A mbani mend ndonjë aksion në kohën e këtyre?”-tha Braçe
ORA 13:05 STRAZIMIRI: NUK E KAPI POLICIA DROGËN, POR KAPI DROGA POLICINË”
Deputeti i PD, Genc Strazimiri ka komentuar edhe praninë e kreu të komunës së Lazaratit në protestën jashtë Parlamentit.
“Në protestë edhe kreu i komunës Lazarat, i cili vjen nga një ndeshje futbolli me policinë ku drejtori i këtij (drejtuar Tahirit) tha nuk pashë drogë”
Sipas Strazimirit ka një moskordinim të asaj çfarë thotë ministri i Brendshëm për operacionin dhe asaj që thotë drejtori i Policisë. “Ministri thotë se “Policia mbërriti për 4 minuta, i prisnim. Drejtori i policisë tha se policia mbërriti për 40 minuta megjithëse i prisnim”
Lidhur me akuzat e mëparshme të opozitës për trafikun e drogës me avionë, Strazimiri u shpreh se “Thoni se është tentativa e parë, po pse betonohen aeroportet e ushtrisë.” “Policia e mobilizuar zuri një avion dhe një makinë që nuk lëviznin nga vendi dhe ikën 3 makina të mbushura me drogë, këtë e dinë të gjithë”-tha Strazimiri duke shtuar se “Nuk e kapi policia drogën, por kapi droga policinë”
Strazimiri ka përmendur edhe lëvizjet në polici duke thënë se keni futur në punë njerëz të pushuar nga puna nga ministri socialit Ilir Toska, për trafik droge.
Në fund të fjalës së tij Strazimiri iu drejtuar Ramës me fjalët “Do të ikësh dhe nuk do të kesh kohë të marrë as paratë e fituara nga trafiku i drogës.”
ORA 12:50 KLOSI: DROGEN E MBOLLET JU, LAZARATI BASTIONI JUAJ
Ndërsa deputeti i PS Blendi Klosi akuzoi opozitën se droga e cila po kapet është rezultat i lejimit të mbjelljes së hashashit në kohën e PD. Sipas Klosit zgjedhjet e 23 qershorit treguan se populli dha 1 milionë vota se ishte i lodhur dhe i frikësuar nga pushteti i mëparshëm.
"Jeni futur sot në një debat nga ish pushtetarët, nga ata të cilët të lejonin mbjelljen e hashashit dhe luftimin e trafikut. I paparë debati i sotëm po për çfarë? Për një aksion të suksesshëm të policisë që bllokoi drogën dhe trafikantët. Kemi sot 8 muaj nga qeverisja e rilindjes, dhe keni ngritur këtu kauza që nuk zgjasin më shumë se 3 ditë. Folët për të larguarit nga puna të cilët ishin 260 vetë. Në fakt të larguarit ishin vartësit tuaj, dhe kjo kauza nuk zgjati më shumë se 3 ditë. Ku jeni sot? I sollët me furgona në protestë e ikët me bishtin ndër shalë. Folet për ndërtimet pa leje, por ne do t’i prishim ndërtimet pa leje të trafikantëve, ndërsa ju kërkoni protestë. Ngritët komision, dhe çfarë nxorri? Nxorri që nga policia janë larguar dhe lëvizur më pak se 300 efektivë dhe të gjithë njerëz të afërt me ish pushtetarët. Po çfarë bënin më mirë këta efektivë? Shoqëronin mbjelljen e hashashit, shoqëronin trafikantët. Duhet ta kuptoni, ti i pari Sali Berisha, se qytetarët votuan në 23 qershor kundër jush, se ndiheshin të kërcënuar nga qeverisja juaj. Të kthehemi tek debati i sot, pse na kapët drogën e Lazaratit, ky është debati juaj sot. Ju harroni se kjo është struktura që e keni lënë policinë. Prandaj jeni mërzitur sot se vetëm muajt e fundit janë kapur me tonelata drogë. Prandaj bërtisni ju sot, po more zotërinj do ta luftojmë krimin që ju ngritët. Çdo ditë policia e kësaj mazhorance do ta luftojë krimin, trafikun. Në 2007 ju fituat 2000 me 0, në 2011 ju 700 vota më shumë, ndërsa në 2013 pavarësisht se fituam në gjithë Shqipërinë, morëm vetëm 123 vota nga komuna e Lazaratit.” tha Klosi
ORA 12:40 RISTANI: EDHE FQINJET JANE ALARMUAR NGA NARKOTRAFIKU, RAMA IK
Në fjalën e tij deputeti i PD Arben Ristani akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka shndërruar vendin në një vend të trafikut të drogës ndërkombëtare, ndërsa i bëri që të japë dorëheqjen.
“Turpi i madh për ne ta shndërrojmë Otranton në autostrdë të drogës, të detyrojmë vendet fqinje të nxjerrin ushtrinë në kufi për t’u ruajtur nga trafiku. E vërteta ndjek këtë linjë, në fillim ajo tallet, më pas sulmohet, dhe më në fund pranohet. Edhe e vërteta e trafikut të drogës kështu u interpretua, sepse Ediskobari ynë nuk mund të fshihet, edhe duke u qurravitur se ju do shumë dhe se do më të mirë. Por Ediskobari ynë do të mbushë xhepat e tij me paratë e drogës, që të blejë votat e zgjedhjet. E mbani mend kur PD erdhi në pushtet që arrestoi 10 banda? Sot këto banda kanë liçensa tregtare. Ne jemi sot këtu për të mos ju lejuar të realizoni planet tuaja ogurzeza. E mira është të hiqesh nga rruga Ediskobar.” tha Ristani
ORA 12:35 VASILI: DETYRA E PARLAMENTIT NUK ËSHTË TË MERRET ME ROMANE POLICESKE
“Hyjmë në një debat i improvizuar nga një shqetësim të sjellë nga PD.” E nisi fjalën e tij kreu i grupit të LSI, Vasili duke vijuar “Me qetësinë e duhur do u flasim shqiptarëve me gjuhën e arsye”.
“Po kërkohet në mënyrë antikushuese për të shndërruar Parlamentin në Prokurori. Ata që kërkojnë ta bëjnë shpesh këtë nuk do që t’i shkojnë çështjes deri në fund.”- tha Vasili duke folur për rastin e Divjakës.
“Autorët janë arrestuar , institucionet hetuese i kanë të gjitha materialet në dorë. Prokuroria është aty ti depozitojmë atje akuzat, pasi ata shpallin pretencën,jo Kuvendi.” –u shpreh Vasili duke shtuar se “Detyra e Parlamentit nuk është të merret romane policeske por të ndihmojë prokurorinë.”
“Opozita duhet të pranojë atë që ka ndodhur në kohën kur ajo drejtonte. Problemi nuk qëndron te shqetësimi të një avioni që i ngeci rrota në rërë, por një kauzë për të rrëzuar kryeministrin.”- theksoi deputeti i LSI duke garantuar edhe njëherë mbështetje të plotë për prokurorinë dhe institucionet e tjera hetuese në Shqipëri.
ORA 12:20 HALIMI:KUJTONI SE NJERËZIT DO PRESIN 4 VITE. E KENI GABIM, MERRNI PËRGJEGJËSITË.
Eduard Halimi ka argumentuar kërkesën e PD për seancë të jashtëzakonshme duke thënë se “Kërkuam një seancë të jashtë zakonshme për të folur në Parlament pasi kryeministri u fsheh për tre ditë”, - duke folur për Divjakën ai shtoi se “Për ne dhe qytetarët kjo ngjarje është e jashtë zakonshme. Për baronët e drogës dhe trafikantët mund të jetë e zakonshme” Deri më 10 maj shqiptarët nuk dinin se kë të besonin. Deputeti Halimi tha se “Nuk mund të pranojmë që vendi të qeveriset nga narkotrafikantët. Emëruat në polici njerëz që ministrat tuaj i kanë larguar si të implikuar në trafik.”
“Deri më 10 maj shqiptarët nuk dinin se kë të besonin”- u shpreh halimi duke theksuar se “Çdo njeri e ka kuptuar që nëse avioni nuk do i ishte thyer rrota dhe se makinës nuk do i çarë sardokati do tregonit filmin e radhës. Do thoshit që pilotit i pëlqeu Divjaka dhe u ul për turizëm.”
“Kapja e korrierëve dhe zhdukja e organizatorëve qenka superaskion. Krimi ka marrë krahë kur sheh që qeveria është bërë avokatëve e tij. U thoni avokatëve dhe prokurorëve se ata nuk janë trafikantë, por pjesë e një filmi. Juve ju intereson vetëm karrigia juaj, për ju qytetarët janë asgjë.” -tha ai.
Sipas Halimit, sulmi ndaj Shërbimin Informativ bëhet pasi ishin të parët që lajmëroi iuan për këtë lloj trafiku. “Kujtoni se njerëzit janë dele dhe se do presin 4 vite. E keni gabim, merrni përgjegjësitë. Populli është jashtë dhe po ju pret” përfundoi Halimi.
ORA 11:23 META MBLEDH KONFERENCEN E KRYETAREVE PER SEANCEN E JASHTEZAKONSHME
Në orën 11:23 të seancës parlamentare e cila nisi thuajse një orë më vonë nga c’ishte parashikuar, kryetari i Kuvendit Ilir Meta kërkoi 10 minuta pushim për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve për të shqyrtuar kërkesën e partisë Demokratike për mbajtjen e një séance të jashtëzakonshme parlamentare për trafikun e drogës në vend dhe akuzat për implikimin e vetë kryeministrit.
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ka përsëritur sërish nga foltorja e Kuvendit këtë kërkesë, ndërsa kryeparlamentari Meta argumentoi se termi seancë të jashtëzakonshme nuk ekziston në rregulloren e Kuvendit, dhe për këtë arsye nuk është ndryshuar rend ii ditës i seancës së 15 Majit.
“Ka dy mundësi të tjera, -tha Meta, - për të zhvilluar debat për një cështje të caktuar, e para: për Mocion dhe e dyta: për ndryshimet në rendin e ditës së Kuvendit, ku duhet marrë vendim me 3/5 e deputetëve të pranishëm.
PALOKA: RAMA DOREHIQU, JE I IMPIKUAR ME DROGEN
Seanca parlamentare është çelur me fjalën e nënkryetarit të partisë Demokratike Edi Paloka i cili kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama duke e akuzuar se ka është i implikuar në trafikun e drogës dhe se duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet që sipas tij kanë ndihmuar narkotafikun.
“U fol për fantazi të çmendur ndaj opozitës dhe filloi fushata e talljes publike me akuzat që ne ngritëm, filluan të shfaqin talentin e tyre për tu tallur m opozitën që fantazonte avionë që fluturonin në hapësirën tonë ajrore. Ka disa të vërteta që nuk lënë vend për dyshime, narkotrafiku nga ajri zhvillohet në Shqipëri, s’janë më mushkonjat e kryeministrit, por janë avionë me drogë. Kryeministri është i implikuar, je kryeministër dhe ti mban përgjegjësi për të gjitha veprimet dhe mosveprimet që kanë ndihmuar narkotrafikun. Ka vënë njerëz në pikat më kyçe që duhet të luftonin drogë, prandaj ne kërkojmë dorëheqjen e Kryeminsitrit. E dimë ne që ka ekzistuar trafiku i drogës, por i kemi kërkuar dorëhqje për implikimin e tij, se aktet flasin të gjitha për implikim direkt të tij në trafikun e drogë, u përpoq të fshihte të vërtetën gjatë gjithë kohës. Rama është rrezik edhe për vendet tona fqinje”, u shpreh Paloka.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)