Një fokus në fjalën e tij të fundvitit, kryeministri Edi Rama e vendosi tek pensionistët. Rama tha se bonusi i pranverës do jetë i përhershëm. Kritika të ashpra kishte edhe për reformën e pensioneve të qeverisë Berisha, duke e krahasuar atë me skandalin e piramidave financiare.
Rama tha se reforma e pensioneve e ndërmarrë para vitit 2014 ka krijuar një sistem të padrejtë, ku pensionistët që kanë punuar të njëjtën punë dhe kanë po të njëjtat vite pune, marrin pensione të ndryshme. Ai theksoi se qeveria e kaluar shkatërruan sistemin e pensioneve dhe nuk e ngriti atë, duke trajtuar pensionet si lëmoshë dhe duke sabotuar sigurimet shoqërore.
Rama e cilësoi këtë si një padrejtësi historike dhe një brutalitet, duke theksuar se kjo ka pasur një efekt të ngjashëm me skandalin e piramidave. Rama tha se pensionistët nuk duhet t’ua falin këtë shkaktarëve, ndërsa theksoi se po përgatitet reforma e re e pensioneve.
"Jemi në kushte kur për shkak të rritjes kemi vendosur një volum financimi të pensionistet për fundvittin që do ishte i pamendueshëm vetëm disa vite më parë. Diskutimi është shumë, është pak, është diskutim tjetër. Nuk është asnjëherë shumë për askënd që futet në kategoritë për të cilat flasim, për pensionistët jo e jo. 100 mln euro bonus i fundvitit është një shumë që sot e kemi mundësinë duke u lehtësuar nga një barrë e madhe e viteve të rritjes ekonomike, që pensionistët nuk i kemi përfshirë dot në këtë rritje. Kjo është shenjë e kësaj dhe nga ana tjetër, fakti që kemi mundësinë të vendosim bonus të pranverës që do ta mbajmë në të gjitha vitet si një pasqyrë që do të reflektojë çdo rritje mbi parashikimin, është shumë domethënës. Përtej kësaj, jemi në një proces pune me partnerë dhe ekspertë për një reformë të re pensionesh. Jmei në kushtet kur kemi, sot dhe kushdo më pyeste, lëri të gjitha dhe gjej vetëm një pasqyrë ku të shoh çka qenë, ç’është dhe ç’mund të bëhet me qeverisjen e Shqipërisë. Do ti jepja pensionistët. Do ti jepja, jo një dy e tre, por një grup të cilët dalin në pension pas vitit të reformës në 2014 dhe grupin para 2014 dhe do ti tregoja pensionin për të njëjtën punë dhe të njëjtat vite pune. Mjek me 40 vite pune i dalë në pension para 2014 dhe pas 2014, me dy pensione të ndryshme i pari një pension afër të ulëtit, i dyti afër një pension rreth 600 euro.
Kush e ka qeverisur Shqipërinë me parë e shkatërroi me themel të gjithë sistemin demokratik të pensioneve, nuk e ngriti fare, shkatërroi të ardhmen duke e trajtuar pensionin si lëmoshë dhe duke sabotuar të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore me një pension tavan 240 mijë lekë që të hidheshe përpjetë nuk ngjiteshe mbi atë tavan. Dhe mbi një numër pensionistësh të nxjerrë në pension që 40 e 45 vjeç kur u shkatërrua komplet struktura e vjetër e sistemit të kaluar dhe nuk u bë asgjë për të krijuar një sistem të ri. Sot i kërkohet me të drejtë qeverisë, se pse ka një disbalancë mes pensioneve të të njëjtës kategori për të njëjtat vite pune, ndërkohë që përgjigja është e thjeshtë por shumë e rëndë.
Nëse qeveria do ti trajtojë pensionet si një detyrim që financohet nga taksat, ajo që ka bërë Sudja, Xhaferri dhe Saliu nuk do jetë më e rënda që shqiptarët kanë parë. Ata që vuajnë atë shëmti politike në kurriz të tyre, duhet të mos ia falin minimumi kurrë shkaktarëve. Nëse duan adresën e shkaktarëve jam i gatshëm t’ua jap, por besoj e dinë. Reforma që do konceptojmë do duhet të zbusë këtë padrejtësi historike. Ajo që është bërë me pensionistët, nga pikëpamja e padrejtësisë, pabesisë, brutalitetit është shumë e ngjashme me atë që është bërë më piramidat por me efekt në kohë dhe në formën e stresit me të gjithë ata që janë viktimë e asaj.
Të thuash që ju keni 11 vjet qeveri dhe akoma do thoni ata, patjetër do themi ata se sistemet e pensioneve ngrihen me shekuj dhe sistemet e pensioneve të ngritura së prapthi në çerekshekulli nuk mund të korrigjohen dhe kthehen së mbari për të gjithë në një dekadë. Bonuset janë një mundësi që pa prishur skemën, pa u hyrë në hak fëmijëve dhe pa u hapur të gjithë shqiptarëve një gropë të padukshme si ajo e Sudes, të mund t’i kompensojmë pensionistët", tha Rama.
Lajmi kryesor: