Rama teksa ka uruar të gjithë qytetarët vlonjate për festat e fundvitit, ka thënë se shpejti do të nisë një aksion i ri kundër punësimit në të zezë për t'i dhënë fund informalitetit dhe skllavërisë. Kreu i qeverisë shtoi se pensionet në të ardhmen do të varen nga kontributet sot.
“Reforma e pensioneve, që nuk prek pensionistët aktualë, është shumë e rëndësishme për ata që dalin në pension që nga janari i vitit të ardhshëm, prandaj në 2015 ne do nisim përpjekjen tonë kundër punës në të zezë dhe informalitetit, për t’i dhënë fund skllavërisë dhe për faktin se pensionet në të ardhmen do të varen nga kontributet. Sa më të larta të jenë ato, aq më të larta do të jenë pensionet. Do jetë një vit ku do fokusohemi gjithashtu tek shëndetësia për të çuar para projektin tonë dhe anti-korrupsionin, si një betejë kundër informalitetit dhe për funksionimin e shtetit”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë nga qyteti bregdetar, ka theksuar se në 47 projekte të ndërmarra nga qeveria për vitin 2014 në të gjitha qytetet e vendit, 7 prej tyre i përkasin Bashkisë së Vlorës.
Mes projekteve konkrete, Rama u ndal në atë të portit të Vlorës, Bypass-it, që siç nënvizoi ai do të konkretizohet vitin e ardhshëm pasi janë siguruar financimet prej 55 milionë eurosh. Rama u shpreh se se ka nisur rehabilitimi i lagjes “Kushtrimi” si dhe rehabilitimi i rrugës së spitalit. Me një financim prej 13 milionë eurosh nga Banka Gjermane do të ketë një projekt studimi për ujërat e ndotura në qytetin bregdetar.
“Së pari janë 47 projekte që i përkasin vitit 201, ku ndër to në Bashkinë e Vlorës janë 7 të tilla. Njëra pjesë janë me financim të huaj dhe të tjerat të brendshëm. Një nga projektet është porti i Vlorës. Një projket tjetër është By Pass i Vlorës që do konkretizohet vitin e ardhshëm pasi janë siguruar financimet prej 55 milionë euro. Do fillojë puna për vijën bregdetare të Vlorës me një gjatësi 3.9 km, me një vlerë 20 milionë dollarë. Një projekt tjetër është zgjerimi i zonës së vijës bregdetare nga porti deri në Ujin e Ftohtë. Është në proces tenderimi. Po me financim të qeverisë është edhe gjelbërimi i vijës bregdetare të qytetit.” është shprehur Rama.
Kreu i ekzekutivit veçoi edhe reformën territoriale, duke u shprehur se harta e re me 61 njësi vendore, i jep një zhvillim të ri dhe tërësor Vlorës, veçanërisht në bujqësi. Në projekt Rama nënvizoi se është edhe rregullimi i lumit të Vlorës.
“Reforma territoriale sjell për Vlorën në tërësi duke dhënë zhvillim bujqësisë dhe jo vetëm. Në projekt është edhe rregullimi i lumit të Vlorës. Në kuadër të programit të rrugëve dytësore rurale ne 2015 do fillojë puna e rrugës transballkanike me autostradën.” tha shefi i qeverisë shqiptare.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)