Fjalët e Ramës kanë qenë të ashpra duke i cilësuar strukturat si baza thashethemesh që nuk merren me punë. Burimet e Shqiptarja.com saktësojnë se Rama ka thënë që LSI me mitin e punësimeve po korr sukses, ndërsa të punësuarit e PS-së janë më pak të angazhuarit.
Ja disa prej deklaratave kryesore të Ramës në mbledhjen e mbrëmshmeç
Të ulen tensionet e brendshme. Në kërkim të votës jemi të gjithë bashkë dhe fushata zgjedhore nuk është kohë kur duhet t’i nxjerrim sytë njëri-tjetrit. Po vazhduat unë isha më parë në parti e ky erdhi më pas, s’dilni kurrkund. Mos tregoni njëri-tjetrin me gisht se i kujt është ky e i kujt është ai. Secili të punojë në zonën e vetë se fitimi i votave është investim personal.
Ju merreni me intriga e me thashetheme dhe nuk merreni me punë. E keni mendjen të përcillni informacione andej e këtej se çfarë bëri njëri e çfarë bëri tjetri. Kujt i tha e çfarë i tha. Ju merreni me thashetheme, jo me punë. Fitojnë të tjerët që janë më të organizuar.
Të kuptohet drejt roli i kryetarit të PS-së dhe të koordinatorit të PS-së. Asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Kryetari e koordinatori nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Kryetari të merret me njerëzit e partisë.
Koordinatori është caktuar të merret me komunitetin aty ku ka peshën e vetë, pa qenë i detyruar që t’i sjellë njerëzit e tij në parti.
Asnjë kryetar PS-je nuk do të jetë në listën për deputetë. Ta harrojnë. Këtë jua kam bërë të qartë qysh në fillim. Në duan të punojnë si kryetar partie, ta bëjnë këtë si funksionarë. Intrigat mos u lodhni kot t’i bëni se jeni funksionarë dhe jo kandidatë. Kur flas në këtë pikë, e kam fjalën edhe për ty Anduel (kryetar i PS-së në Bashkinë Vlorë). Sjellja jote s’ka qenë korrekte këto kohë.
Të forcohet Forumi i Gruas. Jeni dobët në këtë aspekt. Gruaja komandon familjen dhe në Vlorë nuk ndodh ndryshe. Duhet të investoheni në këtë drejtim.
PS duhet të ketë më shumë pushtet tek njerëzit me arsim të lartë. Ky është një objektiv që duhet të na rrijë mbi kokë, por nuk do të thotë që të shmangim të tjerët.
PD vijon të ketë më shumë pushtet tek ata pa arsim, por ky nuk është problem për ne. Ne duhet të gjejmë mënyrat për ta sjellë këdo afër PS-së.
Sa aktivë janë anëtarët e PS-së? Shumica e tyre janë inekzistentë. E dini pse? Sepse ne nuk shkojmë t’i takojmë dhe t’i nxjerrim nga rutina. Edhe ku ka hatërmbetje duhet punuar për zgjidhje.
Janë bërë 136 projekte në Qarkun e Vlorës. Këto nuk janë pak, janë shumë. Dhe duhen promovuar e reklamuar tek socialistët dhe qytetarët. Reformat tona dhe investimet tona janë të prekshme, ose në proces. Këto ju duhen thënë njerëzve.
Ne kemi lejuar të krijohet miti që LSI të fut në punë. Kjo është e gabuar. Pse ndodh kjo? Sepse nuk jeni kujdesur sa duhet për njerëzit. Edhe ne i kemi mbajtur afër njerëzit tanë, por vetëm për të LSI-së flitet. Ajo e përfiton imazhin.
Ata që janë trajtuar nga PS me punë dhe favore janë më të pa angazhuarit. Kjo është absurde. Pse ndodh? Sepse nuk u kërkon llogari askush atyre. Nuk kemi evidenca për ta. Nuk koordinohemi. Ata duhet të jenë në qendër të aksionit tonë.
Duhet të afishoni listën e zgjedhësve në çdo zyrë partie por edhe në çdo qendër votimi. Njerëzit duhet ta dinë se ku votojnë dhe të kontrollojnë emrin e tyre.
Duhet plotësuar çdo QV me koordinatorë dixhitalë, kryesisht nga FRESSH. Nuk mund të neglizhohet më rëndësia e shpërndarjes së informacionit në mënyrë dixhitale në kohën e sotme.
Të shkohet tek çdo organizatë socialiste, ndryshe çdo gjë është e kotë. Informacioni dhe puna duhet të shkojë në qelizën më të vogël të organizimit të partisë.
Të bëhet plani i votave për çdo QV dhe të krahasohet me zgjedhjet e fundit. Të dimë se ku jemi dhe cilat janë objektivat. Shifrat nuk gënjejnë dhe do të masin rezultatin e gjithsecilit.
Në qarkun Vlorë janë 182 mijë zgjedhës që nuk marrin pjesë në votime. Sikur vetëm 10 % prej tyre të sillni të na votojnë, mjaftojnë.
10 200 votues për herë të parë kemi në Qarkun e Vlorës. Strukturat e FRESSH duhet t’i takojnë të gjithë ata. Kjo është forma më e sigurt e rritjes.
Angazhimi i të punësuarve është zero. Nuk kemi asnjë informacion për këtë çështje. Kjo s’mund të vazhdojë kështu. Strukturat duhet të bëhen të përgjegjshme.
Punonjësit e OSHEE-së janë kosto për punën tonë. Tu përgjigjen çdo abonenti. Nuk mund të marrim kosto politike se nëpunësit tanë nuk bëjnë siç duhet punën e tyre. Tu tërhiqet vëmendja të gjithëve.
Janë 68 mijë pensionistë në Qarkun Vlorë. Sigurimet shoqërore të nxjerrin informacionin dhe të punohet veçmas me pensionistët. Jo vetëm në mbledhje. Kjo është një kategori i veçantë që s’mund të trajtohet si gjithë të tjerët.
Punonjësit e postës të jenë në shërbim të njerëzve në të gjitha format. Ata kanë takime dhe kontakte më të gjithë komunitetin.
Të krijohet adresari i saktë i kontakteve sipas profesioneve. Kur bëjmë takime me fokuse të veçanta të dimë se kë të thërrasim. Kur duam të krijojmë programe specifike duhet të dimë se me kë të flasim sipas zonave.
Kryetarët e PS-së të bëjnë raportim me shkrim pranë çdo sekretariati çdo javë. Të mos flasim për cilësinë e raporteve. Sillini si t’i sillni, po na i sillni. Selia qendrore duhet të ketë informacion.
Punësimi në arsim, 60 % e tyre votojnë të majtën në rang vendi. Nuk duhet ta neglizhojmë këtë kategori.
Ruçi: Në Vlorë strukturat nuk kanë dhënë asnjëherë maksimumin
Kritikat ndaj degës së PS-së nuk i ka kursyer as Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Gramoz Ruçi. Ai ka evidentuar faktin se ky qark asnjëherë nuk ka dhënë maksimumin në vota, pavarësisht se kjo është një zonë e majtë. Ruçi po ashtu ka shigjetuar përçarjet brenda PS-së në këtë qark duke ju kërkuar të merren me punë dhe jo me thashetheme.
“Qarku i Vlorës është thesar votash. Asnjëherë strukturat nuk kanë dhënë maksimumin. Votat nuk janë vjelë asnjëherë sa duhet. Votuesit na e japin votën edhe nëse nuk i kontaktojmë. Puna është si të merrni dhe ata që nuk vijnë për inerci. Ky qark është hambar për të majtën. Me pak kujdes mund të maksimalizoni rezultatin. Është faji i strukturave jo i votuesve nëse nuk dalin në votim ditën e zgjedhjeve”, mësohet të ketë thënë Gramoz Ruçi.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com