Kreu i mazhorancës renditi aksionin e policisë në Lazarat, aksionin ndaj vjedhësve të energjisë , legalizimet dhe ekonominë si sukseset e kësaj mazhorance. Ndërsa për 2015 u zotua për një luftë më të fortë ndaj korrupsionit, duke nënvizuar hipotekat.
Duke kërkuar ndjesë për daljet e shpeshta publike, të cilat sipas Ramës kanë qëllimin e vetëm për transparencë ndaj publikut, kreu i qeverisë tha se nuk ka ndërmend të rrijë gjatë në pushtet. Në këtë kontekst ai tha se nuk është synim i tij zgjatja e pushtetit dhe qëndrimi sa më gjatë në krye të ekzekutivit shqiptar, por objektiv i tij është vetëm realizimi i reformave të premtuara për ndryshimin e vendit.
"E di që shumë kush mendon që e teproj me daljet në televizion por mbase do tju ngushëlloj faktin që nuk e kam ndërmend të rri shumë gjatë në këtë detyrë. Dua që ta përdor pushtetin për të bërë reformat që s'janë bërë për 20 vjet punët që duheshin bërë prej 20 vjetësh, ndryshimet që kanë 20 vjet që njerëzit i presin por nuk i shohin sa dhe si i dëshirojnë, dhe jo të përpiqem të zgjas sa më shumë qëndrimin në pushtet duke u konsumuar nga pushteti deri në pikën që larg qoftë të bëhem i ngjashëm me paraardhësin tim që jua solli në majë të hundës të gjithë Shqiptarëve", tha Rama.
Ky është takimi i fundit që kryeministri zhvillon me gazetarët për vitit 2014.
Rama: Votojmë Sejkon si Guvernator. S’kemi ende kandidat për Vendoret
Rama ben bilancin e Vitit 2014: Nuk kam ndermend te rri gjate kryeminister
2014-a është konsideruar një vit ku një pjesë e madhe e reformave janë realizuar, por ka ende shumë për vitin që vjen. Ishte ky mesazhi që kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të japë në ditën e fundit për këtë vit, ku renditi një pas gjithë reformat kryesore që koalicioni i majtë ka ndërmarrë gjatë këtij viti. Fillimisht kryeministri tha se mund të bëhej më shumë në raport me opozitën duke u angazhuar për një përmirësim të raporteve. Aksioni kundër vjedhësve të energjisë dhe fillimi i modernizimit të sistemit, ishte reforma e parë që u renditi nga kryeministri, duke premtuar modernizim të gjithë matësve brenda 4 vjetëve.
Legalizimet ishin një arritje ku kryeministri tha se është bërë një punë e admirueshme, në vetëm 1 vit, shifra ka shkuar në 21 mijë të tillë, ndërsa Partia Demokratike në 8 vjet 21 mijë e 700. Megjithatë kryeministri u angazhua për dyfishimin e numrin vitin tjetër pasi struktura është gati. Pjesë e rëndësishme e arritjeve për kryeministrin është edhe ekonomia, ku radhiti një qëndrueshmërinë dhe përmirësimin e kushteve për biznesin, ndërsa premtoi se vitin që vjen do të shlyen gjithë borxhet që qeveria ka ndaj biznesit, borxhe të trashëguara nga qeveria e kaluar. Kryeministri lëshoi edhe një mesazh në formën e batutës, se nuk ka ndërmend të rrijë gjatë në krye të qeverisë por aq sa të përfundojë reformat e filluara.
Lufta ndaj korrupsionit dhe miratimi i një plani të gjerë masash, u renditën ndër prioritetet e qeverisë për vitin që vjen. Së bashku me reformën në shëndetësi dhe arsim. Një aspekt që nuk funksionoi siç duhet për kreun e qeverisë është sistemi i hipotekave, që sipas kreu të mazhorancës ka vazhduar të jetë i zhytur në korrupsion, por që do të ndryshojë gjatë 2014. Ndërsa në fund nuk mungoi edhe urimi për të gjithë punonjësit e shtetit veçanërisht policia, që sipas kreut të qeverisë ishte aktori kyç për fillimin e reformave në gjithë sektorët e tjerë.
Rama: Falenderoj Metën, më ndihmoi për të kthyer Shqipërinë e ligjit
Kryeministri Rama e nisi fjalimin e tij me sfidat e këtij viti, për të cilin tha se ishte i vështirë. Rama falenderoi aleatin e tij qeverisës, kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën për të cilin tha se e ndihmoi pa asnjë kusht për të kthyer Shqipërinë e ligjit. Ai tha se tha se pavarësisht se me Presidentin e Republikës ka mosdakordësi, këto nuk e pengojn% për të punuar së bashku.
"Shqipëria kaloi një vit me sfida. Mbajtën barën e rëndë të një Shqipërie vajmedet, dhe çelëm rrugën për një të ardhme ndryshe. Falënderoj Presidentin e Republikes për përmirësimin e mardhënieve institucionale mes qeverisë dhe kreut të shtetit pas 1 dekade që nëse s'do ishte kjo e sotmja një ditë feste do ta quaja të turpshme për shtetin tonë. Padyshim kemi pasur dhe kemi mos dakortësit tona me presidentin por ato nuk na kanë penguar dhe nuk do na pengojnë të punojmë së bashku për të krijuar dhe konsoliduar një shembull i ri mes institucioneve. Dua të falënderoj posaçërisht Ilir Metën bashkë kryetarin e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane që më ndihmoj pa u kursyer në përpjekjen për të rikthyer shtetin në detyrë, përpjekje që vazhdon dhe po ashtu për krijimin e kushteve optimale të bashkëpunimit të Kuvendit dhe Qeverisë. Një falënderim këtu edhe për dy kryetarët e grupeve tona parlamentare Gramoz Rucin dhe Petrit Vasilin", deklaroi Rama.
Rama: Më vjen keq që nuk mund të falenderoj opozitën për bashkëpunimin
Shefi i qeverisë tha se pavarësisht se është bërë një punë e mirë gjatë këtij viti ka vend edhe për kritika. Rama duke u ndalur tek opozita tha se nuk mund ta falënderonte atë për bashkëpunimin. Ai tha se një pjesë e opozitës e ndihmoi për të spastruar administratën që ishte e mbërhtuer nga korrupsioni, por sipas tij opozita ka hedhur balë për shumë njerëz të tjerë.
"Nuk dua të rreshtoj se çfarë kemi bërë, që të ngjaj si një paradë suksesesh. Dua të them se çfarë sot mendoj se mund ta kisha bërë më mirë. Mbase me vonë mund t’i gjej punës sime shumë të meta. Do të kishim qenë më të duruar me opozitën, opozitën nuk e zgjedhim thjesht e kemi, i takon shumicës qeverisë që të jetë në çdo hap e dinjitetshme ndaj opozitës. Ky ka qenë viti më i mirë që një qeveri është sjellë mirë më opozitën, por kjo nuk mjafton. Ne nuk e kemi marrë mandatin të jemi e keqja më e vogël në këtë vend. Nuk janë shumë rastet kur kemi gabuar, megjithatë ndjesë për sjelljen ndaj opozitës. Doja që opozita të ishte në listë e para për falënderimet. Jo se nuk na ka ndihmuar, na ka ndihmuar me çoroditjen e saj. Opozita nuk po arrin të pranojë dot humbjen e merituar të pushtetit. Faleminderit sinqerisht që ka denoncuar disa raste që kanë qenë në kundërshtim të ligjit dhe që janë marrë masa të menjëhershme. Ne mirëpresim çdo denoncim që ndihmon për pastrimin e administratës shtetërore. Faleminderit opozitës për kandidaturën për statusin, dhe gjithë propagandën e padrejtë ndaj policisë së Shtetit, si dhe aksionin në Lazarat. Shqipëria e morri me meritë dhe pasi kreu të gjitha detyrat e filluara me vite, si dhe nga përkushtimi i jashtë zakonshëm i kësaj qeveria, si dhe për gjitha vendet skeptike të qeverisë që u detyruan të vlerësojnë faktet . Pa një këmbëngulje që ne bëmë në kryeqytetet evropiane ne nuk do të kishim marrë statusin”, deklaroi Rama.
Rama: Ulëm çmimin e energjisë elektrike...Kjo është e vërteta, jo lotët e krokodilit të SHQUP-it
Një nga ndryshimet që ka hasur në kundërshti jo vetëm të opozitës, por edhe të qytetarëve, është heqja e fashës mbrojtëse të pagesës për energjinë elektrike të shpenzuar nga familjet shqiptare. Kryeministri Edi Rama zgjodhi ta mbyllë këtë vit me një sqarim të detajuar për këtë çështje. Ai theksoi se çmimi nuk është rritur, sikundër pretendon opozita, por është mesatarizuar. Nga ky vendim që kryeministri Rama e vlerësoi të guximshëm, nga janari i 2015-ës qytetarët do të paguajnë jo më 10.6 lekë, por 9.5 lekë për kilovat në orë, një çmim ky i njëjtë për të gjithë. Rama foli edhe për kategoritë e familjeve shqiptare të cilat nuk shpenzonin shumë energji elektrike dhe që preken nga heqja e fashës mbrojtëse. Ai tha se qeveria ka marrë përsipër t’i mbulojë nga shpenzimet e buxhetit të shtetit.
“Rritja do të thotë rritje uniforme e çmimit, që nga çmimi mesatar që kemi sot prej 10.6 lekë të ngjitemi më lart për të gjithë. Kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi çmimi mesatar për të gjithë është ulur në 9.5 lekë. Rritja e çmimit, e cila rezulton për një fashë të caktuar nga heqja e fashës mbrojtëse ka marrë adresimin e duhur moral dhe financiar të qeverisë sepse të gjitha ato kategori për të cilat është vendosur fasha mbrojtëse dhe çmimi pas heqjes së fashës do jetë më i lartë janë marrë në mbrojtje nga qeveria dhe diferenca do të mbulohet nga buxheti i shteti, duke çuar në pensionet e tyre para. Të tjerët janë të gjithë përballë një çmimi mesatar të ulur nga 10.6 lekë në 9.5 lekë. Kjo është e vërteta. Të tjerat janë bar SHQUP-i i vaditur me lot krokodili”, sqaroi Rama.
Rama: Ne janar 2015 nis projekti i sistemit dixhital te matjes se energjise elektrike. Ne 4 vjet merr fund sistemi i korruptueshem
Janari i vitit 2015 do të shënojë edhe nisjen e projektit të dixhitalizimit të matjes së energjisë elektrike. Kryeministri Rama tha se për 4 vjet sistemi dixhital do të jetë përhapur në të gjithë Shqipërisë. “Do të kemi një sistem ultra modern të pakorruptueshëm nga askush. Por e përsëris dhe jam i bindur që më mirëkuptojë ata që e dinë se ç’është puna, se gjërat që bëhen me punë, gjerat që janë shkatërruar për shkak se nuk është punuar për t’i mbajtur nuk bëhen as brenda natës dhe as kur dëshira na e do. Bëhen kur merret koha e nevojshme për ti bërë”, u shpreh shefi i mazhorancës.
Rama: Ne Janar publikojme rezultatet e aksionit te energjise...jane impresionuese
Duke iu referuar aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, i cili vijon në të gjithë vendit nga punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kryeministri Rama tha se në Janar do të paraqitet për publikun përmbledhja e të gjithë operacionit.
“Rezultatet janë inkurajuese dhe dua të falënderoj qytetarët që po lidhin marrëveshjet e ligjshme me OSHEE, duke i ftuar të gjithë të tjerët të përfitojnë nga mundësia që nuk do të përsëritet dhe që është e hapur deri më 28 Shkurt, që duke paguar borxhin të ulim 80 % kamatëvonesë. Mbas 28 Shkurtit kjo mundësi nuk do të ekzistojë më për asnjë”, tha kreu i qeverisë.
Rama: Në janar merret vendimi, paguajmë 2 vjet qiranë për shtëpitë që shemben për projekte kombëtare
Në fokus të konferencës së fundvitit, kryeministri Edi Rama vuri edhe aksionin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në prishjen e ndërtimeve pa leje. Rama tha se deri më tani janë prishur vetëm nderime për qëllime përfitimi, dhe se banesat janë shumë të pakta në numër. Rama tha se në fillim të vitit 2015 do të merret vendimi për pagesën e qerasë deri në 2 vjet për të gjitha familjet që preken nga shembja e banesave që cenojnë projekte me interes kombëtar.
“Çibanët që janë ngritur mbi trotuare janë turp i pashembullt, s’mund të ngremë dot kokën nëse s’bëjmë këtë operacion. Në prishjen e tyre kemi qenë të qartë, jo prish për ë prishur, po për të siguruar përmirësimin e infrastrukturës. Jemi i vetmi vend në rajon që rrugët kombëtare i kemi të bllokuara dhe të pasigurta për shkak të ndërtimeve pa leje, që s’kemi ç’ti bëjmë tjetër veçse kur kemi mundësi i shpronësojmë. Në prishjen e shtëpive kemi qenë të kujdesshëm absolutisht të kursyer dhe numërohen me gishtat e duarve. Vitin e ardhshëm do të fusim një vendim që të gjithë atyre që do tu cenohet shtëpia pa leje, vetëm kur cenohen projekte me interes kombëtar, ose zhvillimi brenda për brenda qyteteve, do tu vëmë në dispozicion pagesën e qerasë për 2 vite, në mënyrë që të sistemohen pas dy vitesh. Dhe jo për ndërtime pa leje për qëllime përfitimi, jo që si japim asnjë lloj dëmshpërblimi po do t’i prishim pa asnjë ekuivok. Këta që ankohen për shtëpitë e njerëzve, kanë lënë pa paguar subvencionet për të pastrehët, në 2.8 mln $. Na i kanë lënë ne, ne i kemi paguar. Enti kombëtar i Banesave ka nënshkruar 5 marrëveshje për ndërtimin e disa qindra apartamenteve të reja”, tha Rama.
Rama: Nga janari 2015, bashkitë dhe komunat do të japin leje për shtëpi e rikonstruksione
Nga kjo konferencë Rama lajmëroi se në janar të 2015-ës do të Bashkitë dhe Komunat do të mund të japin leje për ndërtimin e banesave për një familje, pra jo pallate, ashtu sikurse dhe për rikonstruksionin e banesave. Rama tha se ky vendim u pezullua më herët sepse më parë duhej sistemuar situata e ndërtimeve pa leje.
“Para dy ditësh KKT ashtu sikundër e paralajmërova në parlament, me vendosjen përfundimtare të penalizmit prej 3 vjetësh heqje lirie, mori vendimin për të zhbllokuar të gjitha ndërtimet për banesa një familjare apo për rikonstruktisone banesash ekzistuese. Nga janari të gjitha bashkitë e komunat do të jenë të lira të japin leje për ndërtim banesash një familjare, apo rikonstruksion banesash, siç e ka pasur, por siç nuk ishte do t e shmangshme të kishte, se në radhë të parë donim të sistemonim situatë. S’kemi ndërtime pa leje pas 20 vjetësh gjej shesh e bëj përshesh. Kemi një situatë ku të gjitha ndërtimet vazhdojnë rregullisht të marrin një dritë jeshile nga KKT dhe pastaj nga njësitë vendore. Po shqyrtojmë dhe një kërkesë të bashkisë së Tiranës, para hyrjes në fuqi të aktit të pezullimit të lejeve të ndërtimit, KKT do të japë përgjigje në zbatim të ligjit, pa penguar asnjë plan për zhvillimin urban të Tiranës”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama: Ndjese qytetareve qe paguajne e s'kane energji. Rimekembaj ka nisur, duhet vetem durim!
Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve që paguajnë energjinë elektrike, por që herë për shkak të motit, herë për shkak të defekteve në rrjet, vuajnë ndërprerjen e dritave. Ai tha se rimëkëmbja e sistemit ka nisur dhe se mbetet vetëm të durohet!
“Dua t’i kërkoj ndjesë të ndjerë çdo qytetari që paguan dhe nuk merr furnizimin e rregullt me energji, çdo familje që po përjeton shkëputje të energjisë, çdo biznesi që ka pasur ndërprerje për shkak defektesh teknike nga një sistem shpërndarje i lënë prej vitesh pa asnjë investim nga shteti. I kuptoj ata që thonë: “Pse na e shkëpusni, pse na vjen fatura aforfe, pse s’na funksion sahati”, janë të gjitha legjitime të mirëkuptueshme, por kërkoj mirëkuptimin dhe durimin e secilit, se rindërtimi i sistemit ka nisur dhe kërkon kohën e vet. Janë 250 mln dollarë që do të investohen gjatë gjithë vitit të ardhshëm”, tha Rama
Rama: Në 2014 dhamë 21 mijë leje legalizimi falas. PD 21.700 në 8 vjet
“Po prishim për të ndrequr, dhe kemi ndrequr shumë çka është prishur për vite të tëra. E mbyllim vitin 2014 (meqë akuzohemi si prishës shtëpish) me 21 mijë leje legalizimesh falas, nga prilli në dhjetor. Se nga tetori në prill sistemuam në dollap dosjet e legalizimit që ishin nëpër banje, zyrash rojesh e s’dihej ku e kishin fillin. 21 e 700 ka bërë PD në 8 vjet, ne bëmë 21 mijë. Në 2015 do të kemi dyfishim e legalizimeve , se tashmë struktura është ngritur dhe funksionon”.
Ish të përndjekurit, Rama: Deri në fund të mandatit dëmshpërblejmë ata që i kanë mbijetuar burgut
Një fazë të re e ka cilësuar shefi i qeverisë dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit. Rama premtoi se brenda mandatit do të shpërblehen gjithë të dënuarit politikë që i kanë mbijetuar burgut. Sipas tij kjo qasje nuk bëhet për vota, siç bënte dikur qeveria, por për një drejtësi morale mes qeverisë dhe kësaj shtrese.
“Kemi hyrë në një fazë të re dhe përfundimtare me të përndjekurit politik. Një tjetër borxh i madh i politikës me këtë njerëz, kemi sjellë një qasje të re jo për vota por për drejtësi morale mes qeverisë dhe asaj shtrese. Sot fillon kësti i katërt për këtë shtresë, e do të vazhdojmë . Atë që kemi shkruar në program do ë bëjmë realitet, e madje më shumë. Deri në fund të mandatit do të bëjmë shpërblimin gjithë të dënuarve politikë që i kanë mbijetuar burgut”, deklaroi Rama.
Shefi i qeverisë tha se ka kaluar ligji për hapjen e dosjeve. Rama tha se do të marrë fund historia pa fund e dosjeve, që ka vazhduar kët 20 vite. E sipas tij këtë do e bëjë PS e LSI.
Rama: Ka shumë inspektorë zuzarë që vazhdojnë me presione
Kryeministri Rama tha se dy drejtoreshat, ajo e tatimeve dhe e doganave kanë bërë një punë të mirë. Megjithatë sipas tij ka shumë inspektorë, që kryeministri Rama i etiketoi si “zuzarë”, që vazhdojnë me avazin e vjetër të presioneve dhe gjobave.
“Falenderoj drejtoren e tatimeve dhe të doganave që kanë udhëhequr një transformim rrënjësor. Dhe kanë sjellë shumë të ardhura. Kjo nuk do të thotë se unë jam i lumtur me gjithçka që është bërë, e nuk na mbetet më t’i themi vetes atë që kishim për të bërë e bëmë. Nuk do të jemi të qetë deri kur një sipërmarrës të jetë mos jetë i kënaqur me inspektorin e tatimeve. Ka shumë zuzarë që vazhdojnë më avazin e vjetër të presioneve”, deklaroi Rama.
Rama: Projekt pilot për tabletat dhixhitale, përzgjedhim kompaninë
Në fokus të konferencës së fundvitit u vendos edhe arsimi. Rama tha se shumë shpejt do të nisë një projekt pilot për mësimdhënien me tableta dixhitale në vend të dërrasave të zeza. Aktualisht qeveria është në fazën e përzgjedhjes dhe kontraktimit të kompanisë që do të mundësojë këtë projekt.
“Jemi në fazën e përzgjedhjes dhe kontraktimit të një kompanie që do të fillojë punën me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për tabletat mësimore dhe tabletat elektronike në vend të dërrasave të zeza, po fillon me një projekt pilot se eksperienca e vendeve të tjera tregon se ka vështirë kalimi se duhet trajnimi i mësuesve, se nxënësit janë të shpejtë në kapjen e mekanizmit dixhital dhe Zaho është 5 muaj po ju siguroj se është spektakël për sytë të shikosh se si reagon kur shikon telefonin tim kur sheh se unë bëj ndonjë “selfie”. Për këtë arsye është e nevojshme të kalojmë përmes një projekti pilot”, tha Rama.
Rama: Vitin e ardhshëm, alterteksti një qenie në zhdukje
Rama tha se vitin e ardhshëm do të hiqet atlerteksti.
“Fillon politika e re me tekstet, atleterteksi është një qenie në zhdukje, fillon vitin e ardhshëm, do t’i referohemi një modeli të një sistemi të konsoliduar evropian apo botëror dhe do të marrim tekstet gati. Ne shqiptarët në këtë fazë që jemi kështu si jemi katandisur 20 vjet na mjafton të shkruajmë me sa më pak gabime historinë tonë, gjuhën tonë dhe letërsinë tonë si tekste shkollore. Të tjerat i ka bërë bota me kohë shumë më mirë se ne që s’jemi dhe shumë mirë në botën akademike. Do futet një tekst i konsoliduar nga një sistem botëror”, tha Rama.
Rama i pergjigjet pyetjeve te gazetareve
Rama: Mazhoranca zgjodhi të mos hyjë në ngërç institucional me Nishanin, nuk refuzojmë Sejkon për Guvernator
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeministri Edi Rama foli për herë të parë publikisht edhe për kandidaturën e Presidentin Nishani për Guvernator të Bankës së Shqipërisë. Kryeministri tha se mazhoranca ka zgjedhur të shmangë ngërçin institucional, dhe të mos e refuzojë emrin e Genti Sejkos për në krye të institucionit më të lartë financiar në vend. Sipas, kreut të qeverisë kjo është arsyeja që do e udhëheqë shumicën në Kuvend të jetë pro kandidatit të Nishanit, edhe për nuk ishte përzgjedhje e mazhorancës.