“Angazhohem sot para jush se viti 2018 do të jetë i fundit në të cilin buxhetit i shtetit do të ketë rrogat ekzistuese për ju. Ne jemi të vendosur të rrisim buxhetin e ushtrisë, gjë që e kemi bërë me buxhetin 2018, por rritja do të vazhdojë për të arritur një objektiv. Dhe e para rritje prioritare për vitin 2019 do të jetë rritja e konsiderueshme e pagave të të gjithë ushtarakëve”, ka deklaruar Rama.
Kreu i qeverisë u ka premtuar efektivëve që u përballën me katastrofën natyrore se do të marrin shpërblimin e merituar për këtë angazhim, që sipas tij shpëtoi jetë njerëzish.
“Pavarësisht nivelit të lartë profesional dhe nivelit të lartë të vetëdijes patriotike që mishëroni, ne nuk kemi arritur që t’ju shpërblejmë ashtu siç e meritoni dhe të mbyllim hendekun e pajustifikuar mes jush dhe Policisë së Shtetit, kur vjen fjala tek shpërbilimi. Ajo që ju bëni nuk mund të shpërblehet financiarisht, por sot qeveria do të vendosë një shpërblim si shprehje e mirënjohjes. Ne do të shlyejmë borxhin e padrejtë”, ka deklaruar Rama.
Më tej shefi i qeverisë ka uruar Forcat e Armatosura për 105-vjetorin e krijimet, që i gjeti ato të angazhuara për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
“Më 4 dhjetor situata nuk na dha mundësinë të ishim së bashku, ndaj sot jam këtu për t’ju uruar të gjithëve drejtpërdrejtë festën e FA, e cila për hir të së vërtetës nuk mund të kremtohej në mënyrën më kuptimplotë sesa angazhimi juaj në vijën e parë, aty ku të gjithëve ju çoi detyra. Kjo është një festë e njerëzve nën uniformë dhe e familjeve të tyre, por dhe e gjithë Shqipërisë”, ka shtuar Rama.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, shefi i ekzekutivit ka falenderuar vendet fqinje për ndihmat, si dhe ka vlerësuar angazhimet e prefektëve në rrethe, të cilët menaxhuan situatën e krijuar nga prurja e ujërave.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO








