E PLOTË/ Rama në Kongresin e PS-së: Shqipëria në BE, amaneti ynë që do ta shlyejë kjo forcë qeverisëse

E PLOTË/ Rama në Kongresin e PS-së: Shqipëria në BE, amaneti ynë që do ta shlyejë kjo forcë qeverisëse

Kryeministri Edi Rama

*Fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste të Shqipërisë

E ndjera nëna ime, dikur kur shkoja tek shtëpia e saj, më dilte ndonjë kështu, uff-buff.  më thoshte: “ça ke?” U lodha, i thoja.

- “U lodhe?”

 – U lodha!

- “Po”,  thoshte, - “nuk më duket se ta ka vënë njeri me zor revolen në fyt për te të mbajtur aty. U lodhe, lëre”. Dhe që atëherë, unë nuk them më u lodha, por më vjen shumë mirë që megjithëse ishte një Kongres goxha i gjatë, ditë pushimi me një vakt dreke në mes, as ju nuk thatë “u lodhëm”. Mbase disa këtu e menduan që na lodhën, por e rëndësishme është që jemi të gjithë këtu për ta përmbyllur këtë ditë dhe prandaj duroni edhe fjalimin tim si zakonisht të shkurtër.

Të dashur delegatë të Kongresit, shokë, shoqe, miq dhe të ftuar dhe nga jashtë vendit, por nga brenda familjes sonë të Internacionales Socialiste. Sot kemi shpalosur ambicien dhe prioritetet tona më kryesore të zhvillimit në vijim të një përpjekjeje të përbashkët për ta ngjitur Shqipërinë 2030 në majën e lartë drejt së cilës u nisëm 10 vjet më parë.

Morëm në kurriz një vend të zhytur në borxhe, varfëri, korrupsion në çdo qelizë, krim të organizuar, por edhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit dhe në një kohë kur askush nuk e merrte seriozisht emrin Shqipëri dhe Shqipëria goditej sa herë zihej më gojë, qoftë në institucionet ndërkombëtare, qoftë në mediat e botës së lirë.

Në këtë dekadë te parë të qeverisjes sonë ne kemi punuar shumë në çdo front dhe kemi luftuar me mijëra plagë të mëdha e të vogla, të trashëguara dhe me plagët e jashtëzakonshme të fatkeqësive të reja që na sprovuan njëra pas tjetrës; një tërmet shkatërrimtar, një pandemi marramendëse, një krizë e rëndë botërore e çmimit të energjisë dhe inflacionit të luftës, të cilat po ta kishin gjetur Shqipërinë në gjunjë siç ishte 10 vjet më parë, do ta kishin degdisur këtë vend në një humnerë ekonomike, financiare, sociale të pa imagjinueshme. Pa asnjë ekzagjerim, të ngjashme me humnerën e vitit 1997 por fatmirësisht dhe vetëm falë Partisë Socialiste të Shqipërisë, të treja furtunat dërrmuese na gjetën në këmbë dhe na gjetën të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e zakonshëm të këtij vendi me forcën dhe me dinjitetin e një shteti që ende nuk ua plotëson dot shumë gjëra qytetarëve të tij, por ama nuk i lë vetëm kurrë në momentet e vështirësive më të mëdha.

Parafytyrojeni sikur tërmeti të na kishte gjetur me borxhet mbytëse të vitit 2013! Imagjinoni sikur pandemia të na kishte gjetur me spitalet dhe shërbimet e urgjencës të vitit 2013 apo pa platformën e shërbimeve digjitale që mundësoi zbatimin e planit të karantinës, jetike për mos përhapjen e pakontrollueshëm të armikut të padukshëm, se si do të kishin shkuar gjërat. Merreni me mend sikur egërsia e luftës që ngriti çmimet e energjisë në qiell, të na kishte gjetur me gjysmën e miletit që nuk paguante dritat dhe me kompaninë e shpërndarjes që ishte në prag të shkatërrimit përfundimtar, apo sikur inflacioni i stimuluar nga djallëzia e Moskës për të gjunjëzuar Europën demokratike të na kishte gjetur me arkën e zbrazur të vitit 2013.

Sot Shqipëria është një vend krejt tjetër i cili çmohet botërisht si kurrë më parë për përparimet e dukshme që ka bërë, pret thuajse 10 milionë turistë brenda një viti si ky që po mbyllim, ka një monedhë kombëtare më të fortë se asnjëherë, ecën çdo ditë përpara në çdo drejtim dhe ulet në çdo tryezë të komunitetit ndërkombëtar dhe jo vetëm duke dhënë respekt siç ka bërë gjithmonë, por edhe duke marrë të njëjtin respekt nga të gjithë siç nuk ndodhte përpara se sa ne ta sillnim Shqipërinë në këtë formë dhe në këtë pozicion. Pas një dite të gjatë punimesh të këtij Kongresi ku u thanë shumë gjëra, për çka po bëjmë e për çka do të bëjmë e mbi të gjitha pas 10 vitesh të pandalshme përballjeje në çdo hap me faktet e të shkuarës, unë nuk dua as të përsëris ato që u thanë, as t’ju marr më shumë kohë me ndryshimin si dita me natën, mes te sotmes dhe të djeshme. Dua të përqendrohem vetëm në disa tema kyçe të se nesërmes për Shqipërinë, shtetin dhe partinë.

Unë besoj se me gjithë vlerën e shtuar që kemi krijuar, me punët e gjithanshme që kemi bërë Shqipëria nuk është aspak jashtë rrezikut të rikthimit mbrapa, nëse ne Partia Socialiste e Shqipërisë nuk do fokusohemi me gjithë forcën e ambicies, vëmendjes dhe angazhimit të përbashkët tek krijimi i garancive të progresit pa kthim dhe pa ndalim.

Vetëm merreni me mend për një moment me çfarë ju shikojnë sytë rreth e rrotull sikur ne të mos jemi këtu dhe të tjerë të jenë në vendin tonë se me çfarë shpejtësie mund të bëhet i gjithë ky progres. Prandaj ne na duhen të paktën tre garanci:

Një vend i gatshëm për t’u anëtarësuar në BE.

Një shtet ku fryma e modernizmit të hyjë në të gjitha venat e organizimit të tij

Një forcë qeverisëse e përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor të shoqërisë.

Dua ta besoni se për ne, asgjë nga këto që u thanë dhe u panë nga mëngjesi deri tani nuk mund të jenë mjaft. Ne do ndërtojmë më shumë infrastrukturë patjetër. Ne do ta rrisim turizmin, patjetër. Ne do të bëhemi eksportues neto të energjisë, patjetër. Ne do të bëjmë dhe të tjerat me radhë që u thanë dhe u panë sot, patjetër. Por të gjitha këto nuk do ta bëjnë Shqipërinë një vend të gatshëm për anëtarësim në BE, nëse ne nuk do të kemi një drejtësi europiane dhe një mirëqeverisje europiane; as nuk do ta bëjnë këtë vend një shtet ku fryma e modernizimit të hyjë në çdo venë të tij, nëse ne nuk do të guxojmë të thyejmë kornizën e progresit gradual përmes inovacionit, jo gradual dhe jo thjeshtë në aspektin teknologjik, por në qasjen, në filozofinë e qasjes së institucioneve ndaj idesë së progresit. Dhe as s’do ta bëjnë këtë parti një forcë qeverisëse të përkushtuar ndaj kapitalit njerëzor të shoqërisë, fitoret elektorale të radhës me disa kundërshtarë as të gjallë dhe as të vdekur, të cilat fitore, aq sa vlejnë duke na dhënë mundësinë të udhëheqim vendin, aq edhe mund të na ulin nivelin e kërkesës jetike ndaj vetvetes si forcë udhëheqëse e Shqipërisë, duke e lënë praktikisht progresin pa asnjërën nga të treja garancitë e domosdoshme që përmenda.

Sepse nëse PS nuk e ngre më lart dhe më lart, dhe më lart kërkesën ndaj vetes përmes secilit prej drejtuesve të saj në çdo nivel ku ata drejtojnë, në radhë të parë, atëherë nuk ka as kush e bën gati Shqipërinë për t’u anëtarësuar në BE, as kush fut gjakun e modernizimit në çdo venë të organizmit të shtetit dhe as kush t’i përkushtohet kapitalit njerëzor të Shqipërisë.

Gatishmëria e Shqipërisë për anëtarësim të plotë në familjen europiane, fuqia modernizuese e organizimit të shtetit shqiptar dhe rritja e kapitalit njerëzor, janë sot dhe jo për pak vite të tjera pazgjidhshmërisht të lidhura me këtë parti. Prandaj, çdokush që ka një detyrë nga kjo parti apo një detyrë për këtë parti duhet t’i vërë gishtin kokës vet çdo ditë. Unë ia vë! Dhe t’ia kujtoj mirë këtë fakt absolut, që nëse PS ndalon, ulet, vetëkënaqet dhe nuk synon më lart e më lart e më lart, garancitë mungojnë dhe progresi vihet në diskutim serioz, në një botë, në një rajon, në një kohë kur çdo ditë që dikush ndalon, distanca me të tjerët që vrapojnë bëhet shumë herë më e madhe sesa ç’ndodhte në kohëra përpara kësaj.

Ne do shkojmë në Bruksel javën e ardhshme për mbledhjen e Këshillit Europian me Ballkanin Perëndimor, me kokën lart dhe me bindje në meritat e Shqipërisë për të gjitha rezultatet e nënvizuara qartë në raportin e progresit të Komisionit Europian, si dhe të përshëndetura pa asnjë rezervë nga 26 shtete anëtare të Bashkimit Europian.

Vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë për hir të së vërtetës, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike në marrëdhëniet fqinjësore, Greqia. Historia dihet, nuk ka nevojë të humbasim kohë dhe sot, duke përsëritur qëndrimin tonë ndaj arsyes në fjalë. Qëndrim, që as nuk ndryshon deri në 13 dhjetor dhe as nuk do të ndryshojë përtej 13 dhjetorit! Dhe ky qëndrim nuk do të ndryshojë, jo sepse ne jemi kokëfortë, por sepse arsyeja për të mos ndryshuar qëndrim është shumë më kokëfortë sesa ne.

Drejtësia për Shqipërinë është sot si uji që sapo ka nisur të dalë me vështirësi në një shkretëtirë ku brez pas brezi ishte e trashëguar gojëdhëna se “nuk do dilte kurrë”. Unë nuk do të pranoj ta besoj deri në 13 dhjetor se fqinjët tanë do t’i vënë tapën e vetos shishes së hapur me aq shumë përkushtim, punë dhe profesionalizëm nga një skuadër prej më shumë se 1000 vetash në gjithë sistemin e shtetit tonë që e kanë përfaqësuar me dinjitet dhe me seriozitet Shqipërinë përgjatë këtij viti në tryezat e dialogut dhe të prezantimeve në Bruksel për skanimin e plotë të gjendjes së vendit duke na nderuar të gjithëve dhe duke provuar me fakte të panumërta gatishmërinë e Shqipërisë për ta vazhduar më tutje procesin e negociatave, duke çelur grup-kapitullin përkatës.

Por juve të gjithëve dhe atyre shqiptarëve që na dëgjojnë dua t’ju them shumë sinqerisht se në rast se kjo ndodh unë nuk do kthehem nga Brukseli i mërzitur. Asnjë fije i mërzitur, ju siguroj për këtë, por do kthehem dhe më krenar për Shqipërinë, edhe më i motivuar për të vazhduar se bashku punët e mëdha të shtëpisë sonë të përbashkët, edhe më i bindur se një absurditet i tillë në rast se ndodh nuk do ta vonojë dot as një ditë procesin e anëtarësimit tonë në BE, madje edhe më i vendosur për ta përshpejtuar këtë proces edhe për ta bërë gati Shqipërinë për BE-në edhe më përpara akoma se BE-ja të jetë gati për Shqipërinë.

Unë jam i bindur që shumëkush, mbase jo në këtë sallë, por jashtë saj, mendon se kjo është retorikë. Po kjo nuk është retorikë. Ky është një fakt i mbështetur në argumente konkretë prej të cilëve unë po sjell këtu vetëm dy.

I pari është një argument krejt teknik. Që një vend të jetë teknikisht gati për t’u bërë shtet anëtar i BE-së duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e tij me legjislacionin e Bashkimit Europian. Për Shqipërinë kjo do të thotë që të ndërvendosë në legjislacionin e saj 280 mijë faqe të 3484 masave ligjore të Komunitetit Europian ose ndryshe ne duhet të miratojmë mbi 4 mijë akte ligjore dhe nënligjore. Që kur Shqipëria e ka nisur ta bëjë këtë përafrim të përbashkët të legjislacionit me BE-në, shumë vite më parë e deri tani, ka arritur të bëjë ndërvendosjen e vetëm 510 masave, rreth 15% të gjithë volumit që duhet transferuar dhe ndërvendosur në legjislacionin tonë. Tradicionalisht kjo punë kolosale për vendet që e kanë kaluar këtë proces përpara nesh, ka marrë 7 deri në 10 vjet. Shqipëria këtë punë do ta bëjë shumë herë më shpejt sesa më i shpejti i vendeve pararendëse.

Dhe ky nuk është, prapë po e them një qëndrim retorik, ky është një argument i mbështetur në shkencë, në inovacion teknologjik. Askush nga ne nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e një vajze vlonjate, një talent gjenial shqiptar që quhet Mira Murati. E dëgjuam të gjithë njëkohësisht, bashkë me gjithë botën emrin e Mira Muratit kur ajo mahniti të gjithë me krijesën e inteligjencës artificiale me emrin “chat gpt”. Po ju e dini se si është jeta. Secili ka fiksimin e vetë. Unë kam fiksimin tim. Dhe e kërkoj Mira Muratin, me thënë të drejtën i ndrojtur nga një ndrojtje që përgjithësisht nuk më karakterizon, dhe ajo më jep një takim telefonik. Dëgjoj një zë miqësor që shkrin menjëherë akullin dhe unë marr guximin t’i kërkoj ndihmë për ta bërë gati më shpejt Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ajo qesh se mbase kujtoi se unë po bëja humor, megjithatë thotë “po të dëgjoj”. Unë e pyes, a është e mundur që në vend se ne, siç kanë bërë vendet e tjera më parë të rekrutojmë tani një armatë me përkthyes dhe një batalion me juristë dhe të shpenzojmë nuk e di se sa dhjetëra miliona euro për të bërë gati në shqip malin me masat ligjore të BE-së, ta bëjmë këtë përmes ‘’chat gpt-së’’. Ajo e dëgjoi me kujdes gjithë parashtrimin që unë i bëra pyetjes se nuk po e zgjas këtu, dhe më përgjigjet, “po më duket e mundur”. Kështu nisi puna me Mirën dhe me një skuadër të përbashkët që ne e krijuam me AKSHI-n dhe me ekspertët e saj.

Dhe sot, dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, kur të mbarojë mbledhja bashkë me dilemën greke, unë do tua lë si kartolinë të Vitit të Ri të Shqipërisë të gjithë liderëve të Bashkimit Europian rezultatin  e testit të suksesshëm të modelit shqiptar të inteligjencës artificiale për ndërvendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqeve, masa ligjore të BE-së.

Dhe modeli ynë revolucionar këmbë e krye i gjithë këtij procesi monumental për nga volumi i punës, nuk bën thjesht përkthim, por edhe një sërë shërbimesh të tjera, për të cilat unë nuk po zgjatem këtu, por në thelb na mundëson një “qërim farmaceutik” të gjithë thasëve të pafundme të orizit të legjislacionit tonë në tërësi, duke, nga njëra anë, na ekspozuar të gjitha vargmalet e mbivendosjeve që kanë ndodhur si rezultat i kalimit të ligjeve apo të vendimeve të qeverisë pa marrë parasysh se çfarë kanë shkruar ligje të tjera dhe vendime të mëparshme dhe duke krijuar një situatë ku atë që ta jep një ligj, nuk ta jep ligji tjetër apo atë që ta jep një vendim qeverie, s’ta jep vendimi tjetër dhe duke na dhënë edhe analizën e impaktit të çdo mase që ndërvendoset në legjislacionin shqiptar për të cilën do të na duheshin përndryshe dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra ekspertë ndërkombëtarë. Dhe patjetër, duke na garantuar edhe një vend nderi në historinë e kampionatit europian të integrimit.

Besoj tani që është e qartë që asnjë cicmic ballkanik apo “gërr-gërr-gërr’’ perëndimor për interesa thjesht politike të një vendi sot, të një vendi tjetër nesër në tryezën e Këshillit Europian nuk e vonon dot Shqipërinë në këtë proces themelor pune për anëtarësimin në BE. Përkundrazi, Shqipëria jo vetëm do ta bëjë procesin e përafrimit të legjislacionit pavarësisht çdo cicmici apo “gërr-gërri’’ politik, që s’ka lidhje fare me këtë punë, po do ta bëjë shumëfish më shpejt sesa më i shpejti e ka bërë më parë dhe bujarisht do ndihmojë edhe Kosovën, e cila vërtet s’është akoma kandidat, por askush nuk e pengon dot që ta nisë ta nisë ndërvendosjen në legjislacionin e saj të të gjithë trupit ligjor të Bashkimit Europian dhe kësisoj të jetë de facto një shtet që në legjislacion funksionon si një vend anëtar i BE-së.

Pra, të dashur vëllezër e motra këtu dhe shqiptarë e shqiptare kudo jeni, besoj që është e qartë që ne, jo vetëm nuk do të humbasim asnjë ditë, çfarëdo pengese politike të na vihet nga kushdo sot a nesër në këtë rrugë, por tanimë e kemi komplet 100% në dorën tonë, kohën e kësaj përgatitjeje për t’u bërë teknikisht gati, si një shtet de facto i integruar 100% në trupin ligjor të Europës së bashkuar.

Argumenti i dytë pse nuk duhet askush, - se unë asnjë fije, - të vrasë mendjen asnjë sekondë për pengesa të kësaj natyre, është mirëfilli politik. Që të integrohesh në Bashkimin Europian duhet të bëhesh ti gati për BE-në, por duhet të bëhet edhe BE-ja gati për ty dhe që BE-ja të bëhet gati për ty nuk mjafton të jesh gati, por duhet që 27 shtete anëtare të BE-së mos kenë asnjë arsye të brendshme në vendin e tyre ose më saktë 27 qeveri të BE-së, të cilat kanë agjendat e tyre politike, programore dhe elektorale, të mos kenë asnjë arsye të brendshme të nxjerrin bishta që në dukje pikturohen bukur që  “Shqipëria ka bërë shumë, por duhet të bëjë edhe më shumë”.  Ju kujtohet ajo koha tjetër kur thonin “Keni bërë shumë drejt horizontit të kuq, por ka akoma shumë për të bërë”? Vetëm ngjyra e horizontit ka ndryshuar, ky është blu, sepse janë bishta të mungesës së gatishmërisë për konsensus brenda Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian sot jeton me kontradikta të brendshme që lidhen me filozofinë e zgjerimit të Europës të bashkuar, si dhe me presione të vazhdueshme nacionaliste kundër zgjerimit të BE-së në shtete të caktuara, të cilat ndikojnë direkt në logjikën e zgjedhjeve në ato shtete dhe shembulli konkret që ne kemi është se Shqipëria ishte gati për të hapur negociatat qysh disa vite më parë dhe Komisioni Europian, i cili bën vlerësimin objektiv, teknik, shikon faktet, nuk shikon sondazhet në një shtet apo në një shtet tjetër, ia kërkoi Këshillit qartësisht, jo njëherë, që Shqipëria është gati të hapë negociatat. Por Këshilli nuk e arriti konsensusin sepse në një moment, Gjermania, Franca dhe Holanda, pastaj Franca dhe Holanda kishin arsyet  e tyre politike për të mos u bashkuar shteteve të tjera që e dhanë menjëherë dakordësinë e tyre.

E kam thënë atëherë dhe e përsëris dhe sot “Nuk mendoj se Suedia, Finlanda, vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit në botë, janë më pak parimorë kur vjen fjala për të gjykuar korrupsionin apo për të vlerësuar rrezikshmërinë nga korrupsioni të një vendi të cilit duhet t’i japin votën sesa Franca, Gjermania dhe Holanda.

Franca ka prej kohësh një filozofi tjetër të zgjerimit të BE-së dhe kërkon një reformim të brendshëm konceptual të gjithë organizmit dhe funksionimit të BE, ndërsa Holanda, që është një vend ku skepticizmi tradicional ndaj zgjerimit është rritur shumë, sidomos në 10 vitet e fundit, ka qenë vazhdimisht nën presionin e rritjes së forcave nacionaliste anti BE, jo vetëm anti zgjerim, por anti BE fare, dhe Shqipëria u bë, në një farë mënyre, pengu i asaj dinamike.

Sa mbaruan zgjedhjet në Holandë, Holanda e zbuti pozicionin dhe Kryeministri erdhi për herë të parë në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Holandën në Tiranë dhe konfirmoi mbështetjen e Holandës për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Tani ka dalë Greqia, me arsyen e mos arsyes sesa për rastin që dimë, i cili nuk ka asnjë lidhje as me Bashkimin Europian, as me kushtet e procesit të negociatave, as me ndonjë mangësi të Shqipërisë në këtë fazë të negociatave ku Shqipëria ka shkëlqyer, në kuptimin e plotë të fjalës ka shkëlqyer, në procesin e përbashkët të skanimit të pozitës së saj aktuale, por nesër mund të dalë dikush tjetër dhe kështu me radhë.

Po pse, për këta do ta prishim gjakun ne? Se ne duhet të jemi qetësisht të vetëdijshëm dhe nuk duhet ta humbasim kurrë busullën që Bashkimi Europian, Europa, vendi ku dielli lind andej nga perëndon është amaneti ynë dhe është borxhi historik që të gjithë udhëheqësit dhe forcat udhëheqësit i kanë pasur gjeneratës tjetër dhe këtë borxh kjo forcë qeverisëse do ta shlyejë.

Ne me qetësinë e vetëdijes dhe durim heroik, pa stres duhet të bëjmë detyrat tona me përkushtim, me përpikmëri, me vendosmëri sepse Shqipëria e gatshme si shtet anëtar i BE-së, pavarësisht se a i hapet rruga sot, a i hapet rruga nesër kur është e gatshme për arsyet që thashë, përpara sesa t’i duhet Francës, përpara sesa t’i duhet Holandës, përpara sesa t’i duhet Gjermanisë, përpara sesa t’i duhet Greqisë na duhet ne, i duhet fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë këtu, në atdheun tonë ku ne duhet të sigurojmë për njerëzit e këtij vendi, progresin pa kthim për një shtëpi të përbashkët për drejtësi europiane dhe mirëqeverisje europiane.

Këtu vijmë tek garancia e dytë, për pakthyeshmërinë e progresit të madh që kemi nisur, i cili kërkon medoemos që të gjithë idetë, planet, projektet dhe punët në çdo sektor të mbështeten në mënyrë të pashkëputur mbi themelet e një drejtësie të drejtë, funksionale dhe të barabartë për të gjithë, si edhe tek një korpus institucionesh funksionale demokratike me vendimmarrje cilësore, me aftësi për zbatueshmëri të sigurt ligjore dhe profesionale të detyrave të proceseve të punës së shtetit, duke garantuar lirinë dhe barazinë e konkurrencës si edhe meritokracinë.

Reforma që ne, askush tjetër, ndërmorëm në drejtësi, është reforma më e thellë, është reforma më e vështirë, është reforma më e ngatërruar në historinë e shtetit shqiptar, për ndërtimin e shtetit modern, europian të shqiptarëve.

Asnjëherë, askush, që nga shpallja e Shqipërisë shtet në vitin 1912 nuk e ndërmori një reformë të tillë, e cila është një reformë që përcakton në fakt dhe vijën më të thellë ndarëse mes demokracisë funksionale dhe çdo forme tjetër organizmi apo funksionimi të një shteti.

Sot ka shumë përpjekje për t’i treguar frytet e para të kësaj reformë si një produkt i imponuar, importi nga SHBA dhe BE, madje për t’i treguar si provë të kapjes me pahir nga hallatet të të gjitha forcave politike vendimmarrëse të këtij vendi nga aleatët tanë strategjik. Asgjë më të pavërtetë se sa kjo nuk ka dhe le të hidhen përpjetë kush të dojë, sa të dojë, por reformë në drejtësi pa Partinë Socialiste dhe fitoren tonë të vitit 2013, nuk ka anglo-amerikanë apo euro-perëndimor që bënte dot në Shqipëri.

Ambasada Amerikane dhe delegacioni europian nuk erdhën në Shqipëri në vitin 2013. Këtu ishin që kur Shqipëria u çlirua nga kthetrat e diktaturës dhe nevojën për një drejtësi demokratike në Shqipëri as europianët e as anglo-amerikanët nuk e zbuluan në vitin 2016, kur ne kaluam në Parlament paketën e ndryshimit historik të kursit kushtetues të drejtësisë në këtë vend.

Nga ana tjetër, nëse reforma në drejtësi do të ishte një produkt eksporti i detyrueshëm për vendet që do të duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian, atëherë BE dhe SHBA do ta kishin eksportuar dhe në vendet e tjera të rajonit. Janë të paktën dhe dy vende të tjera të NATO-s në Ballkan, plus dhe një vend tjetër që nuk është i NATO-s, por është totalisht pro amerikan dhe pro perëndimor që është Kosova. Pse nuk e kanë importuar meqë e kanë kaq të lehtë që e sjellin me aeroplan reformën?

Ndërkohë që atyre vendeve, përfshirë edhe Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës ju tregojnë Shqipërinë. U thonë, merrni shembull se si duhet ta bëni reformën në drejtësi. U thonë, merrni shembull se si bëhet pastrimi i sistemit të drejtësie nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. U thonë, merrni shembull se si bëhet një organizim tërësor i drejtësisë. Prandaj ata që thonë të kundërtën, e bëjnë nga pozitat e kundërshtarit të Partisë Socialiste apo e bëjnë nga ai pozicioni i shqipos që meazallah se ia njeh shqipove të tjerë meritën për një punë të mirë. E keni vënë re? Çdo punë të mirë që bëjmë ne, “e solli koha”. Çdo gjë që nuk shkon, “nuk shkon se e kemi bërë ne”. Jam dakord me të dytën, por me të parën nuk jam dakord.

Nuk e solli koha këtë transformim, por e solli Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partinë Socialiste të Shoqërisë nuk e solli Amerika e as Europa, por e solli populli shqiptar në vitin 2013 dhe duke qenë se populli shqiptar është populli që nëse do kishte një kampionat botëror për politikë do fitonte kupën e botës dhe ka një instinkt të pagabueshëm, jo vetëm na e dha votën në 2013, por kur ia kërkuam përsëri në 2017 dhe i thamë, “na e jep të qeverisim pa të tjerë në prehër, se ndryshe nuk e çojmë përpara këtë proces”. Se i kaluam ndryshimet kushtetuese në 2016 dhe paketën që duhej të të gjithë korpusit bazë ligjor na e morën peng thuajse 3 vjet në Parlament. Na e dha votën, na i hoqi nga prehri pasagjerët me dy patenta. Prandaj ky aspekt i autorësisë së reformës në drejtësitë ka pak rëndësi për historinë e shtet ndërtimit demokratik. Unë e nënvizoj më shumë për tu thënë shqiptarëve, ne jemi në gjendje ti bëjmë të gjitha gjërat që i ëndërrojmë me sy hapur dhe nuk kemi pse presim të na i bëjnë të tjerët dhe ja, e bëmë dhe këtë.

Patjetër që nuk e bëmë vetëm dhe patjetër që asgjë nuk bëhet vetëm në këtë botë, por ne jemi në gjendje që t’i bëjmë Shqipërisë aleatë, miq e partnerë në atë nivel që Shqipëria nuk i ka pasur kurrë prandaj përpara se sa të thoni sa mirë na e bëri Amerika, sa mirë na e bëri Europa, thoni: ore sa interesant, e bëkemi dhe ne një gjë nëse i hymë. Për sa i përket historisë, këtë meritë historia nuk ka kujt emri tjetër ia njeh përveç Partisë Socialiste.

Mirëpo, thënë të gjitha këto, problemi i madh sot sa një mal përpara nesh është çfarë duhet të bëjmë ne më shumë dhe shumë më mirë që ta afrojmë sa më shumë ditën kur drejtësia në Shqipëri të jetë e tëra drejtësi e drejtë, drejtësi e pavarur, drejtësi e aftë dhe e ndershme me të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë shqiptarët.

Gjithçka po ndodh sot me hetimin, vendosjen nën akuzë apo ndëshkimin penal të një sërë individësh me profil të lartë në nivelin qendror të politikë, është vetëm zgjimi i një shpirti drejtësie të fjetur prej më shumë se 100 vitesh në koma në nëntokën e shtetit shqiptar, por nuk është drejtësia europiane që duam për Shqipërinë e fëmijëve tanë. Ky zgjim ka vetëm një arsye: Kalimin e fuqisë sonë si forca më e madhe politike e vendit, që zotëron pushtetin ekzekutiv dhe udhëheq rrugën e ndërtimit të shtetit të së drejtës tek një strukturë e re që lindi nga reforma në drejtësi dhe që përbëhet nga një organ special akuze, SPAK-u dhe një organ special gjykimi, GJKKO-ja. Vetëm kjo është arsyeja, por është shumë pak. Është jashtëzakonisht shumë në aspektin e moralit politik, është jashtëzakonisht shumë në aspektin e vullnetit politik sepse që një pushtet ekzekutiv shqiptar të transferojë të gjithë fuqinë e vet në raport me gjithçka ka të bëjë me drejtësinë, tek një strukturë e re, e pavarur prej tij, kjo është historike, por s’është drejtësia europiane kjo. Ky është voluntarizmi i i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe nëse ne mendojmë për një momentet të vetëm që ne e bëmë tonën, ky progres nuk ka asnjë garanci. U deshën disa vite që kjo strukturë t’i zgjaste duart e pavarura drejt pushtetit të politikës dhe të fillonte vënien para ligjit të individëve që as mund të imagjinohej se mund te prekeshin ndonjëherë nga drejtësia, që nga viti 1912 dhe patjetër që kjo është një domosdoshmëri absolute për të shkuar përpara në rrugën e ndërtimit të drejtësisë europiane dhe të forcimit të mirëqeverisjes.

Prandaj do të vazhdojmë ta mbështesim pa kushte këtë krijesë të sapolindur. Në jetën e një njeriu çdo vit ka një peshë të veçantë ndërsa në procesin e shtet ndërtimit demokratik, një vit është vetëm një ditë dhe asgjë më shumë dhe nuk mjaftojnë vetëm disa ditë për të kaluar nga një fazë shekullore pa liri, pa demokraci, mbi të gjitha pa shtet të së drejtës, në një fazë të funksionimit të shtetit të së drejtës si një orë e përpiktë. Ua thashë pak më parë shembullin se si pavarësisht vullnetit tonë dhe gatishmërisë sonë, faktikisht armiqtë publik të reformës në Parlamentin e Shqipërisë, na morën thuajse 3 vjet nga dita kur u kalua në ndryshimet kushtetuese tek dita kur u aprovua e gjithë ajo paketë, por teksa ne do të vazhdojmë ta mbështesim drejtësinë e re në hapat e saj, ka ardhur koha që ne t’i drejtojmë pyetje të rëndësishme vetës. Ka ardhur koha që ne të bëjmë shumë më tepër me veten dhe pastaj përmes Patisë Socialiste për ta nxitur dhe ndihmuar drejtësinë e re, që e para një herë të shtrihet në të gjithë organizmin e sistemit të drejtësisë, se SPAK-u dhe Gjykata e Krimeve të Rënda janë 1, 2 kilometra larg në distancë nga Prokuroria e Tiranës për shembull.

Këtu u fol për 21 janarin. 21 janari është peng i drejtësisë se vjetër. 2 kilometra janë! Nuk ka vajtur akoma drejtësia e re tek Prokuroria e Tiranës. 21 janari është i mbyllur në ato sëndukët e gjysheve. Gjysheve jo, se gjysheve mos t’u biem në qafë, po në ato sëndukët e maskarenjve të Shqipërisë qysh nga viti 1912 që penguan, sabotuan dhe rrëzuan këdo që tentoi t’i bënte gjërat pak më ndryshe. Imagjinoni Prokuroritë e tjera, imagjinoni Gjykatat e tjera se në çfarë gjendje janë, se nuk dua të marr kohë me këtë, por ne duhet të mendojmë seriozisht se çfarë duhet të bëjmë ne që drejtësia të rrisë profesionalizmin e saj. Drejtësia europiane është gjithnjë, në çdo rast, garante e shtetit ligjor, është garante e lirive dhe të drejtave kushtetuese të çdo individi. Është garante e barazisë reale të të gjithë individëve para ligjit, përfshirë dhe vetë prokurorët dhe gjykatësit të cilët kurrsesi nuk duhet të ndihen, dhe jo më pastaj të bëhen një pushtet që ndjehet i pa kontrolluar, i pakontrollueshëm dhe i pa balancuar nga asnjë mekanizëm kushtetues dhe ligjor i Republikës sonë. Kjo është Republika e Shqipërisë, jo republika e prokurorëve apo e gjykatësve të cilët janë po, janë pa diskutim një pushtet i pavarur nga Parlamenti dhe nga qeveria, por nuk janë i vetmi pushtet i pavarur i kësaj Republike, e cila ka edhe dy pushtete të tjera të pavarura që nuk varen nga pushteti gjyqësor në vendimmarrjet e tyre dhe as nuk i japin llogari pushtetit gjyqësor për ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kështu funksionon drejtësia europiane dhe kjo është panorama e së ardhmes për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, institucionalisht, që drejtësia e re të bëhet një drejtësi europiane në të gjithë territorin, se nuk mjafton që një individ, një tjetër e një tjetër të shkojnë përpara ligjit edhe pse kanë një kostum politik, por duhet që çdo individ që shkon në dyert e Prokurorive dhe të Gjykatave në të gjithë 28 mijë kilometrat katrorë të Shqipërisë, të jetë i garantuar që e drejta e tij as nuk shitet, as nuk blihet, as nuk merret, as nuk vidhet dhe kjo është koha që as mos flemë mbi dafinat e rezultateve të  pamohueshme të punës së strukturës së re speciale të drejtësisë, as mos presim vetëm nga SPAK-u që të luftojë me korrupsionin në organizmin e pushtetit ekzekutiv, por as mos e lëmë progresin e drejtësisë jashtë vëmendjes dhe kujdesit të Parlamenti,  i cili duhet të përfshihet shumë më tepër në betejën për këtë progres, pakthyeshmëria dhe cilësia e të cilit janë jetike për fatin e gjithë progresit tërësor të Shqipërisë për të cilin folëm gjithë ditën këtu. 

Fjala vjen ka dy vjet që flitet për një grup të ri propozimesh për ndryshime të ligjeve të reformës në drejtësi dhe ky grup i ri propozimesh vjen jo nga ne, vjen nga vetë sistemi i drejtësisë. Ka nisur fillimisht për disa ndërhyje racionale të lidhura me SPAK dhe misionet ndërkombëtare për asistencë dhe monitorim dhe pastaj është zgjedhur.

Është zgjeruar me propozime nga të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, të cilat mund të përmblidhen dhe janë relevante për këtë bisedë sepse mund të përmblidhen kryesisht si kërkesa për më shumë pushtet, por dhe më shumë privilegje. Unë nuk pendohem aspak, që kjo shumicë qeverisëse ka miratuar në parlament një rritje pagash, e dëgjuat ministren e drejtësisë. 200 e 300% për prokurorët dhe gjykatësit. 200 e 300%! Ndërkohë që rritja e pagave për forcat e armatosura, rritja e pagave për punonjësit e policisë, rritja e pagave për mësuesit, rritja e pagave për infermierët, rritja e pagave për mjeket, rritja e pagave për të gjithë punonjësit është larg së qeni kaq.

Nëse ne, fatmirësisht kemi nisur t’i afrohemi nivelit të lartë të pagave të rajonit, e dini ju që prokurorët dhe gjykatësit e Shqipërisë kanë pagat absolutisht më të larta në rajon me diferencë nga presidentet e rajonit.

E kemi bërë të vetëdijshëm për të gjitha arsyet, të cilat nuk ndryshojnë. Nuk ndryshojnë! 10 herë të ktheheshim mbrapa, 10 herë do ta ribënim, por ama kemi detyrën përveçse të drejtën që, jo vetëm të japim mbështetje pa rezervë për strukturën speciale, por të kërkojnë rezultate për njerëzit nga i gjithë sistemi i drejtësisë se nuk janë rritur vetëm për strukturën speciale. Dhe dy vjet pas dyerve nëpër korridoret e institucioneve është krijuar dhe madje ushqyer dhe perceptimi komplet i gabuar se e gjitha kjo bëhet për qoka, për influencim dhe deri dhe për kapje të sistemit nga pushteti ynë ekzekutiv. Edhe vetë formatimi i institucioneve të reja ka pasur vonesa të ndjeshme, por edhe problematika të rënda të cilësisë së përbërjes dhe të përfaqësimit.

Nuk po merrem këtu fare me rolin destruktiv të armiqve publikë të reformës në drejtësi, përpjekjet e tyre të pa ndalura për t’i penguar, delegjitimuar, demotivuar institucionet e reja të drejtësisë.

Por ne, sot duhet ta njohim dhe duhet ta marrim përgjegjësinë lidhur me mbështetjen dhe me koordinimin e këtij procesi madhor nga Kuvendi, komisionet dhe strukturat e ngritura posaçërisht pranë Kuvendit, ashtu siç duhet të njohim dhe të marrim përgjegjësi për të adresuar nevojën e një strategjie të re që të rriten prurjet në shkollën e Magjistraturës. Të plotësohen vakancat në një kohë sa më të shpejtë në sistem. Të ruhet pa diskutim cilësia dhe profesionalizmi, por edhe për mënyrën e rritjes së shpejtësisë në hetim dhe në gjykim të çështjeve që janë pa hetuar dhe pa gjykuar për vite dhe janë çështje pafund familjesh, çështje pafund individësh, çështje pafund qytetarësh shqiptarë që kanë të drejtën e tyre të marrin përgjigje dhe të marrin të drejtën e tyre.

Rritja e aksesit në drejtësi, garantimi i standardeve për një proces të rregullt ligjor. Zbatimi më i mirë i gjithë atyre që janë parashikime të ligjeve të reformës. Edhe zbutja e kostos për qytetarët, për buxhetin se janë kosto të tmerrshme gjithë këto mbingarkesa, gjithë këto vonesa, gjithë këto ngatërresa të sistemit që është në ndryshim e sipër. Nuk janë probleme që ne duhet t’ia lëmë në derë të tjerëve e të themi tani “ne e bëmë ç‘kishim për të bërë, merruni ju”. Se ne këtu nuk jemi qiraxhinj, jemi zotër shtëpie që të gjithë së bashku.

Por ama të gjitha këto nuk janë si projektet e shkollave, të spitaleve, të rrugëve. Nuk janë as si problemet e funksionimit të agjencive të varësisë së qeverisë se për këto duhet një tjetër përpjekje që i bën bashkë të treja pushtetet e pavarura. I bën bashkë, duke bërë bashkë një numër shumë të madh institucionesh që janë në varësi të tyre, në respekt të pavarësisë së secilit, por më vetëdijen se drejtësia europiane dhe futja e gjakut të modernizmit në çdo venë të organizmit të shtetit tonë nuk bëhen dot kurrë ndryshe. Ne duhet të jemi në lartësinë e  kësaj sfide që është shumë serioze sepse pavarësisht ndërtimit të një kuadri të ri ligjor, arkitekture të re të sistemit të drejtësisë dhe faktikisht ngritjes së një sistemi të ri nga e para, faktori themelor për suksesin e kësaj reforme është ushqimi i shëndetshëm i një fryme dhe një mendësie shtetërore europiane.

Mendësia shtetërore kërkon ndërgjegjësimin e të gjithë drejtuesve të institucioneve të të gjitha këtyre pushteteve dhe drejtuesit e të gjitha niveleve në këto institucione në radhë të parë që pushtetet e pavarura nuk janë republika më vete. Dhe Republika e Shqipërisë nuk është një federatë mes atyre të trejave, por Republika e Shqipërisë është arsyeja, është qëllimi, është misioni pse këto pushtete ekzistojnë.

Roli i Kuvendit në procesin e zbatimit të reformës është i përcaktuar, parashikimet kushtetuese, është i rregulluar në ligje, por po ta pyesin veten çfarë ka ndryshuar në praktikën tradicionale të kuvendit në raport me këtë rol të ri strategjik se është kuvendi qendra e gravitetit, nuk është qeveria, është kuvendi. Përgjigja, qoftë për përgjegjshmërinë, qoftë për llogaridhënien, qoftë për efikasitetin e organeve të drejtësisë pas reformës do të ishte e tipit “më ka çuar nana me la gojën” mbi bazën e po atyre raportimeve të vjetra rutinë “Ka ardhur kaq herë filani”, po se ç’ka thënë filani e seç i kemi thënë filanit, e si është ndërtuar ky proces në funksion që çfarë na thotë filani e çfarë i themi filanit shkon për përshpejtimin e europianizimit të sistemit të drejtësisë, kjo nuk përfshihet në këtë praktikë të Kuvendit dhe kjo duhet të ndryshojë plotësisht. Dhe puna për këtë ndryshim duhet të nisë një orë e më parë nga ne. Por, siç e preka në fillim, nga ana tjetër, ne nuk do të kemi një drejtësi europiane dhe një mirëqeverisje europiane nëse ne nuk do guxojmë ta thyejmë kornizën e progresit gradual përmes inovacionit jo gradual dhe jo thjeshtë në aspektin teknologjik, por në gjithë filozofinë e qasjes së institucioneve ndaj vetë idesë së progresit. E ne duhet të punojmë çdo ditë me vetëdijen që luftën kundër korrupsionit nuk mund ta bëjë ekskluzivisht drejtësia, por edhe mirëqeverisja, e cila duhet të modernizohet dhe e dyta nuk duhet në asnjë mënyrë që të mos e rrokim ne me gjithë fuqinë e dëshirës tonë për ta rritur shpejtësinë e progresit, mundësinë e re, oportunitetin e këtij momenti historik për të gjithë shoqërinë njerëzore që është teknologjia dhe inteligjenca artificale.

Lufta kundër korrupsionit dhe rritja e cilësisë së institucioneve demokratike kërkon një drejtësi që ndëshkon keqbërësit e veshur me pushtet, po kërkon dhe modernizimin e shtetit përmes krijimit dhe aftësimit të vazhdueshëm të sistemeve të funksionimit të institucionit.

Karrigia e pushtetit është një kafshë e egër, që po e le të të hyjë në trup, të mbush xhepin, por të merr mendjen. Prandaj kush e harron që ajo karrige është e popullit dhe e shtetit, jo e veta dhe e tarafit të vetë, meriton çdo ndëshkim që parashikon ligji për këtë lloj harrese të neveritshme. Në këtë pikë unë nuk do zgjatem se e dini qëndrimin që nuk ndryshon për të gjithë ata, që harrojnë se për çfarë e kanë karrigen e dhënë nga kjo familje politike, dhe pastaj kur i kap rrjeta e drejtësisë presin mbrojtje nga partia apo bëjnë viktimën e konspiracioneve imagjinare të partisë.

Partia Socialiste qëllon të ta japë privilegjin që të ulesh në karrige për t’iu shërbyer qëllimeve të saj të shpallura publikisht dhe të votuara masivisht nga shqiptarët. Ndërsa për ta mbajtur atë karrige me dinjitet dhe me sukses, është detyra, është përgjegjësia dhe është nderi yt, por paralelisht me këtë dhe pavarësisht se sa individë të korruptuar do të ndëshkohen nga drejtësia e re sot, nesër, pasnesër, korrupsioni do të vazhdojë të mbetet një problem jo i vogël në Shqipëri, për sa kohë modernizimi i sistemeve të funksionimit të shtetit, si edhe cilësia e proceseve vendimmarrëse nuk do të arrijë në nivelin e masës kritike të transformimit. Nëse do të jetonim në një kohë tjetër, kjo punë mund të na merrte 50 vjet, po koha që jetojmë, na ka dhënë një mundësi që asnjë gjeneratë njerëzore nuk e ka imagjinuar. Bekimin e teknologjisë digjitale dhe tanimë dhe të inteligjencës artificiale. Se dhe ju vetë këtu, që jeni në një farë mënyre qytetarë në vijën e parë të ndryshimeve 10 vitet e fundit, i keni harruar pamjet e tmerrshme të radhëve të pafundme, ecejaket në dyert e shtetit, pirgjet me letra që duheshin mbledhur derë më derë, shko aty merr një letër, ik aty merr një letër, të duhet një nga zjarrfikësi, shko merr atje te e Mjedisit, dil atje tek Urgjenca për të marrë një shërbim. Dhe çfarë shërbimi? Për të marrë një copë letër në një sportel të caktuar. Keni harruar bakshishet deri dhe për një certifikatë lindje se një herë nuk kishte drita për printerin, pastaj zonja që duhet të ishte aty kishte vizitë te gjinekologu, pastaj zotëria që të dilte përpara ishte me dhimbje koke, derisa i jepje atë 100 lekësh që të arratiseshe sa më parë nga radha.

Sot jemi në kushte të tjera. Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe një ndër të paktat vende në Europë pa sportele shërbimesh. Nuk ka më sportele në Shqipëri për të marrë dokumente dhe më në fund këtë vit u mbyllën dhe sportelet e turpit të Partisë Socialiste, se nëse ka pasur një turp për Partinë Socialiste në qeveri, kanë qenë sportelet dhe hipotekat. U mbyllën dhe ato. Është një proces, por sot nuk ka sportele. Sot edhe në hipotekë, njëlloj si në të gjitha shërbimet e tjera ti ke përballë pasqyrën e kompjuterit apo të telefonit nga shtëpia.

8.7 milion shërbime janë dhënë në 2022-shin për qytetarët dhe biznesin, pa radhë, pa lekë, pa asnjë lloj kontakti fizik me administratën dhe plot 11 milion shërbime deri në nëntor të këtij viti.

Janë 1010 vite. 1010 kohë pritje që i është kursyer popullit shqiptar nëpër radha nëse do të llogarisnim vetëm 15 minuta qëndrimet në radha e asaj kohës përpara.

Por viti i ri do të hyjë me një e-albania 2.0 bashkë me një platformë ndërveprimi me teknologjinë më të fundit, duke i bërë shërbimet më të thjeshta, përfshirë dhe për të gjithë ata me aftësi ndryshe, përfshirë edhe për të gjithë të moshuarit, megjithëse për hir të së vërtetës, kur ne i futëm këto shërbime ata që gjithmonë thonë diçka se duhet thënë diçka kundër punëve tona thanë i lanë jashtë fare shërbimit pensionistët, po pensionistët me thënë të drejtën janë përdoruesit më seriozë të këtyre shërbimeve, megjithatë të gjithë do kenë një shërbëtor personal. Do kenë një asistent të vetin, të e-albanias. Fillimisht shërbëtori do të jetë ditë-natë zgjuar për secilin vetëm me shkrim në pasqyrën e celularit. Sa herë do hapni celularin, do i shkruani shërbëtorit, shërbëtori do ju thotë, “këtu jam, pse s’po fle” dhe ky është një nga projektet që është rezultat i këto janë mesazhe të personit me shërbëtorin e vetë dhe vitin e ardhshëm shërbëtori mbasi t’i dalë “zori” do dalë me fytyrë dhe me zë. Madje shërbëtorin do ta zgjidhni, e doni shërbëtor apo e doni shërbëtore. Dhe nuk do të vijë për t’iu shqetësuar dhe kjo nuk është lojë. Nuk është një videogame. Është një shërbim që mundëson që kur futesh për të marrë shërbimet publike të Republikës të Shqipërisë, që janë 1200 e disa, që janë online, që nga certifikatat deri te hipoteka, ti do kesh një shërbëtor që do të thotë bëj këtë, bëj këtë, bëj këtë dhe nuk do të ketë më një adresë për t’u ankuar që jo s’po më punon, jo si të futem, jo s’i mos futem se secili do ketë shërbëtorin e vetë.

Ky është vetëm njëri nga shërbimet. Shërbëtori do të paraqitet besoj për t’ju thënë “Gëzuar Festat” në fund të këtij viti dhe do të fillojë në funksion të plotë sapo të fillojë viti tjetër ndërkohë që korrupsioni, se e kam dëgjuar shumë njerëz të thonë “Po mirë, dakord, nuk shkohet më në radhë dakord, por po tenderat, çfarë më thua”?

Në Shqipëri zhvillohet një numër tenderash që është sa një bashki e mesme dhe numri i komisionerëve të tenderave në Shqipëri është sa numri i banorëve të një bashkie të mesme, pa ekzagjerim. Mijëra e mijëra e mijëra dhe proceset janë absolutisht arkaike, pavarësisht se ligji i prokurimeve ka avancuar dhe ne po punojmë.

E para, ne do t’i çojmë Parlamentit një projekt të ri për futjen e Inteligjencës Artificiale në prokurime dhe për ndryshimin e strukturës së prokurimeve, por ambicia është që brenda këtij mandati, nëse çdo gjë do të shkojë siç duhet, brenda këtij mandati ne të prezantojmë sistemin e prokurimeve me Inteligjencën Artificiale që do të thotë faktikisht, se do të prokurohet pa letra, do të prokurohet me procedura ku të gjithë konkurrentët nuk do kenë asnjë kontakt me asnjë lloj komisioneri, me asnjë lloj kryetari komisioni tenderi dhe ku çdokush që mund të jetë më sipër nuk do mund dot ta influencojë tenderin sepse të gjitha të dhënat e çdo kompanie do të merren nga Inteligjenca Artificiale, jo nga kompania dhe kompania thjesht do të sjellë projektin, kompania thjesht do të japë çmimin dhe do të presë rezultatin, asgjë tjetër dhe e gjitha kjo do të jetë transparente për të gjithë. Ashtu sikundër, Inteligjenca Artificiale do të bëjë dhe të gjithë pastrimin e procedurave përpara dhe të termave të referencës e të tjera, për të mos u zgjatur.

Po ashtu, ne kemi hyrë në një proces i cili është më i vështiri pikërisht për atë që thashë më përpara, se mirë, dakord, qeveria, pushteti ekzekutiv bën modernizimin në gjithë sistemin e vet, por po sistemin gjyqësor kush e modernizon? Po Inteligjencën Artificiale në proceset gjyqësore kush e merr përsipër? Sistemi ynë gjyqësor ka një mentalitet aq të dobët, aq të vjetër saqë edhe tenderat për shërbimet e internetit mendon se janë të pavarura nga shteti, se janë të pavarura jo nga shteti, por janë të pavarura nga i gjithë sistemi shtetëror i të dhënave.

Ndërkohë që me Inteligjencën Artificiale ne mund të bëjmë një përshpejtim eksponencial të të gjitha proceseve, të të gjithë trajtimit të dosjeve, të të gjithë ngarkesave e kështu me radhë.

Një tjetër drejtim ku ne do të përdorim Inteligjencën Artificiale dhe do ta përdorim tani, tani që nga janari është ndjekja e evazionit në transaksionet financiare të të gjitha niveleve. Sistemi ynë i fiskalizimit të të gjithë biznesit ka nevojë për monitorim sepse ju e dini shumë mirë që kur shkoni për të pirë kafe, rrallëherë ju jepet kuponi.

Ashtu sikundër e dini shumë mirë që një pjesë të transaksioneve shmangen. Nuk do të mund të shmangen dot më dhe të gjitha këto janë luftë kundër korrupsionit, të gjitha këto janë përmirësim i cilësisë së qeverisjes në të gjitha nivelet.

Ashtu sikundër pensionistëve ne ju kemi borxhet më të mëdha, por pensionistët ne nuk na e kanë borxh një tjetër turp të Partisë Socialiste në qeveri, që akoma sot në vitin 2023 pensionet merren me zarf dhe pastaj dalin grupe kriminale brenda postës, siç ishte një grup diku lart, një grup tjetër andej poshtë, çfarë bëjnë? Grupe të organizuara brenda postës që merrnin pjesën e tyre nga çdo zarf pensionisti dhe për më tepër pastaj zarfet që shkojnë me korrier. Paguhen korrier pafund. Një sistem që, ju kujtohet, kemi pasur një aleat të vogël, e mbani mend? Kishim dikur një aleat të vogël që tha “Do bëhem më i madh se Partia Socialiste” dhe këta korrierët e postës i përdorte për partinë e vet dhe zarfet kur i shkonin pensionistëve i thoshte “Këto i ke nga pensioni”.

Në 2024, ne pensionistëve ne do tu japim kartën e tyre dhe do ta fillojmë tani projektin pilot dhe ne pensionistëve do tu japim kartën e tyre dhe pensioni i tyre do të jetë në bankë, nuk do ta prekë askush dhe kudo ata do të shkojnë do të përdorin kartën e tyre për të marrë ilaçet, për të pirë kafen, për të bërë ato pazare që bëjnë dhe kështu do ta shtrijmë për të gjithë.

Do të na mërziten bankat që u marrin njerëzve për çdo transaksion edhe gjithë rrogëtarëve që për çdo transaksion, për çdo shërbim u marrin atë “Tak”, si ai aleati ynë i vogël, nuk do ta marrin më, më vjen keq. Bankat tona kanë në ditët e sotme nivelin më të lartë të parave kesh në rezervë. Unë i kam kërkuar Ministrit të Financave që qeveria duhet të dalë me një propozim konkret për Parlamentin sepse bankat nuk duhet vetëm të fitojnë. Për të fituar janë bërë, por nuk duhet vetëm të fitojnë, duhet të mendojnë edhe sesi të fitojnë dhe të tjerët.

Nuk dua të zgjatem më tutje për Inteligjencën Artificiale që do të përdorim në diagnostikimet shëndetësore, për Inteligjencën Artificiale që do ta pilotojmë në Divjakë për bujqësinë sepse me Inteligjencën Artificiale për të cilën po punojmë, janë të gjitha projekte për të cilat po punojmë, ne do të bëjmë të mundur që përmes sensorëve, përmes dronëve dhe kamerave që do të instalohen nëpër fusha dhe sera, të informohen fermerët në kohë reale për sëmundjet, dëmet që i kanosen bimëve, kushtet e kultivimit, lagështinë, temperaturën dhe pastaj një sërë gjërash të tjera dhe me këtë model të inteligjencës artificiale, ne do të monitorojmë çdo metër katror të tokës bujqësore të Shqipërisë dhe do të bëjmë komplet transparencë për të gjitha subvencionet e shtetit, që nga subvencionet për naftën, deri tek subvencionet e tjera që të shkojnë aty ku toka punohet si dhe të gjithë investimet e shtetit për gjithë infrastrukturën e bujqësisë.

Thënë të gjitha këto, unë dua ta mbyll me... . Unë u bëra këtu, e para njëherë jam ulur në karrige bashkë me ty e nuk kam luajtur vendit. Tani u bëra këtu një orë e gjysmë në këmbë e ti je në karrige, dhe kur unë them këtu e mbylla, ti çlirohesh. Po si ka mundësi? Ky është në fakt niveli më i lartë i solidaritetit socialist, se ai u çlirua për mua, jo për veten. Se më tha njëri, ndër shumë të tjerë që e thonë këtë fjalinë, “o kryetar, unë për ty jap jetën”. I thashë, “ti për mua nuk rri dot më shumë se një orë në karrige duke më dëgjuar”. Kështu që unë nuk dua të ta zë në fyt, se ti do kesh me siguri ndonjë arsye të fortë e jo rastësisht je dhe çun, se po të ishe gocë nuk do bëje ashtu, po shyqyr që kemi gocat.

Dua ta mbyll duke thënë që ne do të fillojmë vitin e ardhshëm shumë seriozisht punën me platformën që u prezantua këtu, për të cilën na duhet një angazhim shumë serioz e në ndërkohë duhet të përgatitemi që në pranverë të kemi një kongres zgjedhor të Partisë Socialiste, për të pasur një kryesi të re, për të pasur një asamble të re sepse dhe vetëm këtë pikë kam, nuk kam tjetër, ne nuk na shkon më që të themi ejani, jemi të hapur dhe që fatkeqësisht shumëkush nga ata që na votojnë të mos kenë besim se ne jemi vërtetë të hapur apo se ne kemi vërtet vend për secilin.

Ashtu sikundër ne nuk na shkon që ndërkohë që marrim dhe komplimente e lëvdata nga gjithë familja e madhe socialiste, por dhe nga të tjerët për çfarë kemi bërë për barazinë gjinore, ne ta kemi barazinë gjinore të sanksionuar në nivelet e larta e kur vjen puna, kemi në statutin e partisë që organizatat socialiste duhet të drejtohen nga një burrë ose djalë dhe një grua ose vajzë e akoma sot në vitin 2023 ka zona të tëra e organizata të tëra e kryetarë organizatash që thonë, “ne këtu nuk kemi gra”. Po kush i ka pjellë këta? E me kë i kanë bërë fëmijët këta? Kjo është skandaloze!

Ashtu sikundër ne nuk na shkon më që t’i duam nga larg e t’i respektojmë nga larg e t’i dëgjojmë nga afër vetëm kur vijnë periudhat e zgjedhjeve njerëzit e punës, njerëzit e Shqipërisë që jetojnë jashtë administratës shtetërore dhe që meritojnë të dëgjohen rregullisht nga Partia Socialiste e që meritojnë të bëhen pjesë e saj aktive nëse dëshirojnë, por që të dëgjohen, patjetër! Ne nuk na shkon që për shkak se u bëmë kaq vite në drejtim, të njehsojmë partinë me administratën, në kuptimin që normale, njerëzit që janë në parti e që janë në administratë nuk ka asnjë problem, por jo drejtimin e partisë. Drejtor në një institucion, kryetar partie, jo! Nuk ka arsye! Partia është shumë më tepër se sa thjesht dhe vetëm një fushatë dhe se sa thjesht dhe vetëm një makinë elektorale dhe aq më tepër në një kohë si kjo që bëhet gjithnjë e më e vështirë për marrëdhëniet njerëzore. Partia është marrëdhënie njerëzore në radhë të parë e ne nuk na shkon që bëjmë një kongres, flasim për akademinë politike të partisë dhe akoma nuk kemi ngritur akademinë politike të partisë sepse ne kemi pranuar për fat të keq që në këtë parti, detyrat për disa që kanë marrë nga partia shumë më tepër se sa i kanë dhënë partisë, janë opsionale. Këto nuk na shkojnë e për të gjitha këto ne duhet shumë seriozisht të punojmë deri në pranverë, e në pranverë ne duhet të vijmë këtu me një plan rinovimi në të gjithë forumet e mëdha të partisë.

Ne nuk na shkon që një delegat i kongresit apo një anëtar i Asamblesë Kombëtare të mungojë në Kongres apo në Asamblenë Kombëtare, se ne nuk jemi si ato partitë e tjera që numërojnë edhe këto yjet lart në tavan si pjesëmarrës në Kuvend. Sa vende ka kjo salla? E dini sa delegatë ka pasur këtu një parti tjetër? 6000! Po ne nuk na shkojnë këto! Nëse dikush mungon sepse nuk vjen, vendi nuk ka pse ngelet bosh sepse zgjidhet një delegat tjetër që e kupton që ai vend, nuk është vend për të shkuar në kinema dhe ti nuk shkon se e ke parë atë filmin një herë. E nuk na shkojnë dhe disa gjëra të tjera, por realisht tani nuk dua që t’i ndalojë fryma prap atij djalit. Realisht ju falenderoj shumë!

Desha vetëm t’ju uroj në fund, t’ju uroj me gjithë zemër që të keni një vit të ri të gëzuar! T’ju uroj me gjithë zemër që viti i ardhshëm të jetë për secilin prej jush, secilën prej jush, të gjitha familjet tuaja, për prindërit tuaj, fëmijët, të afërmit, për kë ju do zemra, viti më i mirë deri më sot dhe t’ju uroj që në familjet tuaja të keni vetëm shëndet. Faleminderit! 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Harris apo Trump?  Kush do të donin shqiptarët të ishte presidenti i SHBA-së! Ja rezultati në sondazhin e Shqiptarja.com! Votoni dhe ju

Harris apo Trump? Kush do të donin shqiptarët të ishte presidenti i SHBA-së! Ja rezultati në sondazhin e Shqiptarja.com! Votoni dhe ju