Gjatë takimit me socialistë të Vlorës, kryeministri Edi Rama vijoi replikat me kundërshtarët e ndërtimit të resortit në Zvërnec, duke i akuzuar ata se po ushqejnë narrativa të rreme për shitjen e Shqipërisë dhe pronave publike.

Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ëshë dëmtuar rëndë në të kaluarën nga mënyra se si janë trajtuar çështjet e pronësisë.

“Shqipëria është dhunuar shumë përpara se të më jepnit besimin për të drejtuar Partinë Socialiste. Shqipëria është dhunuar kur nxorën titujt e pronësisë nga kutitë metalike ku ruheshin dhe erdhën ca shqiptarë të çoroditur të viteve 1991-1992, që i bënë fije-fije letrat e pronarëve”, tha ai.

Duke iu referuar debatit për ishullin e Sazanit, kryeministri mohoi akuzat për privatizimin e tij dhe tha se projekti i zhvillimit turistik do të respektojë pronësinë shtetërore mbi territorin.

“Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani. Sazanin kanë dashur dhe më parë ta bëjnë destinacion turistik edhe udhëheqës të tjerë, por ne nuk po bëjmë atë që bënë të tjerët, që ofruan Sazanin për ta privatizuar”, deklaroi Rama.

Sipas tij, edhe pse investitorët e interesuar për zhvillimin e Sazanit janë më të fuqishëm financiarisht se ata që janë interesuar më parë, qeveria ka vendosur një vijë të kuqe të qartë.

“U kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e shtetit shqiptar”, u shpreh kryeministri.


Lajmi kryesor:

Rama takim me banorët e Zvërnecit: Do merrni paratë nëse gjykata do ju njohë si pronarë! 500 mijë veta të dalin në protestë, s’mjaftojnë për të ndalur projektin