TIRANË- Dronët super-inteligjentë që do të blihen në Turqi, nuk do të jenë vetën në përdorim nga Policia e Shtetit për të kontrolluar territorin e për parandalimin e krimeve, por edhe për të pasur një informacion të plotë për sipërfaqen e tokës së punuar në Shqipëri. Kreu i qeverisë, Edi Rama nga fjala e tij nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, tha se kjo do të shërbejë për të pasur një informacion të detajuar që do i shërbejë marrëdhënies së ndërsjelltë mes Kadastrës dhe fermerit.
“Ne kemi hyrë në një proces për tu pajisur me 3 dronë superinteligjent që faktikisht do të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore mënyrën se si ky shtet mund të mbledhë informacion nga territori, se si ky shtet mund të përpunojë informacion në kohë reale, dhe se si ky shtet mund të bëjë transparencë se çfarë bëhet në terren pa nxjerr asnjë inspektor në rrugë për të kontrolluar ndërtimet pa leje, prekjen e pyjeve, lumenjve apo për të kontrolluar prodhimin. Me dronët inteligjent, ne do të mundemi që ne 24 orë të kemi informacion të plotë për të gjithë sipërfaqen e tokës së punuar në Shqipëri, dhe të kemi fotografi ajrore të detajuara deri në centimetrin e fundit katror të tokës që do të tregoj jo vetëm sa sipërfaqe toke është punuar por edhe se çfarë kulturash kemi mbjellë. Do të lehtësoj edhe ndërveprimin e tmerrshëm tuajin me kadastrën, por edhe të kadastrës me ju për çdo parcelë”, tha Rama.
Bujqësia ka qenë kryefjala e fjalimit të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se Shqipëria është vendi i parë në rajon për ndihmën e dhënë për këtë sektor. Duke risjellë në vëmendje objektivin prej 1 mld dollarë për eksportet bujqësore, Rama tha se është një sfidë, por e realizueshme.
“Jemi vendi i parë në rajon për para të miratuara për bujqësinë, mirëpo këto para duhet të provosh se ke një sipërmarrje bujqësore sipas kategorive të programeve që funksionon dhe që një sipërmarrje të funksionojë duhet gjithnjë e më shumë të ketë njerëz të ditur, eksperienca e fermerëve të harmonizohet me mekanizmat e ri në raport me BE këtë financim. Dhe jo vetëm kaq, por performanca e këtyre sipërmarrjeve duhet të shkoj duke u rritur që të justifikojë kërkesën për fonde, ne themi që bota, BE e financon konsiderueshëm shatin dhe bujqësinë, por nuk ka kokërr leku që ta japin nëse nuk u krijon bindjen se ajo kokërr leku do shkojë në drejtimin e duhur. Kemi vendosur objektivin ambicioz, për të shkuar në 4 vitet e ardhshme në kufirin e 1 mld dollarë eksporteve bujqësore, sot jemi në 400, kur e nisëm ishim më pak se gjysma e 400 dhe sot ne kemi mundësi që të synojmë për shumë më lartë. Që nëse e nisëm me 150 mln dhe shkuam në 400 në momentet më të mira, pa diskutim kemi mundësi për ta çuar në 1 mld, Trefishimi i eksporteve në 2 mandatet e para ka qenë punë e vështirë se aty gjërat nga pikëpamja e përfshirjes së shtetit, kanë filluar gati gati nga zero, ndërkohë që kishte në territor, sipërmarrje apo bashkime fermerësh që nga e kishin dhënë provat që nëse i shfrytëzon si duhet burimet e veta në fshat të bëhet një vend kampion në ekspertet bujqësore”, tha Rama.
Ai pati edhe një mesazh për fermerët, sa i përket të mjellave të tyre, ku tha se duhet studiuar mirë tregu se çfarë ai ka nevojë, në mënyrë që të mbjellat e tyre të mos hidhen.
“Ne jemi të parët në rajon, kemi kaluar edhe Serbinë, që dihet se çfarë tradite ka në një sërë kultura bujqësore, por në tërësinë e prodhimit bujqësor kemi ende punë për të bërë. Në Bujqësi sot nuk mund të jesh ujk i vetmuar, se është e pamundur t’i rezistosh presionit të madh të konkurrencën, nuk mund të mbjellësh c’të thotë mendja, por duhet të informohesh dhe të shikosh se cilat janë kulturat që ty të japin mundësi që të kesh akses dhe këtë akses e zgjeron, dhe nuk ankohesh se shteti nuk t’i blen prodhimet, por duke shtuar radhët përmes harmonizimit të interesave private, dhe jo kooperativa të një sistemi tjetër që nuk ka sesi imagjinohet”, tha Rama.
Nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Rama shtoi se objektiv është trefishimi i sipërfaqes së serave dhe të shumëllojshmërisë së produkteve, teksa theksoi se do të zgjerohet edhe mbështetja nga skemat kombëtare.
“Duam të trefishojmë sipërfaqen e serave dhe të diversifikim të prodhueshmërisë, kemi potencial shumë domethënës, do e dyfishojmë financim për të zgjeruar gamën e mbështetjes dhe nga skemat kombëtare, jo vetëm nga BE. Nga janari, Shqipëria rurale ka në dispozicion 146 mln euro falë AZHBR-së”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij tha se Universiteti Bujqësor brenda kësaj dekade do të kthehet në Universitetin e Vjenës në Tiranë, që është më i miri për Bujqësinë. Kjo është në kuadër të projektit për binjakëzimin e programeve studimore shqiptare me ato ndërkombëtare.
“Të afrojnë universitetin e Vjenës, me synimin që ky universitet të jetë një vend ku studentë shqiptarë e të huaj të marrin diplomë të Universitetit të Vjenës dhe në një kohë brenda kësaj dekade, të jetë Universiteti i Vjenës në Tiranë, ku kampusi universitar të jetë ndërkombëtar”, tha Rama.