Rama: Shtyhet edhe me tre muaj kësti i kredive për biznesin, bankat ristrukturime deri më 31 dhjetor

Rama: Shtyhet edhe me tre muaj kësti i kredive për biznesin, bankat ristrukturime deri më 31 dhjetor

TIRANE-Shtyhet afati për pagesën e kësteve të kredisë për bizneset e dëmtuara si pasojë e masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Kryeministri Edi Rama njoftoi se së bashku me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë kanë firmosur shtyrjen edhe me tre muaj të tjerë.

Sipas kryeministrit pagesa e kësteve të kredisë nuk do të bëhet deri më 31 gusht 2020, ndërsa afati fillestar i tre mujorit të parë përfundonte më 31 maj 2020. Po ashtu në njoftimin e kryeministrit thuhet se në bazë të vështirësive të bizneseve bankat e nivelit të dytë mund të bëjnë ristrukturime të tjera të kësteve të kredive deri në 31 dhjetor 2020.

"Lajm i mirë! Bashkëfirmosëm me guvernatorin e bankës së Shqipërisë një shtyrje të mëtejshme tremujore të kësteve të kredive deri në 31.08.2020. Gjithashtu banka e Shqipërisë miratoi një lehtësim për bankat e nivelit të dytë, që të bëjnë ristrukturime proaktive të kredive deri në 31.12.2020 me shtrirje një ose disavjeçare, sipas shkallës së vështirësive të çdo biznesi" thotë Rama.

Këstet e kredisë që shtyhen nuk do të falen por do të paguhen në një kohë më të qetë dhe bizneseve do t'u jepet mundësia të shtyjnë edhe afatet për shlyerjen e kredisë. Banka e Shqipërisë ka dhënë detaje në lidhje me vendimin e firmosur me kryeministrin Rama.

Sqarimi i plotë nga Banka e Shqipërisë
Siç jeni në dijeni, në muajin mars dhe prill të këtij viti, në kuadër të gjendjes së rënduar për vendin, ekonominë shqiptare dhe në veçanti për sistemin bankar dhe institucionet e tjera financiare, si rrjedhojë e situatës pandemike COVID -19, Banka e Shqipërisë, ndërmori disa masa dhe ndryshime rregullative për bankat, por jo vetëm, me qëllim kryesisht sigurimin e zgjidhjes së kërkesave të klientëve për periudha të përkohshme shtyrjeje, dhe njëkohësisht sigurimin e shëndetit të bankave dhe sistemit në tërësi.

Në kushtet kur akoma vazhdojnë të evidentohen vështirësi për kredimarrësit dhe bankat, si pasojë e kësaj situate, si dhe me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të ngritura nga biznesi dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, autoriteti mbikëqyrës, duke analizuar dhe konsideruar propozimet dhe kërkesat e parashtruara nga bankat, si dhe bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve të tjera dhe udhëzimeve të Autoritetit Evropian Mbikëqyrës (EBA) për këtë qëllim, miratoi disa ndryshime në rregullat për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat, të cilat synojnë lehtësimin për bankat, kryesisht nëpërmjet:

i)                    pezullimit të përkohshëm të zbatimit të detyrimit që rrjedh nga kërkesat për administrimin e rrezikut të kredisë, për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive për të gjitha kategoritë e klientëve, edhe për një periudhë tjetër, nga data 1 qershor deri në 31 gusht 2020, për arsye të vështirësive financiare dhe rënies së aftësisë paguese të huamarrësve, ndikuar nga situata e krijuar;

ii)                   pezullimit të përkohshëm të krijimit të fondeve rezervë për pasuritë e paluajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive deri në muajin dhjetor 2020;

iii)                 dispozitë lehtësuese për kreditë e ristrukturuara, sipas së cilës bankave u jepet mundësi të ristrukturojnë marrëdhëniet aktuale të kredive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në varësi të aftësisë paguese të kredimarrësve deri më 31 dhjetor 2020 pa kosto shtesë të provigjoneve dhe pa përkeqësim të statusit të huamarrësve;

iv)                 shtyrjen me 1 vit të hyrjes në fuqi të kërkesave më të shtrënguara për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara, për në muajin janar 2022. Nëpërmjet kësaj mase bankat do të mund të përdorin edhe gjatë vitit 2021 të njëjtat kritere për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara si ato përpara situatës së pandemisë; dhe

v)                  shtyrjen me 1 vit të efekteve të rregullores “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare” deri në muajin janar 2022. Në këtë mënyrë, bankat do të kenë një hapësirë më të madhe kohore të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për huamarrësit e përbashkët në vështirësi financiare. Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me bankat

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)