Rama si Tsipras. Shqipëria drejt zgjedhjeve!?

Rama si Tsipras. Shqipëria drejt zgjedhjeve!?
Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të reja, ashtu si Greqia. Dhe të gjitha gjasat janë që këtë ta kërkojë vetë Rama. A do të veprojë kryeministri ynë si Tsipras, kjo pritet të shihet në ditët në vazhdim. Por ajo që po përafron ata është kundërshtia, me të cilën opozita dhe një pjesë brenda koalicionit të mazhorancës po shoqërojnë reformat e forta të ndërmara. E ndërsa ka humbur dy vjet kohë, duke qenë shumë larg disa objektivave të vendosura në zgjedhje, Rama me shumë gjasa mund të kërkojë t’i zgjasë mandatin qeverisjes së tij e njëkohësisht zgjidh shumë probleme që i kanë dalë së fundmi, si me opozitën e djathtë, ashtu dhe me ‘opozitarët’ e majtë.

Arsyeja që duket se po çon vendin drejt zgjedhjeve është Dekriminalizimi dhe reforma në Drejtësi. Rama premtoi se mesi i shtatorit do ta gjente vendin me një kuadër ligjor të plotë për realizimin e këtyre reformave, por befas PS ndodhet në diskutim të numrave të vet në Kuvend, ndërsa reformat kërkojnë një shumicë të madhe për të bërë edhe ndryshime kushtetuese. Nga grupi i PS ikën me radhë disa deputetë, si Tom Doshi, Mark Frroku, Arben Ndoka apo dhe Armando Prenga. Pavarësisht zëvendësimit, largimi erdhi pas një zhurme shumë të madhe politike, për shkak se pjesa dërmuese e tyre përmenden të përfshirë në veprimtari që preken nga një ligj i ardhshëm për Dekriminalizimin.

Me ligjin e dekriminalizimit në dorë, Kryeministri e ka shumë më të lehtë të shkojë në zgjedhje të reja, për të rinovuar kontratën e tij me zgjedhësit, ndërsa largon njëherë e mirë, ashtu si Tsipras, zërat bezdisës në partinë e tij dhe, ashtu si Tsipras, vazhdon zbatimin e një kontrate të vendosur me lidershipin gjerman të Bashkimit Europian. Është e qartë se me këtë konfigurim Kuvendi i sotëm do ta ketë të vështirë të realizojë, e para reformën në drejtësi, por më e rëndësishmja, ndryshimet Kushtetuese.

Oferta për një përballje elektorale në pranverën e vitit 2016 do të ulte edhe kundërshtimin e opozitës, e cila, nën një presion të vazhdueshëm ndërkombëtar, do të ulej e realizonte deri në fund bashkarisht me koalicionin e majtë reformat e kërkuara me ngulm nga ndërkombëtarët.

Arsyet e tjera mund të jenë edhe marrëdhënia delikate mes PS e LSI. Rama e kundërshton me forcë se ka një thyerje mes tij dhe aleatit kryesor, por një vesh i mësuar e kupton mirë që ai që bërtet fort ‘JO’, në të vërtetë kërkon të mbulojë të vërtetën. Rama është në mes të një përplasjeje që nisi mes dy ish aleatëve në qeverinë e vitit 2009-2013. E djathta iu sul qeverisë me akuza, të cilat në mënyrë ironike u komentuan si një përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Ramës me skandalet e qeverisë së Berishës.

Arsyeja e rradhës është një reagim i madh publik ndaj disa aksioneve që qeveria ka ndërmarrë me dorë të fortë dhe që po prekin një masë të madhe njerëzish, të varfër apo të pasur, por që të përbashkët kanë mosrespektimin për një kohë të gjatë të rregullave të shtetit. Mbledhja e borxheve të OSHEE, ndalimi i ndërtimeve pa leje, vendosja e rregullit në trafik dhe së fundmi, lufta ndaj informalitetit krijojnë një klimë tensioni. Kryeministri Rama përmendi sërish në një intervistë televizive se vetëm në fund të vitit 2015 do të mbyllen borxhet e lëna rrugëve nga ish paraardhësi i tij. Plot 800 milionë euro, të cilat po shlyhen për ta çuar vendin në vitin zero përsa i përket realizimit të disa prej premtimeve, për të cilat mazhoranca aktuale u votua.

Shenjat se Partia Socialiste po përgatitet për pranverën e vitit 2016 janë të dukshme. Prej javësh Rama është kujdesur për të nisur një riorganizim në strukturat e partisë që drejton. Shumë lëvizje drejtuesish lokalë po ndodhin, ndërkohë që ka shenja se edhe administrata po preket në funksion të një procesi elektoral. Mbledhja e fundit dje, në selinë e Partisë Socialiste, u deklarua se bëhej në kuader të organizimit për zgjedhjet e reja të vitit 2017.

Asnjëherë një forcë politike qeverisëse në Shqipëri nuk ka nisur organizimin e vet për zgjedhjet 2 vjet para mbajtjes së tyre. Kjo është hera e parë dhe, nëse Partia Socialiste nuk ka vendosur të prishë rregullin tradicional, me siguri po përgatit veten për zgjedhje të reja, me gjasë shumë shpejt, në pranverën e vitit të ardhshëm.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com
)
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Dibër, aksident në aksin Melan-Peshkopi! Automjeti i 62-vjeçarit del nga rruga, lëndohen 3 persona

Dibër, aksident në aksin Melan-Peshkopi! Automjeti i 62-vjeçarit del nga rruga, lëndohen 3 persona