Rama 'thumbon' Metën dhe Berishën: S’ka asnjë burrë që t'ja thotë SHBA-së atë që mendon në sy, kur i dridhen gjunjët nga Reforma në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve me SHBA-në tha se pa SHBA-në mbase Shqipëria nuk do të ekzistonte. Duke iu referuar ngjarjeve me Sali Berishën, Rama tha se nuk ka forcë kundër amerikanëve, por vetëm mllef dhe ndjenjë hakmarrje ndaj politikës së SHBA. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se në këtë vend 'nuk ka një burrë që t’ja thotë hapur Amerikës atë që mendon'.

‘Në fakt, nuk është një 100 vjetor që vjen pas një miqësie të lumtur, është një 100 vjetor që vjen pas një historie që, siç thashë, është përcaktuese për këtë marrëdhënie sot, historia e ndarjes me dhunë, me zjarr dhe hekur e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga bota dhe e shkëputjes totale të çdo lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje e vendosjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shënjestrën e përditshme të diktaturës komuniste.

Në njëfarë mënyre, Enver Hoxha është njeriu që ka punuar më shumë se të tërë për këtë ditë që ne jemi sot këtu dhe për thellësinë dhe dashurinë pa kushte, ende pa kushte sot për sot, të shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara, ka punuar thuajse gjysmë shekulli, për ta kthyer Shqipërinë dhe për t’i kthyer shqiptarët në dashnorët më të paepur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha ato që regjimi komunist bëri për t’i larguar në ekstrem shqiptarët prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përkthyen në kalimin e shqiptarëve në ekstremin tjetër. Ky është një ekstrem, i cili i bën mirë Shqipërisë në këtë fazë të historisë së saj sepse Shqipëria është një vend i vogël, është një vend që është në nevojë të madhe për t’u zhvilluar dhe për tu forcuar, është një vend që e ka të domosdoshme një aleat të madh dhe aleat më të madh dhe më të fortë sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës as Shqipëria dhe askush tjetër  nuk mund të gjejë dot.

Për të ardhur sot në këtë ditë ku Shqipëria është ndryshe nga sa ishte, pasi u rivunë marrëdhëniet, dhe në këtë ndryshim, padiskutim, ka një rol të veçantë kjo marrëdhënie dhe ka një kontribut të veçantë kjo miqësi. Nëse do ta parafytyronim për një moment të vetëm rrugëtimin e këtyre 30 viteve, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse mund të kishim lirinë dhe mund t’i kishim hapur vetes rrugën për të ndërtuar demokracinë,  e marrim vetë me mend se çfarë do ishte Shqipëria sot; gjithçka tjetër, por jo një vend ku po zhvillohet një reformë e thellë në drejtësi, gjithçka tjetër, por jo një vend ku vazhdon përpjekja e përditshme për t’u ndarë nga e shkuara, gjithçka tjetër, por jo një vend dhe popull i mbrojtur nga vetë xhagajdurët e tij, që kanë qenë historikisht arsyeja kryesore pse shqiptarët nuk kanë mundur të nxjerrin në pah të gjithë potencialin e tyre.

Sot, janë të panumërta arsyet, pse bazuar në historinë e këtyre 30 viteve, kjo është një marrëdhënie e pazëvendësueshme strategjike dhe arsyet pse ne duhet ta durojmë me buzëqeshje, madje dhe me kënaqësinë, protagonizmin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri.

Është shumë e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë ku pa zërin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë vit kur Fan Noli iu lut përulësisht presidentit Wilson, Shqipëria mbase nuk do ekzistonte.

Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit, por më shumë se kaq, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe me të shkuarën, e cila vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, e cila vazhdon të rishfaqet përpara nesh në forma nga më të ndryshmet, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi të drejtë për të gjithë e deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por që prapë, pa prit e pa kujtuar, na dalin përpara. 

E mira është që në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme anti-amerikane apo dhe anti-europiane dhe edhe kur ka mllef, edhe kur ka ndjenjë hakmarrjeje, jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA-së, siç është mllefi dhe ndjenja e hakmarrjes ndaj reformës në drejtësi, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën, madje deri në pikën që “ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikane”. Ky është aspekti komik i historisë së kësaj marrëdhënieje, por nga ana tjetër edhe dhe shumë domethënës për faktin që s’ka dot këtu një burrë që ia thotë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sy ato që realisht mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi apo kur i vjen tmerr të dalë nga shtëpia se i shikojnë damkën në lule të ballit. Gjithmonë, të gjithë jemi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa janë për marrëdhëniet me këto Shtete të Bashkuara të Amerikës, disa duan ato shtete të Bashkuara të Amerikës se janë pasardhës të Lincolnit apo të Rooseveltit edhe kanë probleme me nivelin.’- tha Rama.


Lajmi kryesor:

100-vite marrëdhënie Shqipëri-SHBA, uron Biden: Krah jush në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë! Rama: Vendi ynë baza politike e Amerikës në Rajon


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri