RAMA: SOT MË SHUMË SE KURRË TË SHKRUAJMË HISTORINË
"Në këtë shesh të ardhmërisë ndihma e shtetit në nevojë për shtet jemi ne shqiptarët e bashkuar për një Rilindje shqiptare", ka nisur fjalën e tij lideri i opozitës, Edi Rama, duke iu referuar "Sheshit të Flamurti" në Vlorë. Duke kujtuar vargjet e Nolit, Rama ka kujtuar se "shqiptarët janë bashkuar që nga Shkodra deri në Vlorë për të rilindur shtetin, për t’i dhënë jetë drejtësisë kushtetuese dhe sociale, që mendjet e ndritura të këtij kombi predikuan për këtë komb, që sot më shumë se kurrë ka mundësi të shkruajë një histori të re shqiptare për Shqipërinë dhe mes Shqipërisë së rilindur dhe Kosovës së lindur si shteti më i ri europian, kombin e shqiptarëve, që sot janë thirrur të provojnë atë thoshte Mithat Frashëri: Në liri lufta jonë është puna, puna, puna", bëri thirrje Rama në Vlorë.
RAMA: I ZOTOHEM VLORËS SE BESIMIN DO TA KTHEJ NË PUNË, NATË E DITË
"Me fuqinë e jashtëzakonshme të votës së saj, me fuqinë supreme të autoritetit moral dhe kombëtar, që Vlora ka prej historisë, ky qytet do t’i hapë rrugë bashkë me Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë nga veriu në jug projektit të madh të historisë kombëtar, që do vijë nga një sistem i unifikuar në arsim mes Shqipërisë dhe Kosovës. Vlorës së Ismail Qemalit i zotohem se besimit të këtij populli të këtij populli do ta kthej në punë, natë e ditë bashkë me skuadrën e Rilindjes", u zotua Rama.
RAMA: DRITË E RE NË RRUGËN E KOMBIT SHQIPTAR
"Jo vetëm sistemi i përbashkët arsimor, por siguria enegjitike, zhvillimi i integruar bujqësor, bashkimi doganor dhe turizmi do të jenë piketat në 4 vitet e ardhshme për ta nxjerrë Shqipërinë tonë të përvuajtur në një dritë të re, për të hedhur një dritë të re në rrugën e kombit shqiptar drejt bashkimit në Europën e bashkuar. Në emër të Ismail Qemalit, të PS me votën e fitores nuk do fitojnë vetëm ata që punojnë për Rilindjen, por gjithë ju që do zgjidhni Rilindjen", është shprehur Rama.
Fitoren ai e ka lidhur me dinjitetin, për taksim të ndershëm e për të marrë mbrapsht ato liri dhe të drejta, që një katragjysh i rraskapitur ua mban ende peng. Në 23 qershor do fitojë Vlora, Shkodra, Kukësi, Dibra, Lezha, gjithë Shqipëria", tha Rama.
RAMA: ÇLIRIM NGA TAKSA SE KUSH FITON MË PAK PAGUAN MË SHUMË
"Çlirimi nga barra e mundimshme se kush ka fituar më pak ka paguar më shumë dhe kush ka fituar më shumë ka paguar më pak. Numri 29 nuk do ndryshojë një qeveri me një tjetër, por rrugën e jetës së atyre që sot jetojnë në fshat, sepse 29, ky numër i bekuar i Çlirimit do t’i çlirojë gratë dhe burrat që jetojnë me tokën nga barra e papërballueshme e kostove të prodhimit".
RAMA: ME NUMRIN 29, LEGALIZIME DHE SHËNDET FALAS
"Shqipëria jonë sot në sytë e të tjerëve është Shqipëria që nga jugu në veri i bashkohen Rilindjes për t’i dhënë fuqi ëndrrës së tyre për të jetuar në një shtëpi të re, që duke bërë shenjën e tyre te 29 do firmosin letrat e legalizimit të shtëpive falas me të gjitha shpenzimet do përballohen nga shteti i rilindur i shqiptarëve. Të gjitha familjet në nevojë do firmosin sigurimin e tyre shëndetësor për të marrë mbulesë shëndetësore falas brenda 4 viteve të ardhshme".
RAMA: ÇLIRIM I SIPËRMARRËSVE TË MËDHENJ NGA ZHVATJA
"23 qershori, dita e Çlirimit të sipërmarrësve të mëdhenj nga babëzia e madhe e të korruptuarve të dhunshëm, që u janë qepur nga mbrapa për ta zhvatur deri në qindarkën e fundit, duke i zhytur në borxhe dhe duke ua bërë të pamundur pagesën e kredive".
RAMA: PËR T'U KTHYER DINJITETIN VETERANËVE DHE TË PERSEKUTUARVE
"Për t’u kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur veteranëve të LANÇ dhe të përndjekurve të regjimit komunist, që kaluan në vuajtjen e dytë, në diktatin e një plaku të lodhur të rraskapitur, të marrë fund. Askush nuk do luajë më me pronat e bregdetit dhe pasuritë e shqiptarëve siç ka luajtur deri më sot".
BEN BLUSHI: BERISHËN DUHET TA SHKARKOJMË SI MEDIOKËR, AI I KA NJË BORXH VLORËS
"Vlora nuk është një qytet, është një ideal, është flamuri, që do ngrihet në 23 qershor për të votuar në numrin 29, për të votuar për PS. Siç thopshte Noli i madh, katundarë dhe punëtorë, që nga Shkdora deri në Vlorë, të gjithë do votojmë për PS, për një Shqipëri të lirë, më të drejtë. Në 97 Berisha e përçau Vlorën, Shqipërinë. Vlora i ka një borxh akoma Berishës, duhet t’ia lajë në 23 qershor. Berisha nuk është vetëm përçarës, që u përpoq të ndante Shqipërinë në veri, jug, të krishterë dhe muhamedanë. Në radhë të parë është i paaftë, mediokër, që duhet ta shkarkojmë si të paaftë. Në këto 20 vjet ka shtuar papunësinë, injoprancën, padrejtësinë, që nuk i dha dritë Shqpërisë. Vlora do votojë masivisht. Keni një arsye më shumë për të votuar PS. Keni deputet Edi Ramën", u shpreh anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi.
BLENDI KLOSI: DO TË MBROJMË VOTËN E ÇDO SHQIPTARI
"Edhe vetëm një ditë, për t’i dhënë fund një periudhe shumë të vështirë për ne. I përkulemi nga ky shesh përpjekjes së madhe të gjithë opozitarëve me mitingje e protesta për të ardhur në këtë ditë të madhe. Dhe vetëm një ditë për të hequr një kryeministër të lodhur", theksoi anëtari i kryesisë së PS, Blendi Klosi. Ai ka thënë se "kjo nuk është një betejë mes dy grupeve; por mes dy botëve; botës plot zullume dhe korrupsion e rrënim të Sali Berishës dhe botës plot shpresë të Edi Ramës". Klosi ka theksuar se "ne besojmë te Edi Rama, ne besojmë se ky vend mund të bëhet". Blendi Klosi ka siguruar votuesit e PS, se "do të jemi bashkë me ju për të mbrojtur votën e çdo shqiptari. Vota e re e PS dhe Edi Ramës do shpërthejë në datën 23. Ne do jemi pranë jush në çdo shqetësim dhe hall".
SAIMIR TAHIRI: DO FITOJMË PËR TË MOS HARRUAR VIKTIMAT E 21 JANARIT DHE GËRDECIT
"Jemi mbledhur për të hapur rrugën e fitores, të Rilindjes në Shkodër, në Vlorë, kudo. Kemi kaluar sakrifica të panumërta në betejën tonë të përditshme për të jetuar, për të ndërtuar shtet. Për të mos harruar ata që në 21 janar humbën jetën në emër të demokracisë dhe bërjes së shtetit, për të mos harruar ata që humbën jetën në Gërdec dhe që pas 23 qersorit do të japin llogari para drejtësisë dhe ligjit. T’u kthejmë lirinë punonjësve të ndershëm të policisë, të administratës, që ndodhen nën trysininë e presionin e dallkakukëve të Saliut, që mbajnë nën presion. Pas 23 qershorit nuk do të jetë më Saliu t’u dalë ju për zot. Do jepni llogari para ligjit dhe drejtësisë. Të fitojmë për të rilindur mundësi të reja ekonomike, duke ulur çmimet, duke rigjallëruar ekonominë, të hapim rrugën e Rilindjes, të fitores së PS dhe kryeministri Edi Rama. Vlora i ka dhënë leksionin e bukur Shqipërisë, i ka dhënë Saliut fitoren siç e meriton dhe do t'ia japë edhe në 23 qershor", u shpreh anëtari i kryesisë së PS, Saimir Tahiri.
FIDEL YLLI: KINI BESIM, NE DO T'JU NDEROJMË
"Të votojmë për të shkulur një herë e mirë këtë klikë, që mban peng Shqipërinë për 23 vjet. Rilindja do fillojë nga Berati, nga qyteti 2400-vjeçar. Besoni tek skuadra kombëtare që ka ngritur Edi Rama dhe PS. Ne do t’ju nderojmë. Fitore!", u shpreh kandidati për deputet i PS, Fidel Ylli.
PAULIN STËRKAJ: SHKODRANËT NË MITINGJE ME KËRCËNIME
"Dua të përshëndes Vlonën. Shkodranët janë kërcënuar, keqtrajtuar dhe PD i ka mbushur mitingjet me nxënës dhe administratë publike. Po kërcënojnë njerëzit që marrin asistenca sociale, që as asistencë nuk e quan dot, që të votojnë për PD", u shpreh kandidati i PS për Shkodrën, Paulin Stërkaj.
MIMI KODHELI: UA KEMI BORXH SHQIPËRINË ATYRE QË LËMË PAS
"Ua kemi borxh Shqipërinë atyre që kemi mbrapa. Duhet ta rilindim nga e para dhe do ta rilindim Shqipërinë. Skuadra e Rilindjes do ta bëjë këtë bashkë me të gjithë ju. Një falenderim të veçantë anëtarëve të PS, mbështetësve, atyre që nuk e kanë votuar, por janë në dëshpërimin e gjendjes ku e ka lënë Sali Berisha".
GRAMOZ RUÇI: EJANI NË VOTIME PËR TË HEQUR NJË SUNDIMTAR
"Përshëndetje o vlonajtë të Pavarësisë, o Vlora e Flamurit, e Lirisë, e Demokracisë, e kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Dua që ju të përshëndesni me duartrokitje të fuqishme vëllezërit tanë të Veriut në Shkodër. Edhe për ëmbëlsirën e socialistëve, për Lushnjën, Fierin, Mallakastrën. Kush rriti papunësinë? Kush vrau viktimat në Gërdec? Kush vrau 4 shqiptarë nga frëngjia e kryeministrit? Për t’i dhënë përgjigje ka vetëm një minutë. Çdo shqiptar që do t’u japë përgjigje halleve dhe shqetësimeve të tij, të vijë të marrë pjesë në votime. Ejani në votime! Për të hequr këtë sundimtar".
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)