"Një program i shumë keqpërfolur nga gjithfarë skeptikësh e gjithfarë injorantësh, programi i rilindjes urbane i akuzuar dhe i treguar me gisht si një program për të harxhuar paratë publike pa eficencë. Në fakt na ka dhënë këtu në Berat rezultate të drejtëpërdrejta pikërisht aty ku ne besojmë se ky program mund të sjellë rezultate të mëdha, tek ekonomia vendore, tek nxitja dhe mbështetjta e sipërmarrjes vendore. Ky Fond ka një rëndësi themelore pikërisht për atë për të cilën akuzohet më shumë, që ky Fond financon një program që sjell të bukurën në mjediset e qytetit, ku njerëzit kanë jetuar për vite të tëra, si në mes të një udhëkryqi pa asnjë pikë referimi. Sjell të bukurën si një instrument për të nxitur energjitë pozitive dhe për të zhvilluar pa as më të voglin dyshim, ekonominë. Por t’ju shpjegosh injorantëve se ç’lidhje ka zhvillimi ekonomik me të bukurën është kohë e humbur. Duke e rikthyer qytetin si mjedisin e bashkëjetesës mes njerëzve, përmes rindërtimit apo nganjëherë ndërtimit nga e para të shesheve qendrore të qyteteve, ne e kemi filluar punën tonë, aty nga e ka filluar çdo qytetërim dhe çdo komunitet në historinë e civilizimeve, kur ka vendosur të jetojë së bashku, nga qendra. Nga qendra që është zemra e qytetit dhe që ka po të njëjtën rëndësi që ka për organizimin e njeriut zemra, për t’u shtrirë më tej përtej qendrës, në fazat e tjera të programit.Ne kemi realizuar 47 projekte vetëm për zemrat e qyteteve, në një vit të vetëm. Ndërkohë që natyrshëm është e mirëkuptueshme, në të gjithë vitet e tjera të marra së bashku, asnjëherë, asnjë bashki dhe asnjë komunitet nuk u mbështet me asnjë qindarkë për të pasur qendrën, për të pasur hapësirën që është pikë referimi e çdo komuniteti, në çdo qytet normal të botës ku jetojmë,- tha Rama.
Fjala e plotë e Ramës
Kryeministri Edi Rama e ka të qartë se një pjesë personave që kanë biznese në zonat ku është investuar e kanë mallkuar për shkak të punimeve në rrugë të cilat shpesh mund të kenë sjellë edhe largim të klientëve. Shefi i qeverisë tha se është mësuar me këtë, pasi edhe gjatë drejtimit të bashkisë së Tiranës është përballur me "zemërimin" e tyre. Por për Ramën, nuk është e largët dita kur do të marrë falenderimin e tyre.
"Faktikisht foli zëvendëskryeministri, të cilin dua ta falënderoj publikisht, sepse është ai koordinatori i gjithë këtij programi dhe eksperienca e tij e vyer në historinë shembullore të suksesit si kryetar i Bashkisë së Korçës, njohja e tij shumë e spikatur e problematikave të brendshme të një komuniteti dhe e mekanizmave të zhvillimit të një qyteti kanë pasur rol kyç në suksesin e madh që ka ky program i Rilindjes Urbane. Ai nënvizoi ndërhyrjet në infrastrukturë në Berat, Korçë dhe Krujë, për të stimuluar modelet e zonave të zhvillimit të biznesit dhe ja ku jemi këtu, sot. Unë vet kam marrë dozën time të mallkimeve nga disa prej pronarëve të këtyre dyqaneve, por kam qenë i bindur që një ditë të gjithë do të na falënderonin dhe i kam mirëkuptuar mallkimet e tyre kur këtu rruga ishte bllokuar, ishin hapur kanale dhe po bëhej investimi i parë që prej vitit 1969, kur unë isha 5 vjeç. Nga eksperienca ime në Bashkinë e Tiranës nuk jua kam marrë me të keq, sepse kam qenë i bindur që kur të mbaronte investimi, jo vetëm që ato humbje të shkaktuara nga bllokimi i rrugës do t’i kompensonin, por përkundrazi do të fitonin shumë më tepër, siç po fitojnë sot. Është absolutisht e qartë që këto projekte kanë stimuluar turizmin. Nuk është vetëm Berati, por është edhe Gjirokastra, një tjetër pasuri e madhe që për 25 vjet u la të rrënohej në heshtje, si një i sëmurë në koma, për të cilin nuk kujdesej asnjeri dhe ku ne me projektet tona kemi stimuluar ndjeshëm rritjen e turizmit", tha Rama.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)