Kryeministri, njëherësh kryesocalisti Edi Rama zhvilloi këtë të dielë një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Elbasan, në kuadër të turit të takimeve “Punët e Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së, Rama foli edhe për ndikimin e opozitës në procesin e anëtarësimit në BE. AI u shpreh se opozita është “një katastrofë ambulate”, teksa shtoi se nëse 9 mandate do t’i përkisnin atyre negociatat për anëtarësimin në BE do të ishin bllokuar.
"Në fund të janarit ne kemi kaluar 27 ligje mos gabohem që ishin një paketë që ishte vetëm për negociatat, sepse ne i kemi në tavolinë të gjitha detyrat. Janë pafund edhe thotë “deri në këtë muaj duhet të kaloni këto ligje, deri në atë muaj duhet të kaloni këto masa, deri në atë muaj…”. Dhe të gjitha këto janë për të përputhur legjislacionin me standardet e Bashkimit Europian. Nga këto 27, 7 ishin me 84 vota. Tani e përfytyroni ju sikur ne të kishim 75 edhe të tjerat kishin molotovarët se ku do ishim sot ne? Atëherë po, do na ishin bllokuar negociatat, sepse do na ishte bllokuar parlamenti jo me muskuj por me buzëqeshje duke thënë, “po më ne u japim votat juve patjetër, ne duam të shkojmë bashkë në Europë, por duhet njëherë të tërhiqet narko-regjimi, duhet të iki Edi Rama, duhet të mos ta ketë Partia Socialiste qeverinë, të bëjmë një gjë të përbashkët”, e bla bla bla e bla bla bla dhe ne do ishim në një situatë, do vinim vërdallë si ajo shprehja që thotë duke i gjëmu bishtit tonë. Prandaj duheshin ato vota! Prandaj unë insistoja që na duhet, na duhet, na duhet dhe prandaj ne duhet t’i puthim duart të gjithë atyre që na i dhanë ato vota, jo për këto karrige, po për atë forcë që ato vota kanë në Parlament, që ne t’i realizojmë negociatat”, tha Rama.
Kryesocialisti deklaroi se nuk mund të flitet për media të kontrolluara nga pushteti në një vend ku, sipas të dhënave të tij, 57% e portaleve janë kundër qeverisë.
“Ka forca e faktorë politikë, mediatikë dhe socialë që prodhojnë e shpërndajnë në mënyrë marramendëse gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe akuza”, u shpreh Rama gjatë takimit në Elbasan.
Për këtë arsye, Rama u kërkoi socialistëve të Elbasanit që të vijojnë angazhimin e tyre politik pa humbur motivimin, pavarësisht kundërshtarëve politikë dhe presionit mediatik.
“Vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe më pas edhe me një energji që mund ta pengojë në këtë rrugë. Këtu nuk është çështja e aritmetikës dhe as se ne kemi përpara zgjedhje, sepse ne nuk kemi zgjedhje përpara veçse vitin e ardhshëm, kur të kemi vendoret. Ama kjo nuk vë në pikëpyetje shumicën tonë prej 83 mandatesh.
Nuk duhet që kjo atmosferë të na heqë motivimin. Prandaj kam kërkuar që të jemi shumë më afër njerëzve dhe të bisedojmë shumë më tepër për çështjet e mëdha politike dhe shoqërore. Ne duhet të flasim me të gjithë se përse duhet të jenë krenarë që janë pjesë e kësaj familjeje të madhe politike”,- tha Rama.
Gjithashtu, Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër realizimit të “ëndrrës historike” për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se 3-4 vitet e ardhshme do të jenë vendimtare dhe më të vështirat për vendin.
“Nuk kemi qenë kurrë kaq afër realizimit të një ëndrre historike. Hapat e fundit që kemi përpara janë edhe më të vështirat, sepse është faza kur duhet të përputhim të gjithë organizmin tonë shtetëror me atë të BE-së, jo vetëm në aspektin e ligjeve, por edhe të standardeve”, deklaroi Rama.
Komente











