Rama takim në Shkodër: Kemi projekte shumë të mira po s’na jep leje Bashkia! Benetin e gjeta nga Berisha, por ata s’dinë ta vlerësojnë

Në kuadër të fushatës elektorale, Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër ku është ndalur tek projektet e vizioni i Partisë Socialiste. Rama thotë se shumë punë të mira kanë ngelur pa bërë në Shkodër për shkak se Bashkia nuk jep lejen.

Edi Rama ka deklaruar në Shkodër, në një takim elektoral, se Benet Becin e gjeti aty nga koha e Berishës, i emëruar nga ai, por që nuk e vlerësuan siç duhet. Në takimin elektoral në Shkodër, ku kishte më shumë njerëz seç ishte parashikuar, Rama tha se projekti për ujësjellësat nuk realizohet sepse nuk jep leje bashkia Shkodër.

Rama, duke ju referuar kandidatit Benet Beci, tha se ai nuk ka ngjyrë dhe është i vetmi që i thotë kreut të foltores zoti Berisha.

“Financojmë në çdo qytet pallate banimi që vishen me kapod dhe kanë një hidroizolim shumë më të mirë sesa pallate të zakonshme dhe kjo ul konsumin e energjisë. Janë 5-6 të tjerë si ky që s’fillojnë dot punën se s’na jep lejen bashkia. Ne kemi bërë çfarë kemi mundur dhe jo çfarë kemi dashur. Muzeun kombëtar të njërës prej krenarive më të mëdha të kombit, dinastinë Marubi e kemi bërë ne. Dhe, atë thesar e kemi gjetur nëpër thasë dhe bodrume të lagështisë që do i hanin ato filmat e vjetra të Marubit. Ne jemi për punën dhe nuk shohim majtas djathtas, ne i gjejmë punës njeriun, jo punës njeriun. Ata kanë 31 vjet që e marrin Shkodrën pa kushte, nuk kanë ditur të bëjnë 1 Bashki shembull.”- tha Rama.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe zërave kritikë që thanë se nuk e do qytetin e Shkodrës.

“Unë s’kam si mos ta dua Shkodrën sepse unë e di shumë mirë që këtu është një nga forcat e fjetura të ekonomisë shqiptare. Unë mendoj që nëse e zgjojmë këtë forcë ekonomie që ka Shkodra, nuk i bëhet mirë vetëm Shkodrës, i bëhet mirë gjithë ekonomisë shqiptare. Këto janë përralla që i hanë ata që duan t’i hanë dhe s’duan të logjikojnë. Po dhe stadiumin e Shkodrës unë e bëra për tifozët e Vllaznisë”, tha Rama. 

Në takimin që pati me qytetarët e Shkodrës, ku kërkoi votën për kandidatin Benet Beci, Rama përmendi disa projekte të kryera nga qeveria si Boga e pastër ndërsa tregoi se Thethi që drejtohet nga demokratët, sipas tij është e mbushur me plehra.

Rama u shpreh se nuk mund të bëjnë asnjë ndërhyrje në Shkodër pasi nuk marrin leje nga Bashkia. Kreu i qeverisë përmendi rrugën e Thethit, teatrin Migjeni, muzeun Marubi, restaurimin e stadiumit që i kanë kryer pa ndihmën e Bashkisë por i duhet leje për ndërhyrje të rëndësishme si ujësjellësi i Shirokës dhe i Zogajt, projekte që janë gati.

Nga Shiroka, Benet Beci tha se projekti për ndërtimin e tre moleve turistike në Shkodër, i cili ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit konkret është një mundësi e re për zhvillimin turistik të zonës, me krijimin e infrastrukturës së nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogajt dhe Vir Pazarit.

“Ky është një nga tre molet. Një është në Zogaj, këtu është i Shirokës, kemi dhe atë të Shkodrës. Është e gjitha e lundrueshme sipas nivelit të ujit. Pjesë e projektit janë tre varka. Po kështu është edhe në Zogaj edhe në Shkodër. Kështu që kemi tre stacione lundrimi. Tani do fillojnë dhe varkat. Duhen iniciuar nga Bashkia.” – shpjegoi kandidati për kryetar bashkie i Shkodrës Benet Beci.

Një tjetër projekt me rëndësi të madhe është transformimi i hyrjes së Shkodrës, për të cilën Rama tha se do i japë qytetit një pamje krejtësisht ndryshe dhe do i ngjajë Vlorës pasi do të sjellë numër të lartë turistësh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:05
FOTOLAJM/ Rama ndan ‘kartolinën’ nga Shkodra: Do mbetet në arkiv bashkë me shumë punë të mira që do bëjmë për vendlindjen e tyre

1682885042_rama.jpg

Kryeministri Rama është ndalur sot në Shkodër, nga ku zhvilloi fushatën për 14 majin. Krahas fushatës, kreu i qeverisë u kërkoi ekipit të tij t’i shkrepnin një foto me një bebe. Përbri fotos, Rama ndau edhe një histori të vogëlth ndërsa shtoi se kjo foto do mbetet në arkiv së bashku me punën e madhe që do të bëhet në Shkodër.

“Kur isha pak më i madh se ky bebi në Tiranë shfaqej në rrugë një arushë e cirkut që quhej Silva, me zbutësin e saj legjendar Tahir Baçova dhe prindërit i afronin fëmijët sa të mundnin për t’iu gëzuar Silvës

Asokohe s’kishte ajfona kësisoj ne s’kemi foto të fëmijërisë me Silvën, po arusha e fotografuar në mendje më kujtohet sa herë prindërit m’i japin fëmijët në krahë për të nxjerrë një foto, e cila uroj shumë të mbetet në arkivën e tyre prej meje bashkë me sa më shumë punë të mira për vendlindjen e tyre”- shkruan Rama.

Ora 19:09
Komenti i Ramës për të djathtët fanatikë të Shkodrës: Ju ndriçoftë Zoti rrugën se do çoheni në mëngjes e të votoni Like Floririn

 

Në përfundim të takimit me gratë në Shkodër, Rama nuk e kurseu komentin për të djathtët fanatikë.

“Një gjë më duket çudi e madhe për këta të djathtët e paeupur fanatikë të Shkodrës që do cohën në mëngjes të shkojnë për të votuar e luftuar komunizmin e do votojnë Like Floririn. Mirë që votuan vite e vite një që ka qenë komunist më shumë se ne të tjerët. Atë hajt mo, po Like Floririn? Vallaj zoti ju ruajtë e ju ndriçoftë rrugën të gjithë fanatikëve të djathtë”, tha Rama.

Ora 18:50
Rama: Kemi gati projektin e madh të transformimit të Shkodrës! Do i japim dimension ndryshe njësoj siç e bëmë me Vlorën

 

Nga Shkodra, kreu i qeverisë tha se kanë gati projektin e madh të transformimit të hyrjes së Shkodrës që do i japë dimension ndryshe njësoj si me Vlorën.

“Pse e duan Bashkinë prap, për të bërë gati ato autobusët e për t’i sjellë në Tiranë që të thonë ‘Rama ik’? Duam të bëjmë projektin e madh të hyrjes së Shkodrës. Nëse e transformojmë hyrjen e Shkodrës, i japim qytetit tjetër dimension. Shihni çfarë i ka bërë Vlorës transformimi i vijës bregdetare dhe si është rritur vlera e pronës e sa më tepër vlejnë shtëpitë e njerëzve dhe sa turistë vijnë. Shkodrës i duhet ndriçim në të gjitha rrugët kur vajzat të kthehen natën në shtëpi, të mos i hajë ujku në rrugë e prindërit të rrijnë me merak.

Jam i bindur që do të bëjë edhe strehë për qentë se ky që keni ju premton që do i fusë në strehë se janë rrugëve. Harrojeni. Qentë do shtohen rrugëve nëse nuk do të ndërrohet drejtimi. Nuk është problemi i një njeriu, është problem kulturor, mentaliteti dhe fatkeqësisht kjo është kultura e një mentaliteti politik. Sidoqoftë ka edhe më keq”, tha Rama.

Ora 18:33
Rama: Beneti ka frikë të identifikohet me ngjyrën tonë se s’do t’i prishë qejfin Berishës! I thotë ‘pusho’ qytetares që bërtet ‘non grata’

 

Kryetari i PS, Edi Rama ishte në një takim me gratë në Shkodër kur komentoi faktin që Benet Beci nuk identifikohet me ngjyrën mavi sepse sipas tij s’do t’i prishë qejfin Berishës. Kur një qytetare ndërhyri duke bërtitur ‘non grata’, Rama zgjodhi që të vazhdonte fjalimin për të mos i dhënë më rëndësi opozitës.

Rama: Beneti kaq frikë ka të identifikohet me ngjyrën tonë sa në poster nuk ka asnjë lidhje me ngjyrën tonë. I kam thënë o Benet mos ki frikë, por Beneti e ka merak mos t’i prishë qejfin atyre të tjerëve, sidomos atij zotnisë që i thotë në emër, zoti Berisha. Unë as emrin nuk ia zë.

Qytetarja: Non grata.

Rama: Jo pusho. Beneti e ka nisur si i përzgjedhur i PD dhe është ndër të paktët që i është dhënë mundësia të tregojnë veten. Ata nuk i zgjedhin njerëzit në bazë të aftësisë për punë, por për të lehur.

Ora 18:21
Benet Beci: Do ia jap fjalën kryetarit se flet më mirë me gratë! Rama: Mos ia vini re, s’është mësuar

 

Gjatë takimit me gratë në Shkodër, kandidati për kryetar bashkie Benet Beci zgjodhi që t’ia kalonte mikrofonin kryeministrit pasi sipas tij flet më mirë me gratë.

Beci: Do ia jap fjalën kryetarit se ai flet më mirë me gratë se sa unë.

Rama: Mos ia vini re Benetit se nuk është shumë i fjalës, nuk është mësuar me fjalime dhe sot ka folur jashtëzakonisht shumë. Madje më tha kur po vinim, aman a po flet për mua se u bë shumë që po flas.

Ora 16:30
Fermeri demokrat që la Amerikën për Shqipërinë ia thotë në sy Ramës: Nëse keni plan për rrugën e Dukagjinit dhe letrat e tokës votoj Benetin! Si përgjigjet kryeministri

 

Një fermer që ka lënë Amerikën për Shqipërinë ishte i pranishëm në takimin e kryeministrit Edi Rama në Shirokë. Ai sqaroi qartë se do t’i thojë miqve të votojnë Benet Becin më 14 maj nëse i japin zgjidhje për rrugën e Dukagjinit dhe letrat e tokës. Rama i sqaroi se të gjitha do të kenë përgjigje nëse Shkodrës do t’i vihet në kryer një kryetar i denjë bashkie.

Fermeri: Unë jam shqiptar amerikan. Si demokrat, punën që bëj këtu në qytetin e Shkodrës e kam bërë edhe në Amerikë. I kam shërbyer zv.presidentes së Amerikës, Camala Harris disa herë. Kam dalë në Shllak, kemi një vend ku të parët e mi kanë zënë vend aty. Problemi që kam si fermer është se sa herë dal atje, më prishet makina. Doja të dija a ke ndonjë plan për rrugën e Dukagjinit e të Shllakut e si demokrat t’i them miqve të mi, të votojmë Benetin se do e ndryshojmë Shkodrën. S’po mundemi të bëjmë letrat e tokës. Po të kishit plan për ne, i kemi tokat e bagëtitë, ne s’na jep askush asgjë se s’kemi letra.

Rama: Kjo punë do kryetar bashkie. Shkodra ka 31 vjet pa kryetar bashkie. Atje ka njerëz pak të interesuar për të ndryshuar gjërat. Edhe rruga e njëjta gjë, si ta bëjmë kur janë rrugët e bashkisë. Ne mund të bëjmë rrugët nacionale por rrugë bashkie e komunash, nuk i bëjmë ne. Duhet të kemi partneritet dhe mbështetje nga bashkia.

Fermeri: Të marrsha të keqen jam fshatar e kam të drejtë me fol.

Rama: Ti je fshatar amerikan. Ne katunarët e Tiranës e kemi kështu, bën pyetje, mbaron fjalën e vazhdon, ia kalon dikujt tjetër mikrofonin.

Ora 16:26
Ramës i ndërpret fjalën socialisti i veshur me blu: Thashë se tha ‘rroftë zorra qorre’

 

Teksa mbante fjalën në Shirokë, kryeministri Edi Rama u ndërpre nga një banor që ishte veshur me kanatiere blu dhe bërtiste “Poshtë zorra qorre” duke iu referuar Berishës dhe Metës. Duke qenë se kishte ngjyrat e demokratëve, Rama mendoi se ishte krah opozitës.

“Qeka në rregull, se e pashë me kanatiere blu e thashë se thotë rroftë zorra qorre. Edhe mund ta thonë se cfarë nuk ndodh” , tha Rama

Ora 16:23
Rama: E kemi gati projektin për ujësjellës, nuk na jep lejen Bashkia! Ata e duan ujin blu se e kanë etjen blu, mesjetë e thellë

 

Kryeministri Edi Rama ishte në takim me banorët në Shirokë ku tha se e kanë gati projektin e ujësjellësit për Shirokën dhe Zogajn, por i pengon Bashkia që nuk i jep lejen.

“E kemi bërë projektin për ujësjellës, e kemi lidhur kontratën për të nisur punën. Bashkia Shkodër nuk na jep lejen. Nuk jep lejen të të vijë uji dhe me sa më rezulton jo vetëm që shkon në çezmat e të gjithëve, nuk më rezulton që kur duan ujë, e duan blu, por e duan të pastër. Kurse ata duan që demokratë e socialistë të kenë etjen blu. Kjo është mesjeta e thellë në mendjen e atyre që drejton sot bashkinë. Kurdo që kemi pasur mundësi të bëjmë punë për Shkodrën, e kemi bërë.

Nuk e di si funksionon në mendjen e ndonjë të djathti por s’më ha mendja të jetë llogaria e saktë që do njeri të shkojë në Velipojë duke u futur nëpër gropa. Dhe e bëmë rrugën Shkodër-Velipojë. Edhe atë të Thethit ne e bëmë.

Në Belsh ka më shumë turistë se në Shkodër, është turp. në Belsh punon bashkia kurse këtu nuk pastrohen as rrugët, as koshat e plehrave”, tha Rama.

Ora 15:51
Rama publikon pamjet nga bypass i Shkodrës: Bashkia na ka zvarritur për një copë letër njësoj siç po bën me ujësjellësat e Shirokës e Zogajt

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga bypass i Shkodrës duke thënë se bashkia i ka zvarritur për një copë letër po ria kanë dalë ta realizojnë.

E njëjta situatë thotë se është prej kohësh me ujësjellësat e Shirokës e të Zogajt për të cilët janë lidhur kontratat e ndërtimit nga Fondi i Zhvillimit. Ndërkohë Rama thotë se Bashkia Shkodër nuk zbardh dot lejet e ndërtimit dhe me ironi shkruan se për ata ‘etja blu është më e shëndetshme për banorët se sa uji pa ngjyrë’.

“Bajpasi i Shkodrës, një nga punët e bëra nga qeveria jonë, njësoj si rruga nga Shkodra në Theth apo në Velipojë, ku s’ka qenë i nevojshëm projekti i bashkisë dhe ku bashkia s’na ka bllokuar dot për fare, po thjesht ka penguar sa ka mundur, duke na zvarritur për një copë letër; siç po pengon për shembull prej disa kohësh ujësjellësat e Shirokës e të Zogajt, për të cilët janë lidhur edhe kontratat e ndërtimit nga Fondi i Zhvillimit, por Bashkia Shkodër nuk zbardh lejet e ndërtimit sepse si gjithnjë mbron bindjen se etja blu është më e shëndetshme për banorët se sa uji pa ngjyrë”, shkroi Rama.

 

 

G.MO/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura