Rama takohet me koordinatorët
e rajoneve dhe më pas me Metën 

Rama takohet me koordinatorët<br />e rajoneve dhe më pas me Metën 
TIRANE- Kryeministri Rama ka pasur takime intensive mëngjesin e ditës së djeshme përpara se të zhvillohej seanca e parë plenare për këtë sesion parlamentar. Ai e ka nisur ditën me një takim me 5 koordinatorë të rajoneve organizative të PS-së, për të vijuar më pas me një takim kokë më kokë me Ilir Metën, e në fund me një takim me grupin e tij parlamentare.

Mbledhja e parë është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste, ku Rama ka mbledhur së bashku me kreun e grupit parlamentar, Gramoz Ruci,  ministrat Lindita Nikolla, Ditmir Bushati, Blendi Klosi, Sajmir Tahiri, si dhe deputeti Koco Kokëdhima. Në mbledhje Rama mori nga koordinatorët informacion për punën e deri më tanishme organizative brenda PS-së dhe më pas dha udhëzimet përkatëse për kapjen e afateve siç është përcaktuar në mbledhjen e asamblesë.

Tre janë punët që po mbikëqyrin koordinatorët e  rajoneve. Procesi i parë është ai i verifikimit dhe pastrimit të anëtarësisë, duke hequr emrat jo aktivë dhe duke e pasuruar atë me sa më shumë të rinj dhe femra. Procesi i dytë është ai i organizimit të procesit zgjedhor brenda partisë, ku brenda dhjetorit, duhet të zgjidhen 61 kryetarët e rinj të degëve, si dhe asambletë përkatëse të tyre për çdo bashki. Porosia e tretë është ajo e matjes së perceptimit publik për punën e administratës shtetërore.

Në përfundim të takimit me koordinatorët, Rama është drejtuar në Kryesinë e Kuvendit, ku është takuar me kryeparlamentarin Meta. Ky ishte takimi i parë i tyre pas zërave kumbues të verës se mes tyre nuk kishte komunikim dhe se marrëdhëniet ishin në krizë. Nuk u bë i ditur asnjë informacion mbi axhendën e takimit kokë më kokë mes tyre, teksa mendohet se pjesë e diskutimit ka qenë heqja e imunitetit të deputetit të Lezhës, Armando Prenga.

Pas këtij takimi kryeministri mbërriti në sallën e seancave plenare, ku mblodhi grupin e tij të deputetëve, duke u kërkuar të mbajnë qëndrim unanim për të votuar pro heqjes së mandatit të deputetit Armando Prenga. Në mbledhje mungoi deputeti Ben Blushi, i cili ka zgjedhur që të mos shkojë në disa mbledhje rresht të grupit të tij parlamentar. Hera e fundit që ai është shfaqur së bashku me kolegët e tij deputetë ka qenë mbledhja e Asamblesë Kombëtare në korrik të këtij viti.

Ashtu siç kryeministri i porosit, të gjithë socialistët votuan pro heqjes së imunitetit të Armando Prengës, pas kërkesës së prokurorisë e cila e akuzon atë për plagosje me armë zjarri, për ngjarjen e ndodhur të shtunën e kaluar në Laç, e ku për pasojë ngelën të plagosur 7 persona. I pranishëm në sallën plenare ishte si rrallë herë edhe Tom Doshi, deputeti i cili pak kohë më parë provoi shijen e heqjes së imunitetit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK, arrestohet Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i rrëmbyer dhe zhdukur në 2015

Operacioni i SPAK, arrestohet Naim Stafuka, vëllai i Enver Stafukës, i rrëmbyer dhe zhdukur në 2015