Në kuadër të diskutimit dhe prezantimit të Programit të PS për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe gjendjes në të cilën ndodhen familjet e policëve të rënë në krye të detyrës duke zhvilluar edhe disa vizita në këto familje për t’u njohur nga afër me situatën e vështirë ekonomike e sociale që ato po kalojnë.
Ditën e djeshme ai ka qenë në qytetin e Beratit ku ka vizituar familjen e ish-punonjësit të policisë, Baftjar Gremshit, i rënë në krye të detyrës dhe i shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
Kryesocialisti i shoqëruar edhe nga sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi, anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Lindita Nikolla si dhe kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, është takuar me prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët e policit të vrarë, duke u interesuar nga afër për kushtet e tyre të jetës, si dhe trajtimin nga ana e shtetit.
I ati i Baftjarit, Qemal Gremshi thotë se si familje nuk kanë pasur kurrë probleme dhe se e vetmja arsye për humbjen e të birit ishte detyra të cilës ai i shërbeu me devotshmëri.
E ëma nga ana tjetër i ka treguar kryetarit të Partisë Socialiste për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet familja pasi në momentin e vrasjes Baftjari ka lënë pas një djalë dy vjeç dhe të shoqen shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë. E shoqja e Baftjarit është prej vitesh e papunë duke e rënduar edhe më tej gjendjen ekonomike të familjes.
“Eh çfarë djali kisha. Në ’97-ën nuk e hoqi një herë kapelen, gjithnjë në ballë të shokëve. E përcolla duke qeshur dhe më erdhi... Nuk kisha ndonjë djalë frikacak, po trim. Djalin e la dy vjeç dhe nusen 3 muajshe shtatzënë. Dhimbje e madhe, plagë e madhe”, shprehet e ëma e Baftjarit.
Kreu i PS është shprehur se vendi ndodhet aktualisht në kushtet e një pasigurie shumë të madhe dhe një kriminaliteti që ka marrë një epërsi të dukshme.
“Është e pakonceptueshme dhe e patolerueshme që janë vrarë kaq shumë oficerë policie dhe njerëz me uniformë. Është e njëjta situatë në shumicën dërmuese të familjeve të policëve të vrarë, që gratë janë papunë, familjarë të tjerë pa punë, gjendje varfërie dhe pamundësie për të çuar përpara jetën. Prandaj duhet të bëjmë çmos dhe të shikojmë mundësinë që të ketë një sigurim për jetën për çdo njeri që është me uniformën e policisë”, u shpreh Rama.
Rama tha se Partia Socialiste është e vendosur të rishikojë pensionin për familjet e të gjithë punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës dhe të zgjidhë çështjen e sigurimit të jetës për çdo njeri që angazhohet për t’i shërbyer shtetit.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)