Socialistët dënuan aktet e dhunës gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, tha se shfaqja “Mbreti Luan”, e planifikuar për në orën 18:00, u anulua pasi protestuesit goditën dyert e Teatrit të Kukullave dhe hodhën molotov në ambientet e godinës. Gonxhja dënoi sulmin ndaj teatrit, duke thënë se dhuna meriton të dënohet.

“Sot, më 28 Nëntor në orën 18:00, Teatri i Kukullave duhej të hapte perden për “Mbretin Luan”. Të gjitha biletat ishin shitur, por pas dhunës së sotme, shfaqja e mbrëmjes u anulua sepse protestues të papërgjegjshëm goditën dyert e teatrit dhe hodhën molotov në ambientet e godinës.

NDALONI luftën me mullinjtë e erës, STOP djegies dhe shkatërrimit të Teatrit të Kukullave! Fëmijët aty ndjekin shfaqjet e tyre të dashura. BOLL trauma u janë shkaktuar, mos i lini pa skenën e tyre artistike, mos ua anulloni festat, planet, JETËN!

E drejta për të protestuar paqësisht garantohet, ndërsa dhuna e verbër ndaj institucioneve që u përkasin të gjithëve meriton dënim të qartë nga gjithësecili. Lutja e tyre më prekëse”, shkroi Gonxhja.

Pas hedhjes së molotovëve dhe sendeve të forta drejt policisë në bulevard, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi mbështetësit e Sali Berishës për organizimin e akteve të dhunës.

“Ja dhe seksioni i dhunës së Saliut, përzierë me ndonjë gone e llapaqorrë, hyzmeqarë të turpshëm të duarve të huaja që sulmojnë Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë. Turp!”, shkroi Balla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:24
Aktet vandale në protestë, Balla: Seksioni i dhunës së Saliut, turp që sulmojnë Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë (VIDEO)

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas episodeve të dhunës gjatë protestës në Bulevard, ku protestuesit hodhën molotovë dhe sende të forta në drejtim të policisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla e cilëson protestën si një shfaqje të dhunës të organizuar nga mbështetës të Sali Berishës, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe Shqipërisë në Ditën e Pavarësisë.

“Ja dhe seksioni i dhunës së Saliut, përzierë me ndonjë gone e llapaqorrë, hyzmeqarë të turpshëm të duarve të huaja që sulmojnë Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë. Turp!”, shkruan Balla.