Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në New York ka takuar nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA, Victoria Nuland. Me anë të një postimi në Facebook, thotë se diskutuan për një sërë çështjesh që lidhen me Shqipërinë si agresioni iranian dhe plani i fuqizimit të mbrojtjes kibernetike. Nuk kanë mbetur jashtë diskutimit lufta në Ukrainë, roli i Shqipërisë në rajon, kriza energjetike dhe nisma Ballkani i Hapur

"Me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA, Victoria Nuland, për agresionin iranian dhe planin e përbashkët të fuqizimit të mbrojtjes kibernetike; portin e ri tregtar të Durrësit dhe bazën e re ushtarake detare; krizën energjitike dhe solidaritetin mes vendeve të aleancës pro Ukrainës për përballimin e saj; rolin e Shqipërisë në rajon, Ballkanin e Hapur si platformë paqeje dhe nevojën për përparim thelbësor në dialogun Kosovë-Serbi", shkroi Rama.

Kujtojmë se si pasojë e sulmit kibernetik nga Irani mbetën të bllokuara faqet qeveritare. Pas disa javësh, u sulmua sistemi TIMS që ‘paralizoi’ për disa orë pikat e kalimit kufitar të të gjithë vendit, në Rinas, Kakavijë, e Kapshticë, ku policia hapi regjistrat duke punuar manualisht.

Sa i përket krizës energjetike, qeveria ka vendosur që të mbrojë konsumatorët që shpenzojnë 800 KW energji në muaj, ndërsa ata që e kalojnë këtë fashë do të faturohen me 42 lekë me TVSH për çdo kilovat që e kalon 800 KW. Për nismën Ballkani i Hapur, pjesë e së cilës është Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, Rama ka deklaruar shpesh herë se Kosova e ka shansin që të ulet në tryezë për dialog ndonëse Albin Kurti  ka përsëritur qëndrimin se është kundër kësaj nisme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:51
Ministrja e Jashtme takim në New York për forcimin e sigurisë kibenertike: Thelbësore të përmirësohet bashkëpunimi

1664009554_xhacka.JPG

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin  Ministror “Formësimi i sigurisë kibernetike globale një thirrje për veprim për të promovuar sjelljen dhe kapacitetin e përgjegjshëm të shtetit”, që u mbajt në New York. Me anë të një postimi në Twitter, Xhacka shkroi se është e rëndësishme të përmirësohet bashkëpunimi dhe partneriteti.

“Diskutim i frutshëm në takimin ministror “Formësimi i sigurisë kibernetike globale një thirrje për veprim për të promovuar sjelljen dhe kapacitetin e përgjegjshëm të shtetit”.

Kërcënimet kibernetike janë komplekse, shkatërruese, kërcënuese dhe gjithnjë e më të shpeshta. Shqipëria sapo ka përjetuar një sulm brutal të sponsorizuar në shkallë të gjerë nga një shtet i caktuar.

Është thelbësore të përmirësohet bashkëpunimi dhe partneriteti dy dhe shumëpalësh dhe të investohet në sigurinë kibernetike”, shkroi Xhaçka.