Kryeministri Rama e uroi për detyrën e re dhe e vlerësoi të vyer eksperiencën që Yee ka në rajonin tonë. Rama e falënderoi Yee për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Më tej, Kryeministri Rama e njohu Yee me programin dhe prioritetet e qeverisë shqiptare, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri u ndal edhe në operacionin më të fundit të Policisë së Shtetit për bllokimin e lojërave të fatit që ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme.
Në takim u vlerësua kontributi i Shqipërisë në shërbim të paqes e sigurisë globale. Kryeministri Rama siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA, në përpjekjet e përbashkëta për promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Yee i uroi gjithashtu, Kryeministrit Rama suksese në detyrën e re. Ai e falënderoi për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2118 mbi Sirinë, duke mbështetur kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për të vënë para përgjegjësisë regjimin e Assad-it.
Yee e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e SHBA-së në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe mirëpriti progres raportin e Komisionit Evropian që rekomandon statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
ME SHBA NE CDO FRONT, BRENDA E JASHTE
"Me SHBA në çdo front, brenda dhe jashtë", është titulli i komentit që kryeministri Edi Rama ka bërë në Facebook mbi takimin e tij me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euro Azisë, Hoyt Yee.
"Ndër pikat ku politika shqiptare nuk ndahet, miqësia e partneriteti me SHBA dhe aleancat në krah të SHBA, janë e do të mbeten një pikë kryesore. Ndërsa kjo qeveri përkatësinë e Shqipërisë në këtë miqësi, partneritet e aleancë të pandashme, e lexon edhe si detyrim për t'u udhëhequr edhe në qeverisjen e vendit tonë nga vlerat e parimet që SHBA mishërojnë e promovojnë si një shembull i shkëlqyer lirie, demokracie, prosperiteti të bazuar në respektin për individin e në konkurencën e lirë", ka shkruar Rama.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)