Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me rezolutën e propozuar nga grupi i deputetëve të Sali Berishës në Kuvend për Masakrën e Srebrenicës plot 27 vite më parë. Kreu i qeverisë, ka treguar qëndrimin zyrtar që ka mbajtur Shqipëria në OKB, duke publikuar fjalën e ambasadorit shqiptar Ferit Hoxha në Këshillin e Sigurimit në OKB për gjenocidin në Srebrenicë.

'Kjo video është për ata që akoma budallallepsen nga shejtanbudallallëqet e një të damkosuri botërisht si Katrani me Bojë i Shqipërisë. Ja si ka folur Shqipëria më 11 maj 2022 për Srebrenicën, mu në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.'- shkruan Rama.

Në fjalën e tij, ambasadori Hoxha, thekson se t’i referohesh gjenocidit si “një mit i sajuar” apo si “mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të”, në një mohim deluziv, është fyerje ndaj më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë.

Sipas Hoxhës, çdo hap i gabuar në Bosnje-Hercegovinë rrezikon të prekë rajonin e  gjerë. Prandaj, shton Hoxha, nuk është për t'u habitur që një sjellje e tillë e papranueshme u sanksionua me të drejtë dhe ne mirëpresim veprimet e ndërmarra nga SHBA dhe Britania e Madhe kundër Dodikut për përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe të qëllimshme për të minuar funksionimin e shtetit dhe paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë.

'Ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga vazhdimi i retorikës politike të mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes me sharje etnike. Nxitja e ndasive midis grupeve etnike në Bosnje për lojëra politike mban firmën e Dodik dhe mohimi i përsëritur publik i gjenocidit nga ana e tij është thelbësor në përpjekjet e tij. T’i referohesh gjenocidit si “një mit i sajuar” apo si “mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të”, në një mohim deluziv është fyerje ndaj më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë. Nënshtrimi ndaj nacionalizmit dhe lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk është thjesht dhe vetëm një provokim. Çdo hap i gabuar në Bosnje-Hercegovinë rrezikon të prekë rajonin e  gjerë. Prandaj, nuk është për t'u habitur që një sjellje e tillë e papranueshme u sanksionua me të drejtë dhe ne mirëpresim veprimet e ndërmarra nga SHBA dhe Britania e Madhe kundër Dodikut për përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe të qëllimshme për të minuar funksionimin e shtetit dhe paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë.'- thuhet në fjalën e ambasadorit Ferit Hoxha.

Partia Socialiste deklaroi dje prerë se asnjë propozim të një ‘non grata’ nuk do të pranohet. Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla bëri të qartë edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialiste. Balla theksoi se ky veprim nuk ka të bëjë me përmbajtjen e kërkesës, pasi Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebrenicës, por ky është një qëndrim ndaj një deputeti i futur në listën e zezë të SHBA.

Nuk dihet arsyeja se pse Berisha e ka kthyer pikërisht dënimin e kësaj masakre që ka ndodhur 27 vite më parë. Kjo kërkesë e tij duket e një natyre “djallëzore”, pasi nuk do të shërbente për asgjë tjetër përveç se krijimin e tensioneve me Aleksandër Vuçiç. Absurde është dhe fakti që Berisha ka qenë 8 vjet në pushtet dhe nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, por e kërkon pikërisht në këtë moment për të krijuar trazira, ndërkohë që vetë Balla një ditë më parë e ka bërë të qartë që Shqipëria  Shqipëria e ka dënuar masakrën e Srebernicës dhe madje ka mbështetur edhe rezolutat në OKB dhe OSBE në 1995.