Rama tregon sërish historinë e VIP-it që kërkoi makinë të blinduar për të ardhur në Tiranë: I thashë të kthehet se nuk e ofrojmë si shërbim

 

Kryeministri Edi Rama ka treguar sërish historinë e një zyrtari të lartë të BE që kërkoi makinë të blinduar për të ardhur në Tiranë. Në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit që u mbajt në Tiranë, Rama tha se e kishte refuzuar që t’i jepte makinë të blinduar e njerëz të armatosur se nuk ndihej i sigurt më Shqipëri.

Rama tregon se të nesërmen i erdhi në zyrë dhe i kërkoi falje për Shqipërinë që e kishte paragjykuar.

“Disa kohë më parë, një person i rëndësishëm nga BE, nga një vend i pasur e i mirëinformuar zbriti në Tiranë. Unë isha në makinë dhe marr një mesazh nga drejtuesi i sallës së pritjes për VIP-at në aeroportin e Tiranës dhe më shkruan: “Të lutem merr në telefon, është urgjente’’. Mendova, ishte ndonjë bombë a ndonjë zjarr se pse duhet të më fliste mua? s’kishte ndodhur kurrë.

Marr në telefon dhe më thotë: “Zoti kryeministër, me vjen keq t’ju shqetësoj, por kalova të gjithë zinxhirët e hierarkisë, askush nuk mundi të ma zgjidhë problemin dhe më duhet udhëzim”.

“Cili është problemi”, - i them. Më thotë: “Kemi një person të rëndësishëm që nuk do të hyjë në Tiranë”. E pyes, “Çfarë do të thotë nuk do të hyjë në Tiranë? A ka ardhur në Tiranë”? “Po, po, ka ardhur në Tiranë, ka ardhur me një delegacion me dhjetëra njerëz, por nuk do të hyjë në Tiranë. Çfarë duhet të bëj”? “Pse”, - i them.

“Sepse nuk ndihet i sigurt dhe kërkon automjete të blinduara dhe roja të armatosura me pushkë”. Pyeta cili ishte statusi i këtij personi të rëndësishëm dhe normalisht ishte pjesë e asaj lige që duhej shoqëruar nga Garda jonë kombëtare. I thashë, “Garda jonë kombëtare do të jetë aty”. “Po, po, janë këtu”, me thotë, - “po nuk i merr seriozisht ato pistoleta që kanë, kërkon pushkë”.

I thashë, - “Mirë, i thoni zotërisë që nuk ofrojmë një shërbim të tillë kaq special kështu që mund të kthehet”. E thashë me një shqipe më të ngjyruar dhe e fika telefonin.  Pas 45 minutash më shkruan që kanë hyrë në Tiranë.

Të nesërmen në mëngjes ky zotëri vjen në zyrën time. Nuk e di nëse ai e dinte, që unë e dija tashmë ç’kishte ndodhur, por erdhi dhe gjëja e parë që më thotë ishte: “Zoti Kryeministër ju detyrohem një ndjesë”. I them, “për çfarë”?

Më thotë, “dëgjoni, kam udhëtuar në shumë vende. Jam një qytetar i botës. Kurrë, asnjëherë nuk jam gjendur në një hendek kaq të madh midis asaj që mendoja se ishte Shqipëria dhe midis asaj që shoh që Shqipëria është”. I thashë, - “Dëgjo, mos u shqetëso. U ndodh të gjithë atyre që vijnë në Shqipëri”.

Tha, “jo, jo”, dhe meqë ra fjala, nuk dua t’ju jap shumë informacion, është një socialist mysliman. E më thotë, “Meqë ra fjala, po ecja në qendër të Tiranës mbrëmë. Është kaq mbresëlënëse, është kaq europiane, është kaq mesdhetare. Ndihesh si në Itali dhe nuk pashë asnjë grua të mbuluar. A mund ta imagjinoni” - më tha mua.

I them, “po, sepse nuk ka gra të mbuluara në Shqipëri. Ka disa vajza me shall dhe natyrisht ne i shohim me shumë respekt, por nuk ka gra të mbuluara”.

“Dhe sot në mëngjes përpara se të vija tek ju”- më thotë, “shkova në Ministrinë e Brendshme dhe njerëzit flisnin anglisht. A e imagjinon dot”?

I thashë, “dëgjo, a e lëmë këtu? Do të ishte mirë që ta mbanit këtë eufori dhe entuziazëm për Shqipërinë kur të ktheheni në vendin tuaj dhe t’u thoni njerëzve tuaj atje, që Shqipëria është krejt ndryshe nga ajo çfarë mendoje”. “Sigurisht do ta bëj, do ta bëj. Do të vij me bashkëshorten, me miqtë e mi. Sigurisht”.

Dhe meqë ra fjala ai është vërtet shumë i ashpër me emigracionin. Dhe kur u kthye nuk tha absolutisht asgjë nga këto. Nuk ishte keq, por nuk ishte aspak entuziast për Shqipërinë. Thjesht informoi qytetarët e tij se na kishte thënë që duhet ta luftonim më fort krimin dhe emigracionin e paligjshë”, tha Rama.

 


Lajmi kryesor:

Konventa Ndërkombëtare e Turizmit, Rama: Gjysma e parave të fushatës së PS për 14 majin shkojnë për mbjellje fidanësh! Komisioneri: Tërhiqni turistë duke ulur nivelin e karbonit


/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille