VLORË- Ka përfunduar plotësisht zbatimi i punimeve në Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë, park ky që lidh pjesën e brendshme të qytetit me Lungomaren. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në sheshin në sheshin e ‘Flamurit’.

Rama ka vlerësuar punën e bërë, por nuk mund të mungonin as kritikat dhe sugjerimet nga ana e tij. Teksa po shihte punimet e realizuara deri më tani, Rama tha se do krijojë vetë një seri me pllaka bronzi ku do të shkruhen emrat e të gjithë personave të shquar që kanë firmosur deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Rama tha se këto pllaka do të pajisin me drita, që emrat e tyre të ndriçojnë gjatë natës.

“Do bëj unë me Dulen një seri me pllaka bronzi që janë të gjithë emrat e atyre që janë firmosur pavarësinë. Çdo pllakë ka një emër, emrat janë të çarë tej për tej pllakës, vendoset ndriçimi poshtë dhe natën do jetë me emrat e tyre që do ndryshojnë, do jetë shumë bukur. Do jenë si fushë me xixëllonja gjithë shkrimtarët e pavarësisë”, tha Rama.

Kjo hapësirë e re, jo vetëm i shërben qytetarëve, por është edhe një atraksion më shumë për turistët vendas e të huaj që pushojnë në qytetin bregdetar.  Parku është konceptuar si një vatër e gjelbër mes qytetit dhe detit, që merr parasysh transformimet urbane dhe infrastrukturore për të krijuar lidhje të reja fizike dhe vizuale midis të dyve.

Në sheshin e Flamurit në Vlorë kanë nisur punimet për të vënë në jetë projektin që pritet ta rikualifikojë zonën ndërsa një godinë 15 katëshe qe shteti ia ka marrë privatit, pritet të kthehet në qendër social-kulturore dhe jo në hotel, siç ka pretenduar opozita. Ndërtesa i është marrë biznesmenit Sulo Shehi, të cilin shteti e ka dëmshpërblyer me 8 milionë dollarë.

Zhvillues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërsa financuese e projektit nga Xavier de Geyter, i njëjti arkitekt belg që ideoi Lungomaren, është qeveria. Vlera e kontratës për zbatimin e këtij projekti është 818 milionë lekë.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në Bypass-in e Vlorës, i cili u hap përfundimisht dhe është gati për qarkullimin e mjeteve. Bypass-i i Vlorës është një segment i rëndësishëm për lehtësimin e trafikut gjatë verës për shkak të turizmit bregdetar.