Rama: Vlora kantier ndërtimi 
INUK gati për të shkulur çibanët 

Rama: Vlora kantier ndërtimi <br />INUK gati për të shkulur çibanët 
VLORE - “LungoMare”, projekti i cili pritet të shndërrojë totalisht vijën bregdetare të Vlorës do të pasohet me hapjen e një sërë kantieresh të mëdha në këtë qytet.
 
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në spitalin rajonal të Vlorës ku  inauguroi ambientet e rikonstruktuara te reparteve të urgjencës, pediatrisë e reanimacionit.
 
Rama i cilësoi punimet si infrastrukturë model si dhe përgëzoi përkushtimin e stafit mjeksor, mjekëve dhe infermierëve, ndërsa deklaroi se imazhi i Vlorës do të ndryshojë plotësisht. 
 
Vlora do të përjetojë transformime të mëdha, - u shpreh kryeministri, teksa bëri të ditur se kantiere të shumta do të hapen në të gjithë qytetin. Më të rëndësishmin prej tyre, kryeministri veçoi kantierin e vijës bregdetare, duke vijuar më tej me kantierin për rrugën hyrëse në qytet, për të lidhur përfundimisht Vlorën me autostradën, si dhe shumë kantiere brenda qytetit.
 
Përfitoj nga rasti t’ju them që shumë shpejt Vlora do të përjetojë hapjen e disa kantiereve të tjera shumë të mëdha. Kantieri i vijës bregdetare, i cili është një nga kantieret më të rëndësishme dhe që do të hapet pas një tenderi ndërkombëtar, që ka nisur, me financimin e Komisionit Europian dhe bashkëfinancimin e Qeverisë shqiptare. Kantieri tjetër për rrugën hyrëse në qytet, për të lidhur përfundimisht qytetin me autostradën. Sepse nuk mund të hyhet në Vlorë nga një xhep false, siç e kanë lënë deri tani. Pastaj, sigurisht, edhe një sërë kantieresh të tjera brenda në qytet, ku me të drejtë qyteti pret transformime të mëdha”, tha Rama.

Kryeministri shpjegoi se aksionet e INUK do të paraprijnë punën për hapjen e kantiereve të reja, me prishjen së pari të ngrehinave të paligjshme të cilat i kanë zënë frymëmarrjen qytetit.
 
Sigurisht, përpara sesa të fillojmë kantieret e tjera brenda në qytet, paralelisht me vijën bregdetare dhe me Lungomare-n, siç ka mbetur këtu fjala, do të kemi edhe një periudhë që do të kalojë INUK-u. Sepse ka shumë abuzime, ka shumë çibanë të mbjellë gjithandej që po i marrin frymën qytetit, prej vitesh dhe pas shkuljes së tyre do të ndërhyhet në të gjitha lagjet e qytetit”, tha Rama.
 
E duke lënë edhe një porosi për vlonjatët, Kryeministri kërkoi mirëkuptimin e tyre për të kryer brenda afateve të gjitha pagesat e faturave të energjisë e për tu bërë kështu pjesë e një përpjekjeje të përbashkët. “Nga ana tjetër, porosia e fundit është që nuk është në nderin e asnjë vlonjati që të shkojë në burg për mospagimin e energjisë elektrike. Kështu që, ju lutem, në shembullin e të gjithë atyre qytetarëve që po kthehen në rrugën e ligjit dhe në rrugën e qytetarisë, duke zënë radhën dhe duke mbajtur me durim radhën në sportelet e kompanisë së shpërndarjes, u bëj thirrje të gjithëve që të vrapojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët", tha Rama.

Teksa siguroi se këto para do të kthehen në investime të rëndësishme për qytetarët, kryeministri tha se: “Nëse do të arrijmë dhe do të arrijmë të gjithë së bashku të mos lejojmë më që një shumë e barabartë me 6 spitale moderne rajonale, të standardeve europiane, të humbasë në gropën e vjedhjes nga energjia, atëherë, me siguri, vitet në vijim do të jenë vite që do të sjellin shumë më tepër investime për shëndetësinë; Do të jenë vite që do të sjellin shumë më tepër transformime në infrastrukturën e gjithë shërbimit tonë shëndetësor;  Dhe sigurisht do të jenë vite që do të sjellin paga shumë më të mira për mjekët dhe në radhë të parë, për infermieret. Se infermieret janë kryesoret.", deklaroi kryeministri.

Ajo që u vë re në inaugurimin e ambienteve të reja të spitalit rajonal të Vlorës, ishte mungesa e kryebashkiakut të qytetit bregdetar Shpëtim Gjika.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Arrestohet çifti shqiptar në qendër të Athinës, u kapën me lëndë plasëse dhe armë në makinë

Greqi/ Arrestohet çifti shqiptar në qendër të Athinës, u kapën me lëndë plasëse dhe armë në makinë